Sunday 26 March 2023
Sunday 26 March 2023

 

Si sot, më 4 tetor 1921, u themelua Kryqi i Kuq Shqiptar. Është shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri. Ai është njohur zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në vitin 1923. Që nga ky vit është anëtar i Federatës (në atë kohë Ligës) së Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë kështu shoqata e 38-të e themeluar deri atëherë. Në këtë mënyrë Kryqi i Kuq Shqiptar është pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe që sot numëron në gjirin e saj 187 shoqata në mbarë botën.

Në bazë të nenit 1 të Ligjit Nr.7864 për Kryqin e Kuq Shqiptar, të miratuar nga Parlamenti Shqiptar më datë 29.9.1994, Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare që e ushtron veprimtarinë në mënyrë të pavarur në bazë të parimeve themelore të Lëvizjes ndërkombëtare humanitare të Kryqit të Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 – ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 – dhe Protokolleve shtesë të 10 qershorit 1977 – ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 16 qershor 1993. Ai është ndihmës i organeve të pushtetit për çështjet humanitare në mbarë vendin.

VIZIONI

Kryqi i Kuq Shqiptar synon të jetë një shoqatë humanitare e zhvilluar, që punon për përmirësimin e jetës dhe dinjitetit të njerëzve në nevojë, në përputhje me Parimet Themelore të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

MISIONI

Kryqi i Kuq Shqiptar ndihmon, nëpërmjet veprimtarisë së vet humanitare, njerëzit më në nevojë duke mobilizuar forcën e humanizmit të shoqërisë.

Historik

  • Vitet 1914-1918 Janë vitet kur sëbashku me ushtritë ndërluftuese shfaqen dhe organizmat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të ushtrive ndërluftuese.
  • Viti 1919- Nis veprimtarinë e tij humanitare në Shqipërui një mision i Kryqit të Kuq Amerikan, kryesisht në fushën e shëndetit, atë sociale dhe të arsimit.
  • Viti 1920- Shpërndahen ndihma të Kryqit te Kuq Amerikan nga prapavija e ushtrisë shqiptare të asaj kohe.
  • Viti 1921- Më 4 tetor krijohet Shoqata e Kryqit te Kuq Shqiptar (KKSH).
  • Viti 1922- Aprovohet Statuti i KKSH-së. Botohet Revista e tij. Shoqata merr përsipër “Strehën vorfnore”. Çdo vit këtu jetonin dhe mësonin me qindra fëmijë nga shtresat më të varfra të popullit. KKSH merr gjithashtu në patronazh Dispanserinë Qendrore, e cila ndihmoi mjaft refugjatët e ardhur nga vendet fqinjë.
  • Viti 1923- KKSH njihet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit te Kuq. Po atë vit bëhet anëtar i Ligës (sot Federatës) Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë kështu e 38-ta shoqatë e themeluar deri në atë kohë.
  • Viti 1926- Krijohet Këshilli Kombëtar i Kryqit të Kuq Shqiptar. Shoqata shtrihet edhe në rrethe të tjera të vendit. Ajo hap shkollën e infermiereve. Infermieret e përgatitura në këtë shkollë, zhvilluan një shërbim të gjerë falas për shtresat më të varfra.
  • Viti 1927- Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Francez, hapet Këshillimorja dhe pikat e shpërndarjes së qumështit për fëmijët e keq ushqyer. Veprimtaritë e KKSH mbështeteshin nga ndihmat që vinin nga populli, bamirës të ndryshëm, por dhe nga shqiptarët e diasporës dhe në veçanti, Amerika.
  • Vitet 1939 – 1944 Gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahas veprimtarive të tjera, veprimtaritë kryesore të Kryqit të Kuq Shqiptar, ishin krijimi i një Spitali fushor në frontin e luftës Italo-Greke, hapja e nje Zyre Kërkimi dhe ndihma për popullsinë e zhvendosur si pasojë e Frontit të Luftës Italo-Greke.
  • Viti 1945 – Në vitet e para të pasluftës, veprimtaritë e Shoqatës kishin të bënin me ndihma në ushqime, veshmbathje dhe atje ku mundej, edhe në të holla, për të gjithë ata që ishin dëmtuar më shumë nga lufta.
  • Ndërkohë, filloi interesimi për pleqtë e vetmuar dhe pa përkrahje, të cilët u vendosën nëpër azilet që u hapën në disa qytete kryesore të vendit.
  • Viti 1946 – U ngritën Kurset e ndihmës së shpejtë në qendrat e punës dhe kantieret e ndërtimit. Në hekurudhën Durrës – Elbasan, Kryqi i Kuq Shqiptar hapi një spital me 50 shtretër në ndihmë të vullnetarëve që punonin në ndërtimin e saj.
  • Viti 1947 U hap një çerdhe me 20 shtretër për të lehtësuar sadopak punën e grave, ndërkohë që hapet një azil pleqsh në Shkodër, një çerdhe në Korçë, si dhe pesë shtëpi fëmijësh jetimë me një kapacitet prej 750 vende.
  • Vitet 1950 – 1969 Pak nga pak Kryqi i Kuq Shqiptar filloi të vihet nën influencën e shoqatave me të njëjtin emër të vendeve të lindjes, duke humbur shumë nga veprimtaritë e mirëfillta të traditës, për t’u kthyer në një shoqatë propagande thjesht shëndetësore, plotësisht e varur nga shteti.
  • Më 22.05.1957, qeveria shqiptare dorëzoi pranë qeverise zvicerane instrumentet e ratifikimit të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949, të cilat shoqëroheshin nga rezerva të rëndësishme.

Pas vitit 1969, kur shteti mori realisht pjesën dërrmuese të veprimtarisë së Shoqatës, ndërpriten të gjitha veprimtaritë praktike dhe Kryqi i Kuq Shqiptar pushon së funksionari.

  • Vitet 1969 – 1990 Kryqi i Kuq Shqiptar nuk funksionon.
  • Viti 1989- Kryqi i Kuq Shqiptar rifillon sërish aktivitetin pas 22 vjetësh. Si një shoqatë e re, ajo krijon bazën e saj ligjore të plotë si dhe një strukturë organizative në forcim të vazhdueshëm.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar numëron 39 degë të shtrira në mbarë vendin. Ai ka arritur një zhvillim të mirë, duke u bërë shoqata humanitare më e madhe në vend. Aktualisht vepron në përmbushje të Planit Strategjik 2010-2015 në fushat e :

 

 Përhapjes së vlerave humanitare;
• Përgatitjes për ndërhyrje në raste fatkeqësish;
• Edukimit shëndetësor;
• Përkujdesjes sociale;
• Zhvillimit organizativ;
• Rritjes së qëndrueshmërisë financiare

21 Tetor 1921 – 21 Tetor 2021 Një shekull në shërbim.
  • Viti 1969 – Viti i pezullimit të veprimtarive të Kryqit të Kuq Shqiptar
  • Viti 1989 – Viti i lejimit të veprimtarive të Kryqit të Kuq Shqiptar

 

 

Pak e dinë se kryetari i saj ka qenë edhe Ahmet Zogu, që pas pak vitesh do të bëhej mbret. Në fotografi është thirrja e tij si kryetar drejtuar shqiptarëve, ku i fton të japin kontribut në dobi të shoqatës. Ballina e organit “Kryqi i Kuq”, numri 8, botuar nga organizata.

 

 

Kjo kartolinë e konceptuar pak pas themelimit të Kryqi të Kuq Shqiptar nga patrioti Spiridon Ilo, e bën Kryqin e Kuq Shqiptar pararojën e të gjitha nismave bamirëse në vendin tonë. Në të shkruhet: “Në përfitim të Kryqit të Kuq Shqiptar” dhe i drejtohej shqiptarëve me babin në Amerikë. Misioni i shoqatës nuk ishte vetëm ndihma e njerëzve në nevojë por dhe emancipimi kombëtar dhe ndërgjegjësimi mbi nevojën e ndihmës shëndetësore për më nevojtarët

Roca: Pandemia na mësoi se sa i rëndësishëm është aktivizmi i veprimtarëve vendorë

 

 

 

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesko Roka, po merr pjesë në një seri veprimtarish të vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Zoti Roka deklaroi për “Zërin e Amerikës” se pandemia e koronavirusit nxori në dukje se sa të rëndësishëm janë faktorët vendorë gjatë krizave globale.

Ai shtoi se sfida më e madhe është tani ndryshimi i klimës.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesco Roka, ka ardhur në Tiranë jo vetëm për të festuar me vullnetarët shqiptarë 100 vjetorin e Kryqit të Kuq Shqiptar, por edhe për të nxitur donatorët vendorë dhe ata ndërkombëtarë, që të mbështesin veprimtarët e krizave humane përmes shembullit mbresëlënës të Shqipërisë.

“Nga pikëpamja globale, një mësim që na ka mësuar Pandemia COVID është rëndësia e faktorëve vendorë. Kryqi i Kuq dhe shoqëritë e sotme janë një pasqyrë e komuniteteve. Shohim këtu kaq shumë të rinj që stërviten për të ndihmuar njerëzit, dhe në raste krizash ata janë të parët që veprojnë. Ndaj është e rëndësishme që ata të jenë të mirëtrajnuar, të mirëpërgatitur, ta njohin komunitetin dhe të dinë anët e fshehta të shoqërisë, ku shpesh fshihen nevojat më të mëdha dhe mendoj se kjo është diçka që ka ndodhur në gjithë botën” – u shpreh zoti Roka.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq theksoi se vullnetarët janë shumë të rëndësishëm për të krjuar besim brenda komunitetit, donatorët nuk do të mungojnë dhe do të japin mbështetjen për komunitetin.

“Sfida jonë më e madhe përpara janë ndryshimet klimaterike. Në shumë vende të botës njerëzit e kanë të vështirë të mbijetojnë dhe kjo sjell konflikte, tensione, dhunë e këto shndërrohen në varfëri, refugjatë dhe mungesë e gjërave bazike jetësore. Klima po ndikon çdo ditë pak nga pak dhe shqetësimi im më i madh është se në shumë vende të botës shoqëritë nuk e kuptojnë sa i madh është ky kërcënim për të ardhmen. Çdo familje mendon për të ardhmen e fëmijëve të tyre, por nuk mendojnë për ndryshimet klimaterike që do t’i ndikojë jetën në të ardhmen. Prandaj është koha të veprojmë tani. Për fat të keq ne kemi filluar t’i shikojmë rezultatet e saj në zhdukjen e ishujve në Paqësor e Caraibe, ciklone, uragane, zjarre dhe sa të shpeshta kanë filluar të jenë. Prandaj është koha të veprojmë tani përballë kësaj sfide kryesore” – thotë zoti Roka.

Kryqi i Kuq po punon të krijojë kushtet dhe besimin për të pasur donatorët, që mbështesin punën e organizatës, shtoi ai, duke veçuar Kryqin e Kuq Shqiptar si shembull shumë të mirë.

Një numër i madh të rinjsh nga gjimnazet janë tashmë vullnetarë të Kryqit të Kuq, duke u bërë pjesa më jetike, më e angazhuar dhe më energjike e kësaj organizate humanitare me një histori shekullore, duke garantuar të ardhmen e saj.

 

 

Kryqi i Kuq shqiptar 100 vjet nga themelimi, Meta e vlerëson me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”:

 

 

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” Kryqin e Kuq shqiptar në 100-vjetorin e themelimit.

 

Në fjalën e mbajtur, Meta tha se kjo organizatë ka shkëlqyer në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Ai theksoi se tashmë Kryqi i Kuq Shqiptar ka struktura të shtrira në gjithë vendin duke ndihmuar ata që janë në vështirësi dhe duke u bërë shembulli më i mirë ti forcës së vullnetarizmit, por edhe të humanizmit.

 

 

 

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Presidenti Meta vlerëson Kryqin e Kuq Shqiptar, në 100-vjetorin e themelimit, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

2 tetor 2021

Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Kryqit të Kuq Shqiptar, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi veprimtarinë e vyer dhe kontributet e pandërprera humanitare dhe fisnike të shoqatës me të vjetër në vend, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Në ceremoninë solemne të mbajtur në Pallatin e Brigadave, Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim, me motivacionin: “Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e spikatura fisnike dhe përkushtimin e vazhdueshëm 100-vjeçar në shërbim të njerëzve në nevojë. Në vlerësim të veprimtarisë së pandërprerë vullnetare dhe humaniste të dhënë për çështje të ndryshme si: mbështetja e shtresave më në nevojë; dhënia e ndihmës së parë; përgjigjja në raste katastrofash natyrore dhe njerëzore si dhe promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut.”

Në fjalën përshëndetëse para drejtuesve, anëtarëve, veprimtarëve dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, ambasadorëve, klerikëve dhe drejtuesve të bashkësive fetare, artistëve dhe intelektualëve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:

“I nderuar President i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq e të Gjysëmhënës së Kuqe, zoti Rocca,
I nderuar President i Kryqit të Kuq Shqiptar, zoti Alushi,
I nderuar Profesor Subashi,
Të nderuar anëtarë të Kryqi i Kuq Shqiptar,
Të nderuar ambasadorë dhe miq të komunitetit ndërkombëtar,
Të dashur vullnetarë dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar,

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Jam shumë i lumtur dhe nuk mund të mungoja sot në këtë event, për të festuar së bashku 100-vjetorin e themelimit të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Gjatë gjithë historisë së tij 100-vjeçare, kontributi i Kryqit të Kuq Shqiptar ka shkëlqyer në ndihmë të njerëzve në nevojë, veçanërisht në momentet më kritike.

Programet sociale, programet e shëndetit, programet për përgatitjen dhe përgjigjen në raste katastrofash, programet për rininë dhe edukimin humanitar, programet e ndihmës së parë, kanë pasur një impakt të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë, e sidomos për shtresat në nevojë dhe po kështu për të promovuar vullnetarizmin.

Programi i dhurimit vullnetar të gjakut, i shtirë në të gjithë vendin, ka luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e gjakut për fëmijët telasemikë dhe kategoritë e tjera të qytetarëve me këtë nevojë kaq jetike.

Po ashtu, ai ka rritur ndërgjegjësimin e të rinjve e të rejave sidomos, por edhe qytetarëve të thjeshtë të vendit tonë, për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë.

Shfrytëzoj këtë rast, të falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar, që ka qenë gjatë këtyre tre viteve një partner kyç i ‘Aleancës Për Dhurimin e Gjakut’, duke organizuar së bashku, shumë seanca dhe fushata për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë tonë, për nevojën e dhurimit vullnetar të gjakut edhe në këto dy vite kaq të vështira të pandemisë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Falë përkushtimit dhe frymës humanitare shembullore, Kryqi i Kuq Shqiptar, ka sot struktura të shtrira në të gjithë vendin, dhe përbëhet nga mijëra anëtarë dhe vullnetarë aktivë.

Ata kryejnë veprimtari të ndryshme humanitare në ekipe të specializuara, duke e bërë këtë organizatë prestigjioze, shembullin më të mirë të forcës së vullnetarizmit, por edhe të humanizmit në vendin tonë.

Vlerësimi i sotëm shkon në nderim dhe në kujtim të gjithë themeluesve, drejtuesve dhe vullnetarëve ndër vite, të cilët në periudhat më të vështira të shekullit të kaluar, u kujdesën për fëmijët e varfër dhe shtresat më në nevojë, përmes Strehës Vorfënore, Këshillimores, Shkollës së Infermiereve, hapjes së çerdheve, azileve dhe shtëpive të fëmijëve në qytetet kryesore të vendit.

Ky vlerësim shkon për të rinjtë, anëtarët, vullnetarët dhe stafin tejet profesional, të cilët me veprimtaritë e shumta humanitare, të kryera në situata emergjente, kanë ndihmuar me shpërndarjet masive të ndihmave, me mobilizimin e fuqishëm gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, me ndihmën e dhënë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe tashmë, në situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19.

Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë, që vazhdon të mobilizojë forcën e humanizmit të shoqërisë, duke dëshmuar pareshtur se: Njerëzit ndihmojnë njerëzit dhe se të gjithë ne mund të sjellim ndryshimin, por edhe të mbajmë gjithmonë gjallë buzëqeshjen!

Secili prej nesh mund të ndihmojë në përmirësimin e jetës së atyre që ndodhen në kushte më të vështira ekonomike dhe sociale.

‘Të ndihmosh pa pyetur se kë po ndihmon.’ – ka thënë Henry Dunant, themeluesi i Kryqit të Kuq.

Kryqi i Kuq Shqiptar e ka vënë në zbatim këtë përmes veprimtarisë së tij për një shekull, e do vazhdojë me përkushtim dhe profesionalizëm edhe në të ardhmen, duke u gjendur në krah të njerëzve më në nevojë, pa dallime sociale, fetare apo bindje të ndryshme.

Me rastin e 100-vjetorit të themelimit dhe në mirënjohje e vlerësim për gjithë kontributin fisnik të dhënë ndër vite dhe dekada, kam nderin t’i akordoj shoqatës humanitare më të vjetër dhe më prestigjioze në vendin tonë, Kryqit të Kuq Shqiptar, Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’!

Urime edhe në 100 vitet që vijnë!”

Më shumë

Kongresi Botëror i Kanabisit dhe e ardhmja e industrisë

Këtë vit shteti i Nju Jorkut legalizoi marijuanën për përdorim personal. Kjo industri pritet të rritet në mënyrë dramatike, duke sjellë fitime dhe vende pune.   Më shumë se 200 kompani që morën pjesë në Kongresin Botëtor të Kanabisit dhe Ekspozitën e Biznesit, po përpiqen të investojnë.   Brian Benjamin, zëvendës guvernator i […]

Spitalet po e përballojnë pandeminë me mungesa të shumta në mjekë e pajisje

Në Tiranë, Organizata Together for Life publikoi një raport mbi standardet minimale që u nevojiten spitaleve për të përballuar pacientët me COVID-19.   Nga monitorimi në 57 spitalet publike dhe private u zbulua një seri mungesash në stafe dhe në pajisje mjekësore gjatë pandemisë Covid.     Raporti theksoi se spitalet e Shqipërisë kanë […]

Në 2020-n, shqiptarët shpenzuan 72 milionë euro më shumë për shëndetin

Vitit 2020 ishte i jashtëzakonshëm, teksa pandemia ndikoi ndjeshëm shëndetin e popullatës dhe aktivitetin e ekonomisë.   Ndërsa vala e parë e virusit u arrit të frenohej si rrjedhojë e karantinës së fortë, në pjesën e dytë të vitit shumë familje dhe individë u gjendën përballë zgjidhjeve të vështira, ndërsa për shumë pasojat ishin […]

100 Vjet Kryqi i Kuq Shqiptar

Si sot, më 4 tetor 1921, u themelua Kryqi i Kuq Shqiptar. Është shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri. Ai është njohur zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në vitin 1923. Që nga ky vit është anëtar i Federatës (në atë kohë Ligës) së Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara