e mërkurë 20 janar 2021
e mërkurë 20 janar 2021

 

Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten se ka arritur marrëveshje me manastirin e Deçanit, për të përdorur rrugën që kalon nëpër Zonën Posaçme të Mbrojtur të këtij manastiri, gjatë ndërtimit të rrugës që lidhë këtë qytet me Plavën në Mal të Zi.

 

Punimet e kësaj rruge e cila kalon përreth manastirit mesjetar të Deçanit, u pezulluan gjatë muajit gusht të këtij viti, pas debateve të nxitura nga reagimi i igumenit Sava Janjiç nga ky manastir, i cili ngriti shqetësimin se punimet rrezikojnë manastirin dhe bien ndesh me ligjin e Kosovës për Zonat e Posaçme të Mbrojtura.

 

Në këtë njoftim thuhet se marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e ambasadorit Italian, Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi, duke nënvizuar se kësisoj “dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj”.

 

“Këshilli zbatues dhe monitorues, mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura ka miratuar kushtet e kësaj marrëveshjeje dhe kështu u është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për zbatim”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

 

Këshilli Zbatues dhe Monitorues u themelua në vitin 2008, në bazë të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura për të monitoruar dhe lehtësuar zbatimin e këtij ligji dhe ndër detyrat e tij është edhe ndërmjetësimi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës për sa i përket zbatimit të dispozitave të këtij ligji.

 

Në një njoftim të këtij këshilli thuhet se marrëveshja përfshin “zhvillimin e përnjëhershëm të një rruge ndërkombëtare jashtë kufijve të Zonës së Posaçme të Mbrojtur dhe një rruge tjetër lokale brenda kësaj zone”.

Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, tha përmes rrjeteve sociale se “kjo marrëveshje do të mbrojë manastirin nga ndërtimi i rrugës ndërkombëtare, e cila do të kalojë nëpër një rrugë alternative jashtë Zonës së Mbrojtur, dhe në anën tjetër do të lejojë rehabilitimin e rrugës ekzistuese brenda kësaj zone”.

 

“Procesi do të jetë i sinkronizuar dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare, kjo siguron zbatim të ligjit, për çka kisha jonë ka ngulur këmbë që nga fillimi”, shkroi igumeni Janjiç.

Ndërkaq kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se sipas kësaj marrëveshjeje, komuna e Deçanit “do të vazhdojë me rehabilitimin/shtrimin e rrugës së Gushavcit dhe asaj të Manastirit, në trasetë̈ e tyre ekzistuese, si rrugë lokale duke e përfshirë këtu edhe transportin e mallrave dhe kafshëve si nevoja të banorëve dhe familjeve që shfrytëzojnë bjeshkët përgjatë Grykës së Deçanit”.

 

Zoti Ramosaj tha se me këtë marrëveshje “i jepet fund një bllokade të paqenë të refuzimit të paarsyeshëm të ndërtimit të rrugës, duke hapur perspektivën ekonomike lokale, realizimin e lirisë̈ së lëvizjes për banorët e Deçanit posaçërisht, si dhe lidhjes ndërkombëtare ndër-shtetërore me Plavën”.

 

 

 

 

 

Ambasadori Italian në Kosovë, Nicola Orlando, shkroi në rrjetet sociale se ky “është hap i parë në drejtimin e duhur., tani të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për zbatimin e marrëveshjes. Italia qëndron e gatshme të jap ndihmën e saj”, shkroi ai.

 

Që para pezullimit të punimeve, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë ankuar shumë herë se autoritetet në Kosovë po shkelin disa prej të drejtave pronësore të saj të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Posaçme të Mbrojtura, siç është ndërtimi i kësaj rruge. Por kryetari i komunës, zoti Ramosaj ka thënë në vazhdimësi se rruga nuk është gjë tjetër veçse mundësi zhvillimi për komunën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. VOA

 

 

 

Më shumë

Kosova do të humbasë mbështetësin më të madh në Kongres

Kosova do ta humbasë mbështetësin e saj më të madh në Kongresin amerikan kur përfaqësuesi Eliot Engel të largohet në muajin janar, pas më shumë se tri dekadash në detyrë. Engel, demokrat, ka përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare […]

Busti i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut para Katedrales sё Prizrenit

Inaugurimi i bustit tё heroit kombëtar tё shqiptarëve Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në oborrin e Kishёs Katedrale ‘Zoja Ndihmëtare’ në Prizren nё praninё e autoriteteve fetare e qeveritare tё Kosovёs.   Nё ditёn e festёs sё Flamurit dhe nё pragun e Kohës së Ardhjes, më 28 nëntor 2020, Kisha dioqezane Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me […]

Kosova feston Ditën e Flamurit

Është ministre e Kulturës në Kosovë, ndërsa mban emrin e qytetit ku para 108 vjetësh u ngrit flamuri.     Vlora Dumoshi pikërisht sot ka ditëlindjen dhe jo rastësisht e ka këtë emër. Ndërsa në këtë datë me veshje kombëtare po pret valltarët e ansamblit Shota të cilët performuan para Ministrisë së Kulturës për […]

Vjosa Osmani do të shfuqizojë vendime të ish-presidentit Thaçi

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur, se do të shfuqizojë ato vendime të ish-presidentit Thaçi që bien ndesh me praktikat diplomatike. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tha të mërkurën se do të shfuqizojë të gjitha dekretet e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilat janë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara