Monday 29 May 2023
Monday 29 May 2023

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.

 

 

 

Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.”

 

Duke përshëndetuar kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti i Republikës theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!”

 

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh: “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja!

 

Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar!

 

Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor!

 

E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare!

 

 

 

Edhe pse në kohë të vështirë, brenda rregullave të pandemisë, ne nuk mund të mos e gëzonim këtë arritje të madhe të pasurisë sonë folklorike dhe etno- kulturore!

 

‘Festat e shqiptarit ndër shekuj kanë ngjarë shpesh si shkreptima gëzimesh në mes mynxyrash.’ – ka shkruar Kadareja për dasmat shqiptare në shekuj.

 

 

Prandaj sikurse thotë rapsodi:

 

Do t’ia marr siç merret kënga,

kënga shqiptare,

siç më ka mësuar Mëma,

Kthejani o male…!

 

 

 

Data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

 

Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.

 

Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.

 

 

 

Ndaj sot është një ditë e madhe përkujtimi dhe vlerësimi.

 

Në udhëtimin tonë të vështirë historik si popull dhe si komb, kur na mungonte dielli i lirisë, na ngrohte zjarri i polifonisë dhe kur prushi i saj përhapej fletë-fletë, gjenim aty brenda data, vite, vende, heronj dhe amanete. Gjenim në vargje historinë e popullit tonë!

 

Ashtu sikurse i ndrituri Lefter Çipa ka shkruar:

 

Nga kjo baltë e kësaj toke/

Merr një grusht e shtrydhe fort/

Pika gjaku do kullojë/

Luftën e madhe tregon.

 

 

 

Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën.

 

Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem.

 

Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot…’

 

Sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe.

 

Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi!

 

 

Një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta, Prof. Spiro Shetuni, Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.

 

Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.

 

Ata për të cilët Ismail Kadare thotë: ‘…se kënga polifonike e jugut nuk mund të ekzistojë veçse e rrethuar prej isos. Madje, kjo murmurimë kolektive, anonime, është ndoshta më e rëndësishme se vetë kënga.’

 

Pra isoja është mbështetje, aprovim, unanimitet. Me anë të isos, populli jep të drejtën për të vazhduar këngën. Me ndërprerjen e saj, ai e heq atë të drejtë.

 

Ne, si shqiptarë jemi me fat që kemi këtë traditë këndimi në grup, e cila para se të jetë thjeshtë muzikore është një pasqyrim i kodit të organizimit tonë shoqëror të jetës njerëzore dhe sigurisht i pluralizmit të të menduarit në të.

 

Kënga labe mbart në vetvete një model demokratik të sjelljes dhe të bashkëpunimit.

 

Në polifoni, ashtu si në demokraci dhe pluralizëm askush nuk duhet të pretendojë t’i imponohet tjetrit, por duhet të bashkëpunojë për qëllimin e përbashkët.

 

Ky është një mesazh i madh jo vetëm estetik e muzikor, por edhe një vërejtje ndaj sjelljes përjashtuese që ndjek sot elita politike në vendin tonë.

 

Sot është dita të falënderojmë edhe organizatën e UNESCO-s për këtë vlerësim të lartë që i bëri trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, pasi ky vlerësim ka sjellë një njohje dhe përhapje të mëtejshme në mbarë botën të saj!

 

Por mirënjohjen më të madhe e kemi për të gjitha ato personalitete tona, që me punën e tyre të jashtëzakonshme arritën të bindnin UNESCO-n dhe të kishin një nga fitoret më të mëdha në historinë tonë, sepse ka pasur edhe beteja që nuk i kemi fituar. Beteja të tjera do të kemi dhe duhet të përgatitemi më mirë për t’i fituar ato në të ardhmen, ashtu sikurse u fitua 15 vite më parë kjo betejë historike.

 

Në përfundim do të dëshiroja që vlerësimet morale të pasohen edhe me më shumë mbështetje në politikat kulturore, por edhe mbështetje financiare për grupet popullore dhe studimet për polifoninë, si dhe të ketë më tepër angazhime të institucioneve qendrore dhe vendore për realizimin e aktiviteteve që i kushtohen isopolifonisë, në mënyrë të veçantë edukimit të fëmijëve dhe të rinjve me dashurinë për polifoninë, në mënyrë që kjo këngë të vazhdojë të jetojë brez pas brezi.

 

Rroftë polifonia me iso e Shqipërisë dhe bartësit e saj të vjetër dhe të rinj!

E përjetshme kjo pasuri e rrallë dhe e papërsëritshme e kombit tonë!

Të nderuar qofshin ndër shekuj të gjithë ata që i dhanë asaj zërin, shpirtin dhe zemrën!”

 

 

 

Pershendetja e Lefter Çipes:

 

 

 

“Nderi i Kombit” eshte sherbestar i identitetit dhe trashegimise kombetare

 

Sot ndihem i nderuar e i vleresuar nga populli dhe kombi im qe Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij zoti Ilir Meta zgjodhi diten e madhe kombetare, 108 vjetorin e Shpalljes se Pavaresise te me nderoje me dekoraten e larte ” Nderi i Kombit”.

Falenderime dhe mirenjohje te perzemerta Presidenti Meta!

Ne keto dite te gjymtimit tim fizik, Ju personalisht me dhate nje kenaqesi te madhe jetegjate shpirterore, duke me nderuar ne Vloren time te Ismail Qemalit, me dekoraten e larte te nderimit.

Une e çmoj kete nderim, si vleresim dhe respekt shteteror ndaj kenges se Popullit tim, ndaj Poezise Shqipe, ndaj Fosforines Vençe Shqiptare (Polifonise), ndaj Himares dhe Laberise sime, artisteve te Popullit tim.

Une kam shume per te thene, por veçanerisht ne kete dite dua ta shpreh falenderimin dhe mirenjohjen time ne menyren e vjershetorit.

 

 

 

Vlora eshte pena qe shkruan

 

Na paska dhe Zoti mike

Mike mos me ardhsh pellua!

Vlora eshte pena qe shkruan.

 

Qe vjen nga ajo bote frike,

Mike mos me ardhsh pellua!

Vlora eshte pena qe shkruan.

 

Kjo corona titanike,

Mike mos me ardhsh pellua!

Vlora eshte pena qe shkruan.

 

Tek ne s’ben dot vdekja ligje

Mike mos me ardhsh pellua

Vlora eshte pena qe shkruan.

 

Se jemi komb i lirive,

Ndaj dhe kendojme Ismailçe!

Vlora eshte pena qe shkruan!

 

Lefter Çipa

Vlore me 28 Nentor 2020

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Më shumë

Promovohet studimi monografik “Banda kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane” e autorit akad. Vasil S. Tole

Monografia “Banda Kombëtare Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane e autorit akademik Vasil S. Tole, që i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me Kongresin e Lushnjes, u promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. […]

“Western Balkans Youth Orchestra”: Orkestër e re kundër konflikteve të vjetra

Ata vijnë nga vende që përpara 30 vjetësh luftonin brutalisht njeri-tjetrin. 25 të reja e të rinj takohen tani në turne koncertesh për të bërë muzikë së bashku. “Western Balkans Youth Orchestra” nis turneun e koncerteve.   Ata të gjithë janë fëmijë të luftës, të të ashtuquajturave „luftëra të Jugosllavisë”. Tani ata takohen për […]

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, me më shumë se 200 tituj

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021.   I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar […]

Zbulohet stera 2300-vjeçare në sitin arkeologjik të Bylisit

Neritan Ceka: I përket shekullit III para Krishtit. Stera është e gjatë 50 metra dhe e thellë 8 metra dhe e mbuluar nga një sistem harqesh. Kërkimet arkeologjike në Bylis kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave, kryesuar nga Neritan Ceka. Skënder Muçaj: Janë zbuluar dhe objekte të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara