e mërkurë 19 janar 2022
e mërkurë 19 janar 2022

 

 

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Kosovë po përgatiten të hapin një muze që do të mbajë përjetimet e fëmijëve të luftës së viteve 1998-1999 dhe po atyre kërkojnë të dërgojnë gjëra personale që i kishin në atë kohë dhe të ofrojnë rrëfime nga fëmijëria e tyre.

 

Ilir Hajdini ishte vetëm 11 vjeç në prill të vitit 1999 kur familja e tij u largua nga fshati Bellopojë,  në verilindje të Kosovës, pas fillimit të bombardimeve.

 

Rreth një javë para kësaj, NATO-ja kishte filluar sulmet ajrore që synonin ta detyronin presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviç, të tërhiqte forcat  nga Kosova. Por Millosheviç e intensifikoi fushatën kundër guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilëve shqiptarë, duke shkaktuar një eksod masiv.

 

Edhe pse jo ende adoleshent, Hajdini kishte mësuar të ngiste traktorin e familjes në oborrin e shtëpisë së tij në Bellopojë të Podujevës, kur të afërmit e tij më të rritur nuk ishin rrotull.

 

Kjo aftësi doli të ishte jetësore në luftë kur ai u gjend në një situatë ku ishte i vetmi që mund ta drejtonte traktorin për familjen që po largohej nga sulmet serbe.

 

“Në atë skenar lufte, nuk kishte zgjidhje tjetër. Askush nga të rriturit nuk mund ta ngiste traktorin atë ditë, kështu që unë u desh ta vozisja nëpër shumë disa fshatra dhe zona malore”, tregon Hajdini për BIRN.

 

Shumica e atyre që mbetën pas, përfshi edhe disa të afërm të tij, u vranë dhe trupat e tyre u hodhën në bunare.

 

“Për disa ditë me radhë sa herë bënim ndonjë ndalesë, përpiqesha të lexoja. Mundohesha ta largoja mendjen nga historitë e njerëzve të vrarë e të hedhur në puse”, kujton ai.

 

Hajdini tani profesor i Menaxhimit Strategjik Ndërkombëtar në Universitetin e Vjenës, dëshiron t’ia dhurojë Muzeut të Fëmijërisë së Luftës librin që kishte lexuar në luftë, romanin, “Hasta la Vista”, të shkrimtarit shqiptar, Petro Marko,  që flet për Luftën Civile spanjolle në vitet 1930.

 

Muzeu që pritet të hapet këtë vit në Prishtinë është një nismë e  organizatës Youth Initiative for Human Rights,  (Iniciativa Rinore për të drejtat e Njeriut) dhe mbështetet nga USAID, dhe do të përfshijë dëshmi, gjëra personale dhe ditarë të atyre që ishin fëmijë gjatë luftës, duke treguar ndikimin që patën këto përjetime në jetën e tyre.

 

“Ky do të jetë një muze i një brezi që përjetoi luftën dhe do të hedh dritë në një prej aspekteve më të errëta të kujtesës kolektive”, thotë për BIRN Marigona Shabiu , drejtoreshë ekzekutive e YIHR.

 

“Muzeu gjithashtu ka qëllim edukativ, të kontribuojë në të kuptuarit më shumë të dimensionit të luftës për shoqërinë në tërësi”, shtoi ajo.

 

“Njerëzit mund të mësojnë të vërtetën personale”

Marigona Shabiu e Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut, e cila po organizon projektin e muzeut. Foto: Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

 

 

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës së Kosovës vjen pas një ekspozite të vitit 2019 në Prishtinë të titulluar “Na ishte një herë që mos qoftë kurrë”, e cila ekspozoi fotografi dhe sende personale: rroba, këpucë, lodra, fletore dhe çanta shkollore të mbi 600 fëmijë të vrarë gjatë luftës.

 

Muzeu i ri pritet të hapet brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe deri më tani janë mbledhur dhjetëra gjëra personale nga i gjithë vendi dhe janë regjistruar shumë orë audio me dëshmi që dokumentojnë përvojat e fëmijëve të nacionalisteve të ndryshme gjatë luftës.

 

“Duke lexuar historitë e tyre dhe duke parë gjërat që ata kishin përdorur në kohën e sulmeve, zhvendosjes ose strehimit në kampet e refugjatëve, njerëzit mund të mësojnë të vërtetën personale në lidhje me luftën”, thotë Shabiu.

 

Ajo thekson se muzeu i ri mund të kontribuojë në ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, në një shoqëri ku në raportet ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve janë ende të tejet të vragshme.

 

“Besoj që historitë e fëmijëve për atë që ne përjetuam si shoqëri do të ndihmojnë në afrimin e njerëzve. Ato nxjerrin në pah gjëra të cilave nuk u është dhënë aq hapësirë më herët, si për shembull, historitë se i një fqinj serb ndihmoi një fqinj shqiptar ose anasjelltas”, thotë ajo.

 

Për më shumë se dy dekada që nga përfundimi i luftës, përkujtimi i saj në Kosovë është dominuar kryesisht nga një diskurs dhe figura të heroizmit të kohës së luftës dhe glorifikimit të guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u vranë derisa luftonin për liri nga sundimi serb, gjë që ka lënë më pak hapësirë për të mësuar për vuajtjen e viktimave civile të luftës dhe për të njohur traumat e tyre që vazhdojnë ende edhe sot.

 

“Shumë prej fëmijëve të asaj kohe e kanë ende të vështirë të përballen me traumën e luftës, veçanërisht ata që kanë humbur familjarët e tyre ose që kanë përjetuar vetë mizoritë e luftës”, tha Shabiu.

 

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara