e martë 22 qershor 2021
e martë 22 qershor 2021

 

 

Në 175-vjetorin e lindjes së poetit rilindës Naim Frashëri, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike kanë organizuar sot më 21 maj veprimtari shkencore në nderim të veprës së tij letrare dhe atdhetare.

Me këtë rast Akadmeia e Shkencave ka çelur të parën veprimtari  në rendin e një vargu veprimtarish që ka parashikuar të zhvillojë këtë vit në jubileun e lindjes së kësaj figure emblematike të Rilindjes Kombëtare, që gjatë këtij viti do të ndiqet nga konferenca e botime të tjera, veprimtari nderimi dhe studimi.

Në fjalën e hapjes së veprimtarisë akad. Skënder Gjinushi Kryetar i Akademisë së Shkencave tha se Naim Frashëri dhe Jeronim de Rada janë dy figurat më të rëndësishme të shekullit të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Rreth tyre bashkohen të gjithë: poetë, mendimtarë, publicistë, kryengritës. Naim Frashëri është ndër figurat e rralla që nuk është kontestuar gjatë gjithë historisë së jetës dhe veprës së vet.

Akad. Gjinushi tha më tej se Naim Frashëri i erdhi Shqipërisë si një projekt ardhmërie. Dhe nuk erdhi nga boshi. Ajo u parapri nga  ideologjia e shekullit të 18-të, që tek arbëreshët u quajt albanesità, gjatë së cilës emri Shqipëri dhe emri shqiptar u përgjithësuan ndër tërë bashkatdhetarët, për të kulmuar me shprehjen lapidar për vendin e tyre prej Naim Frashërit: “Ti Shqipëri më jep nder/ më jep emrin shqipëtar”.

“Imazhi i Shqipërisë ekziston në shumë forma: ka një Shqipëri politike, ka një Shqipëri ekonomike, një Shqipëri zakonore, një Shqipëri gjuhësore. Por Shqipëria më e bukur është Shqipëria letrare dhe midis Shqipërive letrare ajo e Naimit është shkëndijuese, po aq shkëndijuese sa edhe Arbëria e lavdisë së epokës së Gjergj Kastriotit në poemat e De Radës.”, tha akad. Skënder Gjinushi.

Fjalë përshëndetjeje mbajti edhe Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i bektashinjve. Ai tha se “Kur në prag të shekullit të njëzetë, mendimi i burrave të mëdhenj të viseve Shqiptare kish nisur të sendërtohej, shumica prej tyre e kthyen vështrimin nga Frashëri, nga ai vend-simbol i vetëdijes sonë nacionale. Shtëpia historike e vëllezërve Frashëri, por edhe teqeja e bekuar e bektashinjve, ishin shndërruar në Mekën e Shqiptarëve, në yllin polar prej nga mund të orientoheshin ende pa dalë prej natës së gjatë otomane. Koha që erdhi më pas, vërtetoi katërcipërisht se të dy këta objekte, mbetën të Shenjtë dhe të gjallë në memorien e kombit tonë.

Prej derës së madhe të Frashëllinjve, do të dilte një ditë maji si kjo e sotmja, 175 vjet më parë, Naimi ynë, rilindasi, filozofi, atdhetari, mendimtari, shërbëtori i gjuhës dhe kuvendimit shqip. I mësuar prej prindërve me dashurinë për atdheun, i edukuar nga baballarët e teqesë me ndjenjat e kulluara të devocionit ndaj Krijuesit, por edhe ndaj gjuhës shqipe, ky dijetar i madh, do të shpërfaqte më pas jo thjesht korpusin e veprave të tij letrare, por edhe vizionin e vendit ku lindi, në kontekst të rrjedhave dhe dramave ballkanike.

Vepra e tij letrare, mbajti pezull frymën e asaj gjenerate kur u krijua, sepse ishte e orientuar nga vlerat më tradicionale të kombit, sepse bënte thirrje për zgjim përmes dijes, sepse ngrihej mbi ndasitë e importuara prej relikeve të religjioneve që kaluan mbi Shqipëri, sepse u kujtonte të gjithë bashkëkombasve të vet, të ndiheshin krenarë për origjinën e tyre.”

Akad. Pëllumb Xhufi Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (ASH) në kumtesën e tij “Naim Frashëri dhe vizioni i tij i hapjes dhe i tolerancës” e cilësoi këtë rilindas të shquar si novatorin më të madh në traditën e letrave shqipe dhe atdhetar të madh e humanist me vizion europian.

Prof. as. dr. Abdulla Rexhepi kumtoi për tri veprat e reja të Naim Frashërit në gjuhën turke – osmane, të cilat kanë qenë të panjohura deri më sot.

Të tjera kumtesa sollën për audienëcn një portret të plotësuar të rilindësit Naim Frashëri:

Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar mbajti kumtesën “Miti dhe historia në veprën e Naim Frashërit”;

Prof. dr. Begzad Baliu (Kosovë) – Misioni i Naim Frashërit në veprën e Profesor Rexhep Qosjes;

Shahin Emërllahu, poet (Maqedoni e Veriut) – 25 vjet me “Ditët e Naimit”;

Mehmet Gëzhilli, botues – Autorët e huaj për Naim Frashërin Nuri Çuni (Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve) – Fletore e Bektashinjve të Naim Frashërit.

 

 

Më shumë

“Shtëpia me Gjethe” përkujton martirin e krishterë, Imzot Jul Bonatin

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtojmë sot martirin e krishterë, Imzot Jul Bonatin i burgosur nga diktatura komuniste.   Jul Bonati lindi në Shkodër më 24 maj 1874. Imzot Jul Bonati studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Vjenë, Austri dhe në Padova, Itali. Më […]

Dita Ndërkombëtare e Muzeve – Çelet në Berat ekspozita “Thesare të risjella në jetë”

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Qendra Muzeore Berat, hapi ekspozitën e titulluar “Thesare të risjella në jetë”, një pavijon i ri për vizitorët.   Kreu i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se është një koleksion ikonash dhe objektesh një pjesë e tyre të pa ekspozuara më parë, të cilat prej 7-8 […]

Dita Ndërkombëtare e Muzeve – Koçi: Sfida kryesore e muzeve tanë është ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë

Sot, në kuadër të 18 majit, “Ditës Ndërkombëtare të Muzeve”, Muzeu Historik Kombëtar organizoi takimin me temë “E ardhmja e Muzeve: Rimëkëmbja dhe përfytyrimi”. Në aktivitet qenë ftuar muzeologë, të cilët diskutuan mbi të ardhmen e rrjetit muzeor në vend, si edhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin sa më të mirë të […]

40 – vjetori i Demonstratave të Prishtinës, ekspozita “Vullkani i Kosovës” në Pazarin e Ri në Tiranë

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë janë një moment kyç në historinë e Kosovës dhe në këtë 40 – vjetor, Angjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka realizuar këtë ekspozitë. Pas Prishtinës, saktësisht aty ku nisën demonstratat dhe çeljes së saj në disa qytete të Kosovës, 4 dekada kthese në historinë e […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara