e hënë 19 prill 2021
e hënë 19 prill 2021

 

Duke nisur nga sot, për tri ditë në Kosovë shënohet 23-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Më 5, 6 dhe 7 Mars në vitin 1998 është zhvilluar njëra ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së kundër agresionit ushtarak të ish-Jugosllavisë.

 

Forca të shumta serbe sulmuan familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe pas një rezistence të fortë, në Prekaz u vranë 55 persona ku më shumë se 20 prej tyre ishin fëmijë dhe gra.

 

Ndër të rënët ishin komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari, vëlla i tij Hamëz Jashari dhe babi i tyre, Shaban Jashari. Sakrifica e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, në Kosovë vlerësohet si kthesë e madhe qe i dha zgjidhje çështjes së Kosovës.

 

 

 

FSK-ja parakaloi ushtarakisht në përvjetorin e 23-të të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

 

 

Në kazermën “Adem Jashari“ të FSK-së në Prishtinë, sot u shënua 23 vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në organizimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës. Manifestimi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij të Republikës së Kosovës, si dhe me vendosjen e kurorës me lule në obeliskun e UÇK-së, nga presidentja në detyrë Vjosa Osmani, kryeministri Abdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Bekim Jashari, djali i dëshmorët Hamëz Jashari. Në manifestim morën pjesë: Presidentja në detyrë, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, ministri në detyrë i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme e MM-së, znj. Rozafa Ukimeraj, përfaqësues të familjes Jashari, z. Bekim Jashari, ministra dhe zëvendësministra në detyrë të Kosovës, ambasadorë dhe atashe ushtarak të akredituar në Kosovë, ish – ministrat e Mbrojtës dhe ish komandantët e FSK-së, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së, zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

 

 

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj, në manifestimin qendror të Epopesë së UÇK-së, ndër të tjera tha: “Të dashur ushtarë të forcës po e shënojnë sot këtë përvjetor të epopesë në kazermën që mbanë emrin e komandantit Adem Jashari sepse ai është fryma, është ideja dhe është shpirti i forcës sonë, i forcës sonë të sigurisë, i ushtrisë sonë. Sot ju bartni mbi supe përgjegjësinë e sigurisë për qytetarët tanë për shtetin tonë. Ju e keni dëshmuar se keni kapacitete jo vetëm për ta transformuar FSK-në në ushtri, por edhe për ta bërë krenar vendin tonë Kosovën, brenda dhe jashtë vendit. Sikurse Adem Jashari dikur, sot ju keni përpara misionin fisnik që ta ruani Kosovën, që ajo të mbetet një dhe e tërë, që ajo të mbetet e përhershme, sikurse dedikimi juaj dhe i yni njëkohësisht”.

 

 

Ndërsa, në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, duke iu drejtuar ushtarëve të Kosovës, pos tjerash tha: „Të nderuar ushtarë të Kosovës, me besnikërinë ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës, FSK-së dhe eprorëve tuaj, duke bartur uniformën e FSK-së, ju jeni duke përmbushur një detyrë të lartë, atë të mbrojtjes së atdheut për të cilin sakrifikuam aq shumë si popull. Ju sot po avanconi, po stërviteni e po operoni në mbrojtje të atdheut, për të mbështetur autoritetet qendrore e lokale. Unë ju them të vazhdoni në këtë formë, të ndihmoni qytetarët pa dallim, si dhe të jeni të gatshëm për të kontribuar fuqishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin kudo në botë“.

 

 

Ndërsa, Bekim Jashari- djali i dëshmorit Hamëz Jasharit, duke nderuar gjakun e gjithë të rënëve për liri, gjatë fjalës së tij, pos tjerash tha: “Sot në 23 vjetorin e epopesë kujtojmë dhe nderojmë luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Sakrificën e invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve e martirëve dhe gjithë ata qe kontribuuan për lirinë e Kosovës, janë ata që shkruajtën historinë tonë të lavdishme, është vepra dhe heroizmi i tyre unik ai që vendosi të ardhmen e Kosovës. Sakrifica shekullore e popullit tonë, lufta dhe gjaku i derdhur ndër shekuj është bazamenti i shtetit tonë demokratik të ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, pra shtetin që e krijuam falë atyre, që nuk kursyen as jetën, tani e kemi amanet që ta duam e ta zhvillojmë”.

 

Manifestimi i 23-të i Epopesë së UÇK-së, u përmbyll me parakalimin e kuadrateve të FSK-së dhe me ekzekutimin artistik të Orkestrës Frymore të FSK-së.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Më shumë

22 vite nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Sot mbushen 22 vite kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Në 24 mars të vitit 1999, NATO filloi bombardimet kundër ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Këto bombardime zgjaten 78 ditë. Si rezultat i këtyre bombardimeve, Sllobodan Millosheviç, “Kasapi […]

FSK nis misionin e parë jashtë vendit  

Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin e parë paqësor jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt, të martën u cilësua si ditë historike nga udhëheqësit politikë në Kosovë.   Në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësor jashtë vendit, ushtruesja […]

Dyzet vjet nga demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

Një revoltë studentësh të Universitetit të Prishtinës në fillim marsit të vitit 1981, për pak ditë u shndërrua në një lëvizje në shkallë të gjerë dhe pranvera e atij viti ishte periudhë demonstratash të mëdha, në të cilat u kërkua që Kosova të kishte statusin e Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave.   Pas […]

Anulohen votat e boshnjakëve të fituara në komunat me shumicë serbe në Kosovë

PZAP-ja konstatoi se votat e disa partive boshnjake e rome të fituara në zonat me shumicë serbe janë të pavlefshme, se nuk mund të sigurohet përfaqësimi i garantuar i një komuniteti me votat e një komuniteti tjetër.   Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në komunat […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara