e premte 3 dhjetor 2021
e premte 3 dhjetor 2021

 

Si sot, 40 vjet më parë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi e shumë të tjerë.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV p.e.s dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

 

 

 

Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot, veprimtarinë jubilare në 40-vjetorin e inaugurimit të tij, çeljen e Konferencës Ndërkombëtare Muzeuologjike “Muzetë Përtërijnë të Ardhmen” dhe ekspozitës “Kur ndërtohej Muzeu Historik  Kombëtar”.

Në ceremoninë jubilare të Konferencës Ndërkombëtare Muzeuologjike “Muzetë Përtërijnë të Ardhmen”, në kuadër të 40-vjetorit të inagurimit të Muzeut Historik Kombëtar, ishte një panel i zgjedhur i përbërë nga: Znj.Elva Margariti, Ministre e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, Sekretari Shtetit i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Valmir Aziri, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, z.Skënder Gjinushi si dhe shumë studies, historianë, muzeologë dhe dashamirës të muzeologjisë, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi u shpreh se: “Është një kënaqësi e veçantë që sot kremtojmë 40-vjetorin e përurimit të Muzeut Historik Kombëtar, përvjetor ky që i paraprin vitit 2022, i cili përkon dhe me 100- vjetorin e themelimit të Muzeut Historik Kombëtar. Ka ardhur momenti i përshtatshëm për të promovuar rrjetin kombëtar të muzeve, që do të shërbejë si rregullator i sistemit të muzeologjisë shqiptare. Me interes të veçantë do të ishte një mbledhje vjetore e muzeologëve, e cila konsiston në shkëmbimin e përvojës profesionale në menaxhimin, restaurimin, ekspozimin e objekteve muzeale. Këtë vit kjo konferencë shkencore do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, por me krijimin e rrjetit muzeal qëllimi ynë është që  konferencat të zhvillohen në vendet e rajonit në muzetë e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi etj. Ju falenderoj për vëmendjen”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti u shpreh se: “Pa kujtesë nuk ka kulturë; pa kujtesë nuk mund të ketë qytetërim, shoqëri, të ardhme”. Kështu thoshte Elie Wiesel, Nobelisti për Paqen dhe një i mbijetuar Holokaustit, që ashtu si At Zef Pllumi jetoi për të treguar, gjithçka për të cilën ai ishte dëshmitar. Sot jemi në 40-vjetorin e Muzeut Historik Kombëtar, këtij institucioni me një rëndësi të veçantë në rrëfimin e rrugëtimit të shqiptarëve në rrjedhën e historisë; një nga destinacionet më të rëndësishme të vizitorëve shqiptarë e të huaj, që duhet të jetë lider në fushën e muzeologjisë shqiptare. Me hapa gradualë po sjellim ndryshimin: Po restaurojmë mozaikun simbolik në ballinën e ndërtesës, kemi lehtësuar aksesin e vizitorëve përmes biletarive elektronike, online, audioguidave, ndërsa i kemi hapur dyert debatit konstruktiv mbi historinë dhe muzeologjinë”.

Në këtë përvjetor jubilar Z.Valmir Aziri, Sekretari Shtetit i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në fjalën e tij u shpreh se: “Jam shumë i nderuar që jam sot pjesë e aktivitetit kushtuar 40-vjetorit të inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar, i cili në zemër të kryeqëndrës shqiptare është një thesar i jashtëzakonshëm i memories sonë kolektive të cilat vijnë që nga lashtësia, vlerat më sublime të kombit tonë. Ky Muze përbën një nga faktorët më dominant të ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave tona kombëtare nga brezi në brez dhe si i tillë meriton një vëmendje të theksuar jo vetëm nga institucionet shtetërore por dhe më gjerë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet si i ftuar nderi në këtë event, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Prof. Dr. Skënder Gjinushi u shpreh se: “40-Vjetori i themelimit të Muzeut Historik Kombëtar është një datë jubilare jo vetëm për kulturën dhe shkencën shqiptare por dhe gjithë shoqërinë dhe vendin tonë. Kam kënaqësin që në emër Akademisë së Shkencave të uroj gëzuar këtë përvjetor të shënuar dhe të shpreh bindjen se ai do të jetë gjithnjë në lartesinë që i takon si kryeqendra e memories së një populli me histori të lashtë dhe me një qytetërim me një identitet kulturor dhe gjuhësor ndërkombëtar të veçantë”.

Përgjatë ceremonisë së veprimtarisë jubilare në 40-vjetorin e inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, prezantoi:

  • Shoqatën “Miqtë e Muzeut Historik Kombëtar”, e cila ka si objekt veprimtarie, Mbështetjen e Programeve kryesore të zhvillimit të Muzeut Historik Kombëtar, nëpërmjet kontributeve, sponsorizimeve, dhe trashëgimive të lëna nga anëtarët e saj, Fondacioni Miqtë e Muzeut siguron një fond vjetor për të pasuruar koleksionet e muzeut, për publikime, aktivitete të ndryshme, etj.
  • Shpërndarja e Diplomave të Mirënjohjes, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ndihmesën dhe kontributin e dhënë në konceptimin, përmbajtjen, si edhe në ecurinë e Muzeut Historik Kombëtar gjatë 40 viteve, si institucioni më i madh muzeor në vend. Këto diploma mirënjohjeje shkuan për: Selim Islamin, Moikom Zeqon, Luan Malltezin, Nina Shehun, Fisnik Pulajn, Enver  Kushin, Tatjana Alimeman, Robert Koten, Grigor Kondurin, Sotirulla Hoxhan, Fatmir Haxhiun, Kleanthi Deden, të cilët përshendetën të emocionuar si dhe falenderuan organizatorët për mirënjohjen dhe respektin e shfaqur karshi kontributit të tyre gjatë 40 viteve.
  • Shfaqja e dokumetarit me titull “Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar”, i cili pasqyroi për të pranishmit zanafillën e projektimit dhe realizimin e interierit dhe të përmbajtjes së “Muzeut Historik Kombëtar”, ku kanë punuar dhe kontribuar grupe pune për çdo periudhë historike të përbërë nga: historianë, arkitektë, piktorë, fotografë, maketistë etj.
  • Çelja e ekspozitës në kuadër të 40-vjetorit të inagurimit të Muzeu Historik Kombëtar me titull “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar”, e cila përmban fotografi të protagonistëve të atyre viteve e shoqëruar me dokumente arkivore.

 

 

 

Më shumë

Historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë “Shoah” do të mësohet me të njëjtin tekst në të gjitha shkollat e mesme në Izrael, Shqipëri e Kosovë

-Teksti është ndërtuar mbi bazën e përvojës së shpëtimit të tyre në Shqipëri-     Ambasada e Izraelit në Tiranë organizoi përurimin e tekstit të mësuesit dhe nxënësit “Mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit (Shoah)”. I pranishëm në ceremoninë e përurimit Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi. Përurimi u bë me praninë e […]

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, me më shumë se 200 tituj

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021.   I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar […]

Zbulohet stera 2300-vjeçare në sitin arkeologjik të Bylisit

Neritan Ceka: I përket shekullit III para Krishtit. Stera është e gjatë 50 metra dhe e thellë 8 metra dhe e mbuluar nga një sistem harqesh. Kërkimet arkeologjike në Bylis kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave, kryesuar nga Neritan Ceka. Skënder Muçaj: Janë zbuluar dhe objekte të […]

“Mesdheu”, një film për krizën e emigrantëve në Evropë

“Mesdheu”, një film bazuar në një histori të vërtetë që tregon se si u shpëtuan më shumë se 62 mijë emigrantë në detin Mesdhe u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Romë.   Filmi artistik spanjoll tregon se si Oscar Camps, një qytetar katalanas dhe aktivist me një anije të vogël filloi […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara