e shtunë 29 janar 2022
e shtunë 29 janar 2022

Çdo Kontroll Mjekësor Bazë mbi targetin e përcaktuar prej 475 mijë qytetarësh/vit, ka kosto zero për shtetin

“Targeti i vendosur prej 475 mijë qytetarësh për kryerjen e Kontrollit Mjekësor Bazë është kapërcyër me mbi 7700 qytetarë, që do të thotë që për secilin prej qytetarëve që janë mbi targetin e vendosur, Kontrolli Mjekësor Bazë ka kosto zero për shtetin dhe paguhet nga koncesionari”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila konfirmoi se viti 2019 është viti i parë që është kapërcyer targeti dhe janë 482,711 qytetarë që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë.

“Përgjigja e qytetarëve që gjithnjë e më shumë i besojnë këtij programi parandalues, i cili ka sjellë dobi të jashtëzakonshme për ruajtjen e shëndetit të popullatës, është përgjigja më e mirë për të gjithë skeptikët”, tha Manastirliu.

Rezultatet që ka prodhuar Kontrolli Mjekësor Bazë janë shumë të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve, uljen e invaliditetit dhe mortalitetit nga sëmundjet kronike.

Të dhënat tregojnë se në rang kombëtar 26.2% e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë kanë vlera të larta të Kolesterolit që rrezikojnë të preken nga probleme të enëve të gjakut, zemrës dhe trurit nëse nuk ndryshojnë stilin e jetesës. Në rang kombëtar 14.5 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë pre-diabetik ndërsa 8.6 % janë me diabet. Rezulton se 13.4 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë anemik; 6.73 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë rezultojnë me rritje të vlera të larta të enzimave të mëlcisë.

Prej Prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç. Rreth 13% më shumë qytetarë krahasuar me vitin 2018 e kanë kryer këtë kontroll. Prej fillimit të këtij programi janë më shumë 1 milion e 797 mijë kontrolle mjekësore bazë të kryera nga qytetarët. Aktualisht ka dyfishim të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë që nga viti 2015. Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, programi i Kontrollit Mjekësor Bazë konsiderohet kosto-efektiv për Shqipërinë, ku vihet re një rritje e sëmundshmërisë kronike, ndërsa popullata ka ende kulturë të ulët shëndetësore.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara