e mërkurë 8 dhjetor 2021
e mërkurë 8 dhjetor 2021

 

Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan ndërsa udhëheqësit e vendeve të NATO-s mblidhen të hënën në Bruksel. Takimi i zotit Biden me udhëheqësin turk po pritet me shumë vëmendje ndërsa disa vëzhgues ngrenë pyetjen nëse Turqia mund të shihet ende si një aleat i besuar i NATO-s dhe një partner për sigurinë.

 

Një mbështetës i kahershëm i NATO-s, Presidenti Biden zgjodhi Evropën si destinacionin e tij të parë jashtë vendit. Vëzhguesit po ndjekin nga afër atë që pritet të jetë një takim i tensionuar midis presidentit amerikan dhe homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan.

 

Dy udhëheqësit kanë shkëmbyer retorika të ashpra kohët e fundit, ndërsa zoti Biden e quajti Erdoganin “autokrat” gjatë fushatës presidenciale, dhe Erdogani tha muajin e kaluar se Bideni i ka “duart e përgjakura”, duke theksuar mbështetjen e udhëheqësit amerikan për Izraelin në konfliktin e Gazës.

 

I pyetur në lidhje me blerjen e debatueshme nga Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, të sistemit të mbrojtjes raketore ruse S-400 në 2019, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u shpreh kështu:

 

“Kurrë nuk kemi lënë të kuptohet se jemi të gatshëm të pranojmë zotërimin e sistemit S-400 nga Turqia. Bie ndesh me statusin e Turqisë si një aleate e NATO-s.”

 

Disa ekspertë të politikës së jashtme thonë se prej vitesh, Erdogani nuk ka vepruar sikur Turqia dëshiron të mbetet një aleat i besuar në NATO. Bradley Bowman është me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Teams.

 

“Një aleat nuk blen një sistem të mbrojtjes nga raketat nga kërcënuesi kryesor i aleancës, Rusia. Kjo nuk bëhet. Të gjithë iu lutëm Ankarasë dhe Erdoganit që të mos e bënin këtë, dhe ata anashkaluan shqetësimet tona.”

 

Doug Bandow i Institutit CATO thotë për Zërin e Amerikës se Uashingtoni duhet të shqyrtojë lidhjet me Turqinë.

 

“Turqia nuk luan më rolin që ka luajtur dikur. Fakti që Turqia dikur ishte një aleat shumë i rëndësishëm strategjik nuk do të thotë se ajo ende është. Amerika dhe anëtarët e tjerë të NATO-s duhet të shtrojnë pyetjen, a po luan Turqia ende atë lloj roli? ”

 

Analistë të tjerë nënvizojnë shtypjen e kundërshtarëve politikë nga ana e Erdoganit, duke thënë se kjo bie ndesh me parimet thelbësore të NATO-s, ku përfshihet zbatimi i ligjit dhe liria e shtypit. Rachel Ellehuus me Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare foli për Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

 

“Besoj se do të ketë një shtytje të fortë nga Shtetet e Bashkuara për të ringjallur fokusin tek këto parime, jo sepse ato janë një qëllim në vetvete, por sepse ekziston një lidhje midis respektit për ato vlera dhe parime dhe mënyrës se si kundërshtarët tanë përpiqen të kërcënojnë kohezionin politik të NATO-s.”

 

Disa analistë të tjerë mendojnë se presidenti turk është i etur për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara dhe mund të jetë duke konsideruar një rol të dobishëm ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja përgatiten të tërheqin forcat e tyre ushtarake nga Afganistani. Max Hoffman është me Qendrën për Përparimin Amerikan.

 

“Ka bisedime mes Amerikës, Turqisë dhe NATO-s rreth forcave turke që sigurojnë aeroportin e Kabulit në Afganistan. Pas tërheqjes së NATO-s, mund të shohim një lloj njoftimi atje, por unë mendoj se Turqia ka të ngjarë të kërkojë koncesione ose kompensim financiar në këmbim.”

 

Për dekada me radhë Turqia ka qenë një partner i qëndrueshëm dhe i rëndësishëm i NATO-s në Afganistan. Ekspertët thonë se anëtarët e NATO-s do të mirëpresin që Ankaraja të marrë përsipër sigurinë në aeroportin e Kabulit.

 

“Ka shkrime që sugjerojnë se Turqia mund të largohet më herët sesa pritej, çfarë do të shkaktonte probleme të mëdha për mbrojtjen e forcave dhe aftësive për të ndërtuar marrëdhëniet e ardhshme me forcat e sigurisë dhe ushtrisë afgane. Mendoj se kjo është thelbësore për stabilitetin në Afganistan, rajon dhe më gjerë”, thotë për Zërin e Amerikës Rachel Ellehuus me Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare.

 

Vëzhguesit thonë se roli i Turqisë në aeroportin e Kabulit mund të jetë një pikënisje që mund të ndihmojë në rindërtimin e besimit mes Presidentit Biden dhe zotit Erdogan.

Më shumë

Lukashenko dhe tranziti i gazit rus drejt Europës

Pushtetmbajtësi bjellorus, Aleksander Lukashenko kërcënoi me mbylljen e rubinetit të gazit Jamal Europa. Por Gazpromi ka rrugë të tjera për të sjellë gaz tek klientët e tij.   Lajmi pushtoi para pak ditësh mediat: Pushtetmbajtësi bjellorus, Aleksander Lukashenko kërcënon Europën me ndaljen e tranzitit të gazit rus drejt Europës! Kërcënimi erdhi në kulmin e […]

Thirrja nga Bjellorusia kalon përmes Turqisë

Në tetor, më shumë se 5000 emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, mbërritën në Gjermani nëpërmjet Bjellorusisë. Investigimi i ARD Report München tregon: itinerari është i organizuar mirë dhe kalon përmes Turqisë. Qendra e parë e pritjes në Eisenhüttenstadt është e rrethuar me gardhe të larta. Deri pak ditë më parë, çdo emigrant i […]

Irani kryen manovra ushtarake para rifillimit të bisedimeve bërthamore

Ushtria e Iranit ka nisur manovrat ushtarake të përvitshme pranë Gjirit Persik, njoftoi televizioni shtetëror iranian, disa javë përpara rifillimit të bisedimeve mes Teheranit dhe fuqive botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Manovrat po zhvillohen në një territor të gjerë, në pjesën lindore të ngushticës së Hormuzit deri në atë veriore […]

32-vjetori i Rënies së Murit të Berlinit

09 Nëntori shënon 32-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Kjo datë simbolizon rënien e komunizmit të Evropë. Pak pas mesnatës së 13 gushtit 1961, qeveria gjermane u dha urdhër 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetëm 13 pika kalimi për në Berlinin Perëndimor. […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara