e martë 21 shtator 2021
e martë 21 shtator 2021

 

Një eksperte për çështjet e Afganistanit thotë se me ardhjen e talebanëve në pushtet, të drejtat dhe përparimet e bëra gjatë 20 viteve të luftës së Shteteve të Bashkuara atje, po fashiten. Rina Amiri me Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Nju Jorkut thotë se talebanët po përdorin një taktikë strategjike të komunikimit për Perëndimin që është ndryshe nga realiteti në terren. Në një intervistë me kolegen Rudina Dervishi, zonja Amiri e cila ka shërbyer si këshilltare e lartë e përfaqësuesit amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin në administratën Obama, flet për të ardhmen e pasigurtë të vendit që mund të shkojë drejt një lufte civile.

 

 

 

Zëri i Amerikës: Doja të merrja mendimin tuaj për atë që po ndodh në Afganistan. Sa e shqetësuar jeni për atë që po ndodh dhe çfarë po dëgjoni nga njerëzit në terren?

Rina Amiri: Jam shumë e shqetësuar. Ka një nivel të jashtëzakonshëm frike mes njerëzve me të cilët flas. Është sikur një perde e errët të ketë rënë mbi vendin brenda natës. Ajo që më trondit kur flas me njerëzit, qofshin aktivistë, gazetarë, gra apo juristë, është se ata mendojnë se të drejtat e tyre u zhdukën brenda natës. Eekziston kultura e kërcënimit dhe frikës nga talebanët dhe ajo është reale. Ka një nivel të jashtëzakonshëm pasigurie dhe ankthi për të ardhmen.

 

Zëri i Amerikës: Retorika e përdorur nga talebanët është se gjërat do të jenë ndryshe këtë herë. Çfarë mund të presim kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave? A mund të besohen talebanët?

Rina Amiri: Do të doja t’i besoja. Si çdo afgane, dua t’i besoj sepse ata janë një forcë tani që kanë në dorë qeverinë. Ka patur një përpjekje, veçanërisht nga ana e grave afgane dhe shoqërisë civile për t’i angazhuar ata gjatë rrjedhës së disa viteve për të provuar të vlerësohej shkalla me të cilën ata mund të kishin ndryshuar perspektivën e tyre dhe kishte njëfarë shprese. Por mendoj se ajo që i ka shkatërruar ato shpresa është fakti se ka pasur një qasje sistematike nga talebanët në lidhje me gratë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Ndërsa kanë marrë territore, ata kanë marrë në pyetje gratë dhe anëtarët e shoqërisë civile. Ata kanë krijuar një kulturë të vërtetë frike. Ata kanë lista me emrat e tyre. Hyjnë në shtëpi, u kontrollojnë materialet e tyre, kontrollojnë celularët. Pra, po bëjnë gjithçka si më parë, por në një mënyrë shumë më të ashpër dhe sistematike. Në të njëjtën kohë janë duke thënë gjëra shumë pozitive, por ato nuk po materializohen në terren.

Zëri i Amerikës: Pra i shihni të përgatitur për të shkuar pas një grupi të caktuar, atyre që janë më të arsimuara, apo jo?

Rina Amiri: Po. Ata i kanë vënë në shënjestër këta njerëz sepse, këto gra dhe aktiviste nuk e kanë bërë këtë punë vetëm 20 vitet e fundit. Ato i kanë kushtuar jetën aktivizmit dhe kanë një vizion dhe një ëndërr për Afganistanin. Ato nuk duan të largohen. Ato donin të besonin se talebanët do të ishin një parti me të cilën mund të punonin. Por mënyra se si talebanët janë sjellë në të gjithë vendin, i ka tmerruar. Ndërsa talebanët përparuan duke marrë territore, ata përdorën fjalime të hartuara për mediat perëndimore. Ata duan t’ju bindin se kanë ndryshuar. Pra, mendoj se ata po frikësojnë popullatën ndërsa thonë gjëra që Perëndimi dëshiron të dëgjojë. Ata kanë një ndërmarrje strategjike komunikimi shumë të sofistikuar. Komunikimi strategjik është mjeti i dytë pas armëve për sa i përket fuqisë së tyre. Me llogaritë e tyre në Twitter, Facebook dhe shtyp, ata kanë bërë një punë shumë të mirë. Janë rehabilituar plotësisht me Perëndimin. Tani po shihen si aktorë të respektuar dhe ndërsa kishin tre vende që i njohën në vitet ’90, tani komuniteti ndërkombëtar po u jep mbështetje të plotë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se talebanët do të njihen zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara?

Rina Amiri: Ka fotografi të zyrtarëve të lartë amerikanë që përqafohen me ta. Pra, po, kjo nuk ka qënë e fshehur për sytë dhevpublikun afgan. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të distancohen nga qeveria e mëparshme afgane dhe të përqafojnë talebanët haptazi.

 

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se do të ndodhë me brezin e ri të vajzave, që janë rritur gjatë këtyre 20 viteve pa praninë e talibanëve? A mendoni se përfitimet që kanë gëzuar gratë afgane do të zhduken?

Rina Amiri: Ka një frikë të madhe. Gjashtëdhjetë e pesë për qind e popullsisë në Afganistan janë të rinj, që nuk janë rritur nën regjimit taleban. Është njësoj sikur një forcë të vijë në vendin tuaj apo kudo në Perëndim dhe papritmas të heq të gjitha të drejtat tuaja dhe të vendos një ideologji të huaj. Kështu është për këta të rinj. Ata janë të tmerruar. Janë rritur në një kulturë të hapur dhe papritmas e gjithë kjo po zhduket si për burrat ashtu edhe për gratë, por sigurisht shumë më keq për gratë. Kam dëgjuar nga familjet që u është dashur t’u thonë vajzave të tyre të vogla se ndoshta nuk mund të shkojnë më në shkollë ose vajzave më të mëdha se do të duhet të veshin burka. Dua të theksoj se burka nuk është gjëja më e keqe në këtë histori, por jeta e tyre po ndryshon brenda natës dhe kjo është ajo që të thyen zemrën – është shkatërrimi i ëndrrave dhe shpresave të të rinjve në të gjithë vendin dhe ka shumë pak gjëra që janë më tragjike se kjo.

Zëri i Amerikës: Dhe çfarë ndikimi mendoni se kanë Shtetet e Bashkuara mbi talebanët për t’i bërë ata të respektojnë të drejtat e grave dhe të drejtat e vajzave?

Rina Amiri: Fatkeqësisht, Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi kanë hequr dorë nga shumë mekanizma gjatë dy viteve të fundit. SHBA-ja dhe Perëndimi e ndryshuan strategjinë e tyre mbi të drejtat e grave sepse për ta gjëja më e rëndësishme ishte largimi – hartimi i një strategjie daljeje -dhe në atë strategji, për të drejtat e grave, përparësia ndryshoi nga ‘të drejtave e grave janë një çështje e rëndësishme’ në atë se ‘u takon afganëve vendas të marrin vendime në lidhje me një çështje të brendshme. Kjo u pa nga shumë gra afgane si një gjuhë e koduar për të thënë se të drejtat e grave do t’i mbanin të lidhura Shtetet e Bashkuara në Afganistan. Kjo është një tradhti e vërtetë për to sepse pas 11 shtatorit SHBA dhe partnerët e koalicionit shkuan në Afganistan dhe të drejtat e grave u përdorën si flamur për të justifikuar ndërhyrjen e Perëndimit, për të mbrojtur gratë nga talebanët. Tani ata sapo i vunë gratë nën regjimin taleban pasi luftuan aq shumë gjatë 20 viteve të fundit për të bërë përparim për të drejtat e tyre. Ata kanë thyer shpresat dhe ëndrrat e afganëve. Bota mban përgjegjësi për këtë. Ka një bashkëfajësi për këtë. Kështu që mendoj se ka gjithashtu një përgjegjësi nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare tani për të identifikuar mënyrat për të mbështetur gratë brenda vendit, si dhe gratë në diasporë që do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre. Ekziston dhe është detyrë e Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit të monitorojnë dhe të mbajnë talebanët përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë, duke përdorin sanksione të targetuara kundër talibanëve, së pari duke mos e njohur qeverinë e tyre në këto kushte dhe duke tërhequr këtë mbështetjeje diplomatike që Perëndimi po i jep një grupi që nuk ka vepruar në mënyrë kuptimplotë për të mbështetur të drejtat e popullatës dhe veçanërisht ato të grave.

Zëri i Amerikës: Vende si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut që kanë rënë dakord të marrin një numër afganësh të rrezikuar. A jeni befasuar që këto vende të vogla kanë ofruar të ndihmojnë ndërsa vende të tjera nuk po bëjnë të njëjtën gjë?

Rina Amiri: Jam shumë mirënjohëse para së gjithash sepse është absolutisht situatë urgjente. Dhe këta janë njerëz që kanë vlerat që i duhen një vendi. Ata përqafojnë demokracinë, të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe janë kampionët e asaj që shumë prej nesh duan të shohin për shoqëritë në nivel global. Jam e habitur? Jo sepse mendoj se ka shumë bujari dhe shumë ndjeshmëri në vendet e vogla. Jam e zhgënjyer nga vendet më të mëdha perëndimore, të gjithë ata që kanë një përgjegjësi për situatën ku ndodhet Afganistani tani dhe të cilët gjithashtu kanë një rol për të luajtur në parandalimin e shkeljeve të mëtejshme të të drejtave të këtyre njerëzve që nuk kanë ku të shkojnë.

Zëri i Amerikës: Duket se Shtetet e Bashkuara ishin të bindura për t’u tërhequr nga Afganistani dhe kjo mbështetej në opinionin publik. A mendoni se opinioni publik po ndryshon tani që amerikanët janë duke parë këto skena nga Kabuli dhe e gjithë media po raporton për këtë tërheqje kaotike?

Rina Amiri: Unë e sfidoj argumentin se kjo tërheqje bazohej në mbështetjen e publikut amerikan. Nuk mendoj se administrata, qoftë kjo administratë, apo administrata Trump, bëri një përpjekje për të bindur, apo për t’u shpjeguar amerikanëve se si do të ishte ky operacion. Numri i trupave ishte zvogëluar deri në 2500, dhe kjo nuk ishte një force luftuese. Ishte një force këshilluese që ndihmonte në terren, ndante informacione të inteligjencës dhe ishte në thelb atje për të siguruar mbështetje për Forcat Afgane të Sigurisë Kombëtare që po kryenin luftimet. Kjo nuk përbënte ndonjë problem për publikun amerikan dhe kishte një angazhim për të ruajtur fitoret e arritura. Pra, ky ishte një vendim i marrë që nuk mendoj se është i lidhur me atë që publiku amerikan dëshiron. Sigurisht që nuk e dëgjoj këtë kur flas me amerikanët në të gjithë vendin, që thonë se ne kemi qenë në atë vend për 20 vjet tani. SHBA po largohet me talebanët më të fortë. Më parë ata kontrollonin 96 përqind, tani kontrollojnë 100 përqind të vendit. Na thanë se në 20 vitet e fundit një nga gjërat që kemi arritur me gjakun e kaq shumë ushtarëve janë të mirat për shoqërinë afgane, dhe kjo po zhduket brenda natës. Mendoj se administrata amerikane duhet të ketë parasysh se duhet të japë llogari për atë që ka lënë pas. Nëse largohesh nga Afganistani dhe qytetarëve u hiqen të drejtat e tyre ashtu siç u janë hequr, (nuk ka pse ta mbulojmë këtë fakt, të drejtat e tyre janë zhdukur brenda natës, janë marrë, janë rrëmbyer). Çfarë mund t’u thonë për këtë qytetarëve amerikanë dhe tatimpaguesve – çfarë keni bërë gjatë 20 viteve të fundit dhe për çfarë ishte ky investim? Mendoj se duhet të mbrohen fitimet e arritura sepse ky është një investim që është shumë i denjë dhe që duhet të japë rezultate.

Zëri i Amerikës: Si e shihni më tej përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Afganistan?

Rina Amiri: Ajo që shpresoj të shoh është që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të qëndrojnë të përfshira në mënyrë diplomatike. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të sigurojnë mbështetje si financiare ashtu edhe humanitare. Ekziston një krizë e madhe humanitare që po shfaqet në Afganistan dhe Shtetet e Bashkuara, edhe pse influenca e tyre është zvogëluar ndjeshëm, kanë ende shumë fuqi dhe kanë një rol për të luajtur. Do të doja që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol të fortë në mbështetjen e rajonit dhe zhvillimin e një mekanizmi për të siguruar që në Afganistan të ketë stabilitet. Kam frikë nga talebanët, por kam frikë edhe më shumë nga një luftë civile.

Ekziston një mundësi vërtet e madhe, që vendi të shkojë në këtë drejtim. Nëse kjo ndodh, niveli i shkatërrimit do të jetë i madh. Numri i refugjatëve do të jenë katastrofik dhe ata do të jenë në oborrin e Evropës. Ekstremizmi dhe terrorizmi do të dalin nga vendet e rajonit dhe do të bëhet më i fuqishëm. Ka shumë arsye që Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare të vazhdojnë të investojnë në Afganistan. Nuk është vetëm një përgjegjësi morale, por është një nevojë strategjike për ta bërë një gjë të tillë.

 

Më shumë

Putini kritikon praninë e trupave të huaja në Siri

Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi praninë e trupave të huaja në Siri, duke thënë se ato janë atje kundër vullnetit të qeverisë siriane dhe po bllokojnë forcimin e vendit të shkatërruar nga lufta, thuhej në një njoftim të Kremlinit të martën.   Zoti Putin i referohej qindra trupave amerikane të dislokuara në Sirinë […]

Olimpiada ndëshkon Korenë e Veriut për mospjesëmarrje në Lojërat e Tokios

Autoritetet olimpike ndërkombëtare kanë pezulluar Korenë Veriore deri më 2022, për shkak të dështimit të Phenjanit për të dërguar ekipin në Lojërat Olimpike Verore që janë mbajtur muajin e kaluar në Tokio.   Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka bërë të ditur këtë ndëshkim që, pezullon mbështetjen financiare dhe ia pamundëson […]

Talebanët emërojnë qeverinë e re të përkohshme

Talebanët emëruan Mullah Hasan Akhundin, një bashkëpunëtor i themeluesit të lëvizjes së tyre Mullah Omar, si kreun e qeverisë së re të përkohëshme të Afganistanit të martën dhe Mullah Abdul Ghani Baradarin, kreun e zyrës politike, në postin e zëvendës kryeministrit.   Sarajuddin Haqqani, djali i themeluesit të rrjetit Haqqani, të përfshirë në listën […]

Senatori amerikan: “Agjencia e Faucit i dha fonde Institutit të Wuhan e financoi studime për Covid-19 në Kinë”

Këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Covid-19, Anthony Fauci, po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen pasi dokumentet e sapo publikuara sugjeruan që agjencia e tij financoi kërkime ‘të rrezikshme’ lidhur me Institutin e Wuhan në Kinë, pavarësisht mohimeve të mëparshme.   Kërkesat për shkarkimin e këshilltarit shëndetësor vijnë pasi Intercept […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara