e enjte 25 shkurt 2021
e enjte 25 shkurt 2021

 

 

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë akuzuar Iranin dhe Rusinë se u përpoqën të përdorin të dhënat e regjistrit të votuesve në “përpjekje të dëshpëruara” për të mbjellë kaos dhe konfuzion në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

 

Drejtori i Zbulimit Kombëtar, John Ratcliffe, e bëri njoftimin gjatë një konference për shtyp të mërkurën, që synonte të ofronte garanci për amerikanët dhe zotimin se çdo vend që kapej duke ndërhyrë në zgjedhjet amerikane do të kishte “kosto dhe pasoja”.

 

“Konfirmuam se disa të dhëna të regjistrit të votuesve janë marrë nga Irani si dhe nga Rusia”, tha ai, duke shtuar se të dyja vendet “kanë ndërmarrë veprime konkrete për të influencuar opinionin publik në lidhje me zgjedhjet tona”.

 

Zoti Ratcliffe nuk tha se si po e përdor Rusia informacionin e vjedhur, por fajësoi aktorët kibernetikë iranianë si përgjegjës për një furi aktiviteti gjatë 24 orëve të fundit, dhe tha se një pjesë e këtij aktiviteti dukej se ishte projektuar për të dëmtuar Presidentin Donald Trump.

 

“E kemi parë tashmë Iranin të dërgojë email-e të kamufluara që synojnë frikësimin e votuesve, ngjalljen e trazirave sociale dhe dëmtimin e Presidentit Trump”, tha ai.

 

Studiuesit që gjurmuan email-et, të cilat dukeshin sikur ishin dërguar nga grupi i së djathtës së skajshme “Proud Boys” që ka dalë në mbështetje të presidentit, thanë se u ishin dërguar votuesve në të paktën katër shtete amerikane, si Arizona, Alaska, Pensilvania dhe Florida.

 

 

Votuesve, përgjithësisht të regjistruar si demokratë, u thuhej se “Do të votoni për Trump-in në Ditën e Zgjedhjeve, përndryshe nuk do t’iu ndahemi”.

 

Përfaqësuesit e “Proud Boys” mohuan të kenë qenë përfshirë.

 

Krahas email-eve, zoti Ratcliffe tha se Irani ishte gjithashtu përgjegjës për shpërndarjen e një videoje që nënkuptonte se disa votuesve mund t’u jepen fletëvotime të manipuluara.

 

“Kjo video, dhe çdo pretendim për fletëvotime të tilla të manipuluara, nuk janë të vërteta”, tha ai.

 

Zyrtari më i lartë i zbulimit amerikan tha se megjithë përpjekjet iraniane dhe ruse për të dëmtuar besimin e votuesve, “sistemet tona zgjedhore janë të forta”.

 

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, i cili tha muajin e kaluar se nuk kishte shenja sulmesh ndaj sistemeve të regjistrimit të votuesve, gjithashtu theksoi se sistemi zgjedhor amerikan mbetet i sigurtë.

 

“Duhet të keni besim se vota juaj ka rëndësi”, tha zoti Wray. “Nuk do ta ulim vigjilencën”.

 

Më parë, zyrtarët nuk patën ngritur shqetësime për sulme të mundshme ndaj sistemeve të regjistrimit të votuesve.

 

Muajin e kaluar, një raport në gazetën ruse Kommersant ngjalli shqetësime se listat e votuesve në shtetin amerikan Miçigan ishin sulmuar, por kjo mundësi u përjashtua me shpejtësi nga zyrtarët e atij shteti.

 

Zyrtarë të tjerë zgjedhorë u kanë bërë gjithashtu thirrje votuesve t’u ruhen njoftimeve të tilla.

 

“Listat e regjistrimit të votuesve janë informacion publik, të disponueshme për t’u marrë kundrejt një pagese, ose falas nga shtetet përkatëse”, i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i Shoqatës Kombëtare të Drejtuesve Zgjedhorë.

 

Nuk është gjithashtu befasuese që Irani dhe Rusia sulmuan votuesit amerikanë vetëm më pak se dy javë nga zgjedhjet.

 

Një zyrtar i lartë i kundërzbulimit amerikan, William Evanina, paralajmëroi në gusht se të dyja këto vende, së bashku me Kinën, po ndërhynin në mënyrë aktive në zgjedhje, duke shpresuar të ndikojnë tek rezultati.

 

Teherani, tha zoti Evanina në atë kohë, po përpiqej të dëmtonte shanset e Presidentit Trump për rizgjedhje, duke iu frikësuar se fitorja “do të rezultojë në një vazhdimësi të presionit amerikan ndaj Iranit, në kuadrin e përpjekjeve për të shkaktuar ndryshimin e sistemit”.

 

Rusia në anën tjetër, “po përdor një sërë masash kryesisht për të denigruar ish-Nënpresidentin Joe Biden”, tha ai, duke shtuar se “disa aktorë të lidhur me Kremlinin, gjithashtu po përpiqen të promovojnë kandidaturën e Presidentit Trump”.

 

Megjithatë, më herët këtë muaj zoti Evanina i tha televizionit Hearst se të treja vendet – Irani, Rusia dhe Kina – po sulmonin në mënyrë aktive serverat e fushatave Trump dhe Biden.

 

Megjithatë, disa ekspertë të sigurisë kibernetike thonë se ky operacion influencimi më i fundit i Iranit, duke shfrytëzuar email-et e manipuluara dhe videot, duket se tregon që Teherani po bëhet më ambicioz.

 

“Incidenti shënon një zhvendosje thelbësore në botëkuptimin tonë të gatishmërisë së Iranit për të ndërhyrë në procesin demokratik”, tha në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës, John Hultquist, drejtor për analizën në Mandiant Threat Intelligence.

 

“Ndërsa shumë prej operacioneve të tyre janë fokusuar në nxitjen e propagandës në funksion të interesave të Iranit, ky incident duket se është orientuar qartazi për të dëmtuar besimin e votuesve”, tha ai.

 

Megjithëse shërbimet amerikane të zbulimit konkluduan se Irani, së bashku me Rusinë dhe Kinën, u përpoqën të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane në vitin 2018-të, aktiviteti i mëparshëm kibernetik i Iranit ishte fokusuar përgjithësisht në sulmet që bllokojnë shërbimet online, duke bllokuar qasjen tek faqet në internet nëpërmjet një numri të mbingarkuar kërkesash, si dhe përpjekjet për të shpërfytyruar faqet e internetit dhe për të vjedhur të dhënat personale.

 

Sidoqoftë, pas njofitmit të së mërkurës, disa ligjvënës duket se sugjeruan që operacionet iraniane të influencimit tregojnë se Teherani po kopjon skenarët rusë, të cilët janë të projektuar për të ngjallur kryesisht kaos dhe mosbesim.

 

“Rusia dhe Irani duan që pala humbëse të refuzojë rezultatin e zgjedhjeve për të dëmtuar legjitimitetin e fituesit dhe për të ngjallur një krizë kushtetuese”, shkruajti në Twitter gjatë orëve të vona të së mërkurës kryetari në detyrë i Komisionit të Zbulimit të Senatit, Senatori republikan Marco Rubio.

 

Më herët të mërkurën, zoti Rubio dhe Nënkryetari i Komisionit të Zbulimit, Mark Warner, u bëri thirrje votuesve që mos të lejojnë që këto sulme ndaj zgjedhjeve të shkaktojnë humbjen e besimit në infrastrukturën zgjedhore të vendit.

 

“Ata mund të përpiqen t’i sulmojnë këto sisteme, apo thjesht të lënë përshtypjen se i kanë modifikuar apo manipuluar këto sisteme, në mënyrë që të dëmtojnë kredibilitetin e tyre dhe besimin që kemi tek to”, thanë senatorët në një deklaratë të përbashkët.

 

“I bëjmë thirrje çdo amerikani, përfshirë punonjësve të mediave, që të jenë të kujdesshëm kur u besojnë apo shpërndajnë pretendime sensacionale dhe të paverifikuara në lidhje me votat dhe procesin e votimit”, thanë ata.

 

*Në foto: Fletëvotimet e dërguara me postë në një qendër të menaxhimit zgjedhor të Salt Lake City, 21 tetor 2020

Më shumë

Kuba hap ekonominë për bizneset private

Kuba ka njoftuar për reformë në ekonominë e saj që kontrollohet nga shteti. Vendi komunist ka vendosur që të lejojë bizneset private të veprojnë në shumicën e sektorëve të ekonomisë.   Ministrja e Punës, Marta Elena Feito, tha se vetëm një numër i vogël i sektorëve do të kontrollohen nga shteti.   Ekonomia […]

G7 kërkon lirimin e menjëhershëm të Navalnyt

Vendet e grupit G7 e quajtën të “motivuar politikisht” burgosjen e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny dhe kundërshtuan “shtypjen e dhunshme” të protestuesve pro-Navalny nga ana e Rusisë.   Përmes një deklarate të përbashkët, ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kërkuan “lirimin e menjëhershëm […]

Forumi i Davosit – Presidenti i Kinës Xi Jinping, i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për bashkim

Presidenti i Kinës Xi Jinping mori pjesë në Ngjarjen Virtuale të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) të Axhendës së Davosit dhe mbajti një fjalim të posaçëm të hënën në Pekin përmes lidhjes me video.   “Pandemia është larg përfundimit. Ringjallja e fundit e rasteve të epidemisë na kujton se duhet të vazhdojmë luftën,” tha […]

Kthesë në politikën e jashtme të Turqisë

Turqia është e izoluar në masë të madhe në Lindjen e Afërt. Partneri më i ngushtë i saj, Katari, sapo vendosi për paqen me fqinjin e tij. Ky hap dhe ndërrimi i pushtetit në SHBA do të detyrojë Turqinë të ndërrojë rrugë.     “Një sinjal i mirë për stabilitetin në të gjithë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara