e diel 5 dhjetor 2021
e diel 5 dhjetor 2021

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë po vijon punën për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Historia e shqiptarëve”.

 

Në kuadër të projektit madhor të hartimit të këtyre tri veprave, që përbën një nga drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2021, e në vazhdim, u organizua edhe një takim me kreun e ASH-së, Skënder Gjinushi për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ngritjen e strukturave kryesore e atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave madhore.

 

Të pranishëm ishin anëtarët e këshillit: prof. Emil Lafe, akad. Ilirjan Malollari, akad. Jani Thomai, prof. Valter Memishaj, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Dhimitër Haxhimihali dhe drejtori ekzekutiv i QBAE prof. Irakli Koçollari.

 

Ndërsa janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve e në konsultim me ASHAK-un, si dhe është konfirmuar miratimi i tyre në parim, në takimin e kësaj të hëne u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse, me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre.

 

Për të tria veprat u diskutuan format e bashkëpunimit me institucionet e tjera, nevojat për infrastrukturë e personel ndihmës.

 

Hartimi i “Historisë së shqiptarëve” u vlerësua që mund të fillojë punë shumë shpejt e të realizohet në kohën e parashikuar, duke u theksuar se ka mjaft të dhëna, prova e dokumente të reja që e bëjnë të domosdoshme shkrimin e saj.

 

Puna me “Fjalorin e madh të shqipes” do të nisë së shpejti. Në këtë vepër do të ketë mbi 100.000 zëra leksikografikë (mbi 90.000 fjalë dhe mbi 10.000 njësi frazeologjike).

 

Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij: fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira e frazeologjike, lidhje paradigmatike, të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike etj.

 

Në aspektin kombëtar Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë.

 

“Enciklopedia shqiptare” që përbën ndërmarrjen më të vështirë e më voluminoze, përfundimisht vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet.

 

Në takim, për të tria veprat u diskutua edhe bashkëpunimi i ngushtë me ASHA-n në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe më pas u dhanë udhëzime për ngritjen e ambienteve të reja të punës për Qendrën e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike.

 

Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e rolit organizator e financues në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare: “Enciklopedisë shqiptare”, “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” e të Kuvendit të Albanologjisë në nëntor të këtij viti realizon një prej objektivave kryesorë të reformës së këtij institucioni, atë kryerjes prej ASH-së të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike.

Më shumë

Në prag të 28 Nëntorit “bashkohen” arkivat, DPA hap sallë studimi në Kosovë

Në prag të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëhet institucioni i parë i Shqipërisë që ka prani fizike në Kosovë, duke çelur dyert e Këndit Arkivor Prishtinë, si sallë studimi në mjediset e Arkivit të Kosovës e Arkivi. Çdo studiues dhe qytetar që është i interesuar për të aksesuar dokumente që […]

Zgjidhet Kolegji i ri Zgjedhor

Dy ditë pasi Presidenti i Republikës dekretoi datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zgjedhur anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor. Shorti i hedhur në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor përzgjodhi 8 gjyqtarë të cilët do jenë pjesë e trupës që do të bëjë gjykimin e mosmarrëveshjeve apo ankesave […]

Hapet gara për hetues të BKH-së, struktura do të përbëhet nga 60 të tillë

Hapet gara për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky institucion, në një njoftim për mediat, nënvizon se sot çelet procesi i rekrutimit për Pozicionet e Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përmes këtij procesi do të përzgjidhen 60 hetues që do të jenë pjesë e BKH. Kjo është një mundësi e mirë për […]

3 vjet nga fillimi i Vetting-ut, 105 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra, 117 u konfirmuan

Procesin i Vetting-ut në drejtësi ka hyrë në vitin e tij të tretë dhe në total për t’u rivlerësuar janë rreth 800 prokurorë dhe gjyqtarë. Nga fillimi i procesit në prill të 2018 deri në 10 gusht të këtij viti kanë kaluar në filtirn e shkallës së parë të Vetting-ut 284 gjyqtarë dhe […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara