e enjte 29 korrik 2021
e enjte 29 korrik 2021

 

 

Me 67 vota, parlamenti i Kosovës, miratoi në një seancë të jashtëzakonshme qeverinë e re të Kosovës, që do të drejtohet nga kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit doli fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

 

Albin Kurti, i cili të mërkurën bëhet 46 vjeç, qe zgjedhur kryeministër në qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës në shkurt të vitit 2020, pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019.

 

Qeveria e tij u bë qeveria më jetëshkurtër në Kosovën e pasluftës. Përballja me pandeminë e COVID-19, dallimet rreth qasjes së institucioneve ndaj saj dhe posaçërisht mospajtimet rreth qasjes ndaj bisedimeve me Serbinë, u shndërruan në shkas lufte politike dhe më 25 mars ajo u rrëzua më një mocion mosbesimi të ngritur nga Lidhja Demokratike.

 

Në paraqitjen e tij të hënën në parlament ai tha se shëndetësia, arsimi dhe drejtësia do të jenë përparësi të punës së kabinetit të tij.

 

Zoti Kurti tha se sfida kryesore është përballja me pandeminë e COVID-19.

 

“Pa humbur kohë, me ministrin e ri të Shëndetësisë, do të fillojmë një plan për vendosjen nën kontroll të COVID-19 me masa të cilat ulin numrin e rasteve të reja dhe që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”, tha zoti Kurti.

 

Ai radhiti me tej vetingun në drejtësi dhe reformat në arsim si pjesë të rëndësishme të punës së kabinetit të tij, ndërsa theksoi se Kosova ndërsa derisa punon në reforma të brendshme do të reformojë edhe qasjen jashtë vendit.

 

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme tashmë janë bërë me pakon e (Martti) Ahtisarit si çmim i paguar për shpalljen e pavarësinë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë e nuk do ta bëjmë”, tha Kurti, duke nënvizuar se orientimi i Kosovës është i qartë – aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi transatlantik.

 

Lidhur me bisedimet me Serbinë ai tha se “prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1.640 persona të zhdukur. Serbia nuk ka dënuar kënd për këtë krim. Në poligonin e qitjes në Batajnicë ku janë zhvarrosur 744 shqiptarë, nuk ka asnjë pllakë përkujtimore apo diçka që shënon se aty kishte një varrezë masive. Por, jemi të vetëdijshëm që afër një e treta e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë. 22 vjet pas luftës të gjitha familjet duhet të dinë të vërtetën për familjarët e tyre që të mbyllin plagët e hapura dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi. Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në këtë fushë”, tha ai.

 

Zoti Kurti tha se Kosovës i duhen bisedimet për të siguruar kthimin e “afër 3 miliardë euro të pensioneve të vjedhura nga Serbia; për kthimin e mbi 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për sukcesionet”.

 

Sipas tij Kosovës i duhen bisedime që zgjidhin problemet ekzistuese e jo që krijojnë probleme të reja.

 

“Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve. Prioritet i imi është normalizimi i Kosovës, zhvillimi e demokratizimi i saj, drejtësia për të e tek ajo. Le të normalizohet edhe Serbia duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke u demokratizuar. Ne e kemi shpallur dy herë pavarësinë e Kosovës nga Serbia, më 2 korrik 1990 dhe më 17 shkurt 2008. Është mirë që edhe Serbia ta shpallë pavarësinë e saj nga Kosova, e të bashkëpunojmë për BE dhe NATO, në BE dhe në NATO”, tha ai.

 

 

 

Përbërja e propozuar e qeverisë Kurti 2

 

 

Qeveria e re e Kosovës sipas zotit Kurti do të ketë gjithsej 15 ministri dhe tre zëvendëskryeministra:

 

  • Albin Kurti, Kryeministër

 

  • Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i parë, për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog.

 

  • Donika Gervalla, Zëvendëskryeministre e dytë, dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

 

  • Emilia Rexhepi, Zëvendëskryeministre e tretë, për Çështje të Pakicave dhe Të Drejtat e Njeriut.

 

  • Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.

 

  • Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë.

 

  • Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë.

 

  • Arberie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

 

  • Hajrullah Ceku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

 

  • Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushteti Lokal.

 

  • Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

 

  • Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

 

  • Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes.

 

  • Xhelal Svecla, Ministër Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

 

  • Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

 

  • Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë.

 

  • Goran Rakiç, Ministër për Komunitete dhe Kthim.

 

  • Fikrim Damka, Ministër i Zhvillimit Rajonal.

 

 

Mbledhja e parlamentit për votimin e qeverisë u mbajt disa orë pas mbledhjes së parë pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

 

Në orët e paradites, parlamenti 120 vendesh filloi punimet me betimin e 114 deputetëve të pranishëm. Më pas me 69 vota u zgjodh kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje e cila doli fituese në zgjedhje, duke siguruar 58 vende në parlament.

 

Zoti Konjufca, pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019 ishte zgjedhur kryetar parlamenti, një post në të cilin qëndroi për një kohë të shkurtër. Ai u pasua në atë post nga Vjosa Osmani ndërsa udhëhoqi ministrinë e Jashtme në qeverinë e ish kryeministrit Albin Kurti, e cila u rrëzua më një mocion mosbesimi më 25 mars të vitit 2020.

 

Ajo që mbetet ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë më postin e presidentit zgjedhja e të cilit duhet të përmbyllet në fillim të muajit të ardhshëm.

 

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

 

Tash për tash Partia Demokratike me 19 deputetët dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 syresh, kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike që ka 15 vende, ka paralajmëruar bisedime me zonjën Osmani para se të marrë një vendim.

 

Dështimi për të zgjedhur presidentin, mund të çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.

 

Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike që të shmangin një mundësi të tillë, meqë Kosova ka nevojë për institucione të reja në një periudhë sfidash shëndetësore, ekonomike e politike.

 

 

Fjala e plotë e Albin Kurtit në mbledhjen ceremoniale të Qeverisë së Republikës së Kosovë:

 

Të nderuar zëvëndëskryeministra Bislimi,  Gërvalla dhe Rexhepi,

Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,

Kjo është mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të zgjedhur mbrëmë, që mbahet më datë 23 mars 2021, mbledhje ceremoniale e cila shënon fillimin tonë të mbarë të punës së kësaj qeverie, e cila u votua dje, bazuar në vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme, të lira e demokratike të 14 shkurtit.

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Së pari, urime për mandatet që keni marrë secili. Ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë.

Po e fillojmë këtë mbledhje ceremoniale të qeverisë në një kohë të shqetësimeve të mëdha për qytetarët e si rezultat edhe i pritjeve të mëdha për punën e këtij kabineti tonë.

Jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Deri sot kemi mbi 83 mijë persona të infektuar dhe 1,776 të vdekur deri dje zyrtarisht. Vetëm në 24 orët e fundit kishim 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këto nuk janë thjesht numra dhe statistika por janë jetë njerëzish, janë familjarë, vëllezër e motra, prindër e gjyshër të cilët do të mungojnë në tavolinat e ushqimit në secilën shtëpi.

Andaj duhet të veprojmë me urgjencë që të ulim rastet e dhe të eleminojmë vdekjet e reja si rezutat i virusit Covid-19, por duhet të ketë plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga ministria e shëndetësisë, e ekonomisë dhe ministrive tjera.

Kërkohet punë konkrete dhe rezultate sa më të shpejta.

Këtu do të punojmë si ekip, por rezultateti i këtij kabineti varet nga puna e secilit nga ju dhe ekipit që ju ndërtoni. Ju takon juve që problemet që janë brenda ministrisë tuaj t’i ktheni në projekte për zgjidhje.

Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim në çdo kohë por do të ketë edhe veprim.

Qytetarët presin punë dhe angazhim, përfaqësim të dinjitetshëm dhe udhëheqje përmes shembullit.

Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime për vendime konkrete të cilat i kemi identifikuar me vite e të cilat kërkojnë zgjidhje.

Unë besoj në dijen dhe kapacitetet tuaja, por tash është koha që ju ta dëshmoni para qytetarëve se në pozitat që jeni vendosur, që jemi vendosur, jemi meritor.

Sfidat janë të mëdha.

Përtej veprimeve urgjente në menaxhimin e pandemisë, duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojmë vendet e punës dhe prodhimin.

Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të performancës. Aty ku gjejmë shkelje të ligjit dhe performancë të dobët duhet të veprojmë shpejt në kthimin e ligjshmërisë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti i cili ka aftësinë dhe vullnetin dhe vizionin që të kthejë ndërmarrjet publike në mbështetës të ekonomisë.

Pres që në tavolinën time të vij urgjent si plani për menaxhimin të pandemisë po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike.

Le të punojmë me nder dhe përgjegjësi.

Të udhëhiqemi nga parimet më të mira, nga zotimet tona dhe nga interesat e qytetarëve,

Të kërkojmë ndihmë dhe bashkëpunim nga të gjithë, dhe le t’i përvjelim mëngët e të fillojmë punët e mëdha që na presin neve dhe angazhimin e përditshëm që pritet prej nesh.

Urime dhe suksese të gjithëve dhe secilit. Na priftë e mbara.

Ju faleminderit.

 

 

Më shumë

Stoltenberg: FSK-së i duhet leje nga NATO-ja që të shkojë në veriun e Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjtën se forcat paqeruajtëse të KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë për të siguruar paqen ndërsa bëri thirrje për një zgjidhje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.   Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë pas qëndrimit të tij në […]

Mbajtja e liturgjisë tek kisha serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, Çeku: “Presion” mbi gjykatën

​​​​​​​Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka folur për mbajtjen e liturgjisë nga kisha ortodokse serbe në kishën e ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës.   Çeku ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë e lajmëruar për këtë aktivitet dhe ka thënë se Qeveria nuk do të lejojë […]

Qeveria e Kosovës miraton heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm.   Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, tha se kjo projektmarrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit bilateral […]

Themelimi i institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në Prishtinë se është koha e fundit që të dokumentohen e njihen të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit gjatë asaj periudhe.   Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë takimit të parë të grupit të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara