e diel 5 dhjetor 2021
e diel 5 dhjetor 2021

 

Është krejt e dukshme se ka një klimë të rëndë në Europë rreth Presidentit Trump. Me pak përjashtime, askush nuk e dëshiron rizgjedhjen e tij. Nuk e fsheh këtë as Merkel, as Makron e gjer edhe Konte. Përpos një sërë liderësh të vendeve të tjerë më pak të rëndësishëm në Europë. Britania e Madhe, mban si gjithmonë, një qëndrim tipik “very british”. 

Është e qartë përse: Trump është i pari president amerikan që ua plasi në fytyrë europianëve se Amerika nuk e ka për detyrë t’i mbrojë gjithë jetën me paratë e saj. Pas gjithë asaj që ka bërë për Europën! E dihet se europianëve, po u cënove paratë, u ke cënuar jetën! Kanë 75 vjet që mbrohen qyl, falë pranisë konsistente ushtarake amerikane e tanimë nuk janë të zot të formulojnë një politikë mbrojtjeje të vetën e të paguar me shpenzimet e veta. 

Është e vërtetë, Trump e ka kaluar ca vijën e mirësjelljes me europianët, duke i përcaktuar herë-herë si delinkuentë, herë-herë si imbecillë e shpesh duke i snobuar  hapur. Pavarësisht mënyrës, në qëndrimet e tij, Trump nuk është nga ana e së padrejtës, por të së drejtës. Zbuloi hapur paaftësinë e europianëve dhe faktin se gjenden njësoj të ndarë si para 100 vjetësh, edhe pse kanë ndërtuar njëfarë “çatije të përbashkët” që quhet BE. Edhe kjo është e vërtetë, po aq sa është e vërtetë se kjo çati pikon nga të gjitha anët. 

Lidershipi amerikan në Europë e ka mbajtur kontinentin stabël, në paqe dhe në prosperitet të plotë për treçerek shekulli. Kanë ndodhur shumë ngjarje, shumë shndërrime në marrëdhëniet botërore, por Europa ka qënë deri më tani e garantuar. Të përfytyrojmë vetëm si do ta kishte përballuar ajo pa mbështetjen e pakursyer amerikane pas shpatullave, rënien e Bashkimit Sovjetik! Europa e sotme shihet qartë se nuk është e aftë të formulojë një strategji të vetën ndaj Rusisë, ndaj Kinës, ndaj Iranit e gjer edhe ndaj Turqisë.  Shuplakat e Trump, duket se e kanë turbulluar jo pak Kontinentin e Vjetër, që tashmë është i vjetër në të gjithë senset, është në një fazë të patrukueshme më të dekadencës politike, ekonomike e sidomos morale. Është krejt e qartë përse Britania e Madhe doli nga BE-ja. Ata janë një komb i fortë dhe luftarak e mbi të gjitha, nuk janë një komb që ndokush e ka shpëtuar dhe as një komb i pushtuar. Në Europë, vetëm britanikët dhe shqiptarët janë çliruar nga kërcënimi nazist me forcat e veta dhe kanë kontribuar për çlirimin e kombeve të tjerë. Në rastin e Britanikëve, ata janë një fuqi çliruese gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Kjo është historia, ndërsa historiografia le të merret me të ashtuquajturën rezistencë franceze!

Europa e sotme është kthyer në një hapësirë ku nga njëra anë mëtohen vlerat dhe normat demokratike, ndërsa nga ana tjetër anashkalohen e injorohen ato si të mos ishin fare të shkruara. Mjafton të marrim shembullin e Italisë, e cila ka patur në vitet e fundit disa qeveri njëra pas tjetrës të pazgjedhura me votën e qytetarëve, por të vendosura në tavolinë; Belgjika ka thyer edhe rekordet e saj pa qeveri politike; as edhe vetë Gjermania nuk është e imunizuar nga kriza e sistemit liberal demokratik.  Është e qartë se demokracia në Europë është në një fazë soference, por Europa vazhdon t’i japë leksione të tjerëve mbi demokracinë, gjer edhe Amerikës dhe Britanisë së Madhe. 

Përpos këtij aspekti, ajo çka është e rëndësishme, qëndron në faktin se Europa nga njëra anë po tregohet e paaftë të përballojë sfidat e kohës e nga ana tjetër e paaftë të përditësohet si një aleat i vlefshëm i SHBA. Mjafton të vërehet qëndrimi i ndryshëm europian në rastin e Iranit, qëndrimi i përçarë europian në rastin e kërcënimeve të Turqisë për hegjemoni në Mesdhe (!!!), apo qëndrimi diametralisht i kundërt me atë amerikan ndaj Kinës dhe rrezikun sistemik që ajo paraqet sot për rendin ndërkombëtar. Dita ditës zhvillohen elementë dhe ndodhin ngjarje që nxjerrin qartë në pah domosdoshmërinë që Europa të mësohet të marrë përgjegjësitë e veta, në terma konkretë, nëse do të vazhdojë të pretendojë aleancën me SHBA. Kërcënimet përtej e ndaj Perëndimit, si ato me rreziqe afatmesme, ashtu edhe ato me rreziqe afatgjata, janë sot më të dukshme se kurrë. Europa ka një monedhë, Euron, vlera e së cilës është virtuale, pasi nuk përfaqëson një entitet politik të fortë dhe unik. Jo më kot, anglezët e mbajtën Stërlinën e tyre dhe nuk adoptuan Euron. Pa rolin e dollarit amerikan, kjo monedhë do të sekuestrohej brenda një kohe të shkurtër nga rritja e volumit të shkëmbimeve tregëtare ndërkombëtare që sot po kontrollohet gjithnjë e më shumë nga Kina, Partia Komuniste e saj e Xi Jinpingut.  Kjo është një sfidë e paprecedent për Perëndimin, por sidomos për Europën, e cila nuk ka një ushtri të sajën dhe një politkë të jashtëme që flet me një zë. Përpos sfidave të tjera, siç janë varësia energjitike dhe kriptovalutat. Ndërsa kërcënimi nga varësia energjitike është një sfidë e përbashkët, nuk shkojnë në aë drejtim projekte si North Stream, South-Turkish Stream që mund të zgjidhin çështjen e nevojës energjitike të sotme në pak vende, por dobësojnë substancialisht Perëndimin si një të tërë.  Europës i takon që më shumë se kurrë të kërkojë bashkëpunimin dhe jo ndarjen e rrugëve me SHBA, në çështje jetike si marrëdhëniet prodhuese dhe tregëtare brendapërbrenda vetë vendeve të Perëndimit, për të garantuar monedhën, pavarësinë energjitike dhe mbrojtjen e përbashkët. Trump nuk pati sukses kur tentoi të bindë europianët (përveç britanikëve) mbi domosdoshmërinë e përgjegjësive të përbashkëta edhe në krijimin e një tregu të përbashkët prodhimesh e shkëmbimesh. Kjo për arësye se Trump vjen nga bota e biznesit, është njeri praktik, i thjeshtë në arsyetim po aq sa smart. Por ai nuk flet në emër të vetvetes, por të SHBA-ve, të cilët nuk janë pa strategji afatmesme e afatgjatë në këto çështje. Nëse janë vërtetë të artikuluar, siç mëtojnë,  europianët duhet të demonstrojnë se të vepruarit si një bllok i vetëm, i vendeve të cilët i bashkojnë vlera dhe interesa të përbashkët, është jo thjesht e vetëm një domosdoshmëri teorike historike, por një emergjencë historike. Ata duhet t’i bashkohen idesë amerikane se nuk mund të ketë më një Jaltë të dytë që të vendosë mbi fatet e Europës dhe të botës. Nëse me mefshtësinë apo me egoizmin e tyre do të çojnë gjërat në atë drejtim, të parët që do ta pësojnë janë ata vetë. Në mospranimin e një platforme të përbashkët strategjike, ajo që rrezikon më së shumti është BE dhe jo SHBA. Kjo në Europë është kuptuar fare qartë, mjafton të observosh punën e jashtëzakonshme të kryeministrit grek Mitsotakis, i cili edhe pse lider i një vendi të vogël e të varfëruar në vitet e fundit, po i jep sinjale të fortë Europës së mpirë e të mtrashur nga plogështia.

Janë të gjitha gjasat që në zgjedhjet e ardhshme të 3 Nëntorit, të rifitojë Trump një mandat tjetër si President i SHBA. Por Trump o Biden, janë vetëm dy mënyra të ndryshme që përfaqësojnë të njejtën gjë, Amerikën, lidershipi i së cilës është i domosdoshëm për Europën e sotme, ashtu siç është për SHBA kapaciteti i vendeve europiane për të qënë aleatë të sigurtë e të besueshëm. 

M.S.

 

Më shumë

Pandora Papers hap kutinë e sekreteve offshore

Konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë (ICIJ) dhe një grup prej 150 mediash përfshirë edhe seksionin turqisht të DW, zbuluan, se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore.     Investigimi i “Pandora Papres” ka zbuluar, se 35 përqind e udhëheqësve të sotëm dhe të mëparshëm botëror, përfshirë edhe ish-kryeministrin […]

Ballkani Perëndimor: Loja e keqe e vjetër me hartat

Ku gjenden saktësisht kufijtë kombëtarë në Evropën Juglindore? Kësaj pyetjeje nuk ka mundur t’i përgjigjet ende asnjë nga projektet e shumtë për rindarjen e rajonit.   Një plan i parë i përgatitur me ngut për ndarje të Jugosllavisë u zbatua me shpejtësi në vitin 1941: Kur Wehrmacht-i gjerman sulmoi dhe mundi shtetin shumëetnik të […]

9 Maj – 76 vjet nga Fitorja mbi Nazifashizmin

Në këtë 76 vjetor të Fitores mbi Nazifashizmin, arsyet për të kujtuar këtë datë janë më të shumta se kurrë. Ato kanë të bëjnë para së gjithash me krizën aktuale ekonomike të kontinentit europian, një prej dy teatrove kryesorë të Luftës së Dytë Botërore dhe me idenë e Europës së Bashkuar, ide e cila, […]

Pas zgjedhjeve nuk pritet ndonjë ndryshim i madh

Edhe pse rezultati përfundimtar i zgjedhjeve ende nuk është bërë zyrtarisht i njohur, nga Gjermania vijnë reagime nga deputetë të opozitës në Bundestag.   Dy reagimet e para nga Bundestagu për zgjedhjet në Shqipëri vijnë nga opozita. Deputetja liberale, Renata Alt, nuk pret ndonjë ndryshim të madh në Shqipëri, pas zgjedhjeve të 26 […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara