Albanian Profile
e premte 17 shtator 2021
e premte 17 shtator 2021

 

-Akademikët Aleks Buda, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Mahir Domi, personalitete të shquara në fushën e shkencës dhe krijimtarisë

 

Akademikët Aleks Buda, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Mahir Domi, personalitete të shquara në fushën e shkencës dhe krijimtarisë janë vlerësuar ndër vite nga Filatelia Shqiptare. Emrat dhe portretet e tyre vit pas viti janë propozuar që të vendosen në pullat postare.

 

 

1-Akademik Aleks Buda është një personalitet i shkencës historike shqiptare dhe i albanologjisë në tërësi.

 

Aleks Buda, i biri i Dhimitër (Taq) Budës, lindi në Elbasan më 7 shtator 1910. I ati ishte farmacist, delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit, në atë të Elbasanit dhe deputet në dy legjistlatura në Kuvendin Kombëtar.

Aleks Buda, mësimet e para i nisi në shkollën fillore të qytetit të lindjes dhe i vijoi në Lecce të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri, ku më vonë më 1929-n kreu gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vjenës, në Institutin Ballkanistik (1930 – 1935) ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Patsch, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në shoqëninë e studentëve shqiptarë “Albania” të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokin, Qemal Butkën, etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Djalëria” të kësaj shoqërie.

Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi si arsimtar në gjimnazin e Tiranës (që nga shtatori 1939), ndërsa më 1940 -ën transferohet në Liceun e Korçës. Në vitin 1941 shkoi në Itali në Universitetin e Padovës, por pas një viti kthehet në atdhe, për shkak të luftës. Menjëherë pas Çlirimit të vendit punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Më 1946-n punoi si pedagog i Institutit pedagogjik dyvjeçar dhe përgjegjës i seksionit të historisë, sociologjisë dhe ekonomisë dhe ndihmoi në krijimin e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë, etj. Punoi si pedagog i historisë me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957.

Buda ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet. Në vitin 1972 u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë. Ai vuri themele të forta në këtë insititucion duke i shërbyer Shqipërisë, historisë, shkencës e kulturës shqiptare.

Aleks Buda është vlerësuar me tituj dhe dekorata: “Mësues i Popullit”, “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë”, “Urdhrin e Lirisë” të kl. I, etj., ndërsa Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar atë me “Medaljen e madhe të artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi”. Aleks Buda u nda nga jeta më 7 korrik 1993.

***

 

 

2-Dritëro Agolli është një personalitet i shquar i letërsisë shqipe, një nga gazetarët më të shquar, por edhe një personalitet me rol të madh ndikues e përparimtar në jetën politike të vendit.

 

 

Lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë.

Pasi mori mësimet e para në vendlindje dhe vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, ai vazhdoi studimet e e larta në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera.

Krijimtaria letrare e Dritëro Agollit është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme dhe e përkthyer në dhjetëra vende të botës.

Veprat e tij më të njohura janë “Në rrugë dolla” 1958; “Hapat e mia në asphalt:, 1961; “Zhurma e erërave të dikurshme”, 1964; “Shtigje malesh dhe trotuare”, 1965; “Mesditë”, 1968; “Komisari Memo”, roman, 1969; “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, roman 1973; “Nënë Shqipëri”, 1974; “Njeriu me top, 1975”; “Fjala gdhend gurin”, 1977; “Trëndafili në gotë”, roman, 1980; “Fytyra e dytë”, dramë; “Mosha e bardhë”, dramë;  “Udhëtoj i menduar”, 1985; “Njeriu i mire”; tregime; “Arka e djallit”, roman, 1997; “I përndjekuri i dashurisë”, poezi , 2013; “Prit edhe pak”, poezi, 2016., “Pelegrini i vonuar”, 1993; “Kalorësi lakuriq”, roman, 1996; “Vjen njeriu i çuditshëm”, poezi, 1996; “Teshtimat e lirisë : njeriu, politika dhe kultura”, 1997; “Fletorka e mesnatës”, 1998; “Prit edhe pak”, poezi, 2016’ “

E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”, poezi, 2017; “Nulla dies sine linea”, aforizma,  2017, etj.

Dritëro Agolli është dekoruar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai u nda nga jeta më u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë.

***

 

 

3-Dhimitër Shuteriqi (1915–2003) është shkrimtar dhe historian i letërsisë, profesor, akademik. 

 

 

 

Lindi në Elbasan në familjen e Simon Shuteriqit. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1936) dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua për filozofi në Universitetin e Grenoblës (1942). U kthye në atdhe më po atë vit dhe mori pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit pati detyra me përgjegjësi në institucione arsimore, kulturore dhe letrare të vendit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954–1973, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik në vitet 1947–1950, deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1950–1974.

Dhimitër Shuteriqi e nisi veprimtarinë letrare në mes të viteve ’30 me vjersha, tregime dhe artikuj kritikë. Ka botuar, në atë kohë, përmbledhjet poetike “Kangët e rinisë së parë” (1935) dhe “Kangë” (1936), kurse në revistën “Bota e Re” të Korçës artikullin e gjatë “Drejtimet e reja letrare”, ku përkrahen prirjet realiste në krijimtarinë e autorëve të rinj të kohës. Botoi përmbledhjet me tregime “Gurnecka” (1957), “Fyelli i Marsiasit” (1963), “Kënga dhe pushka” (1972), “Maratonomaku ynë” (1977), “60 tregime në një” (1979); vëllime me poezi “Kroje kam et” (1998), “Kangë” (1981); “Buka e thika” (2002), romanin në “Sytë e Simonidës” 1998, etj.

Fusha kryesore e punës së Dhimitër Shuteriqit ka qenë historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, folklori dhe disa figura historike, që është kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash për shkrimet shqipe, rrënjët e traditave letrare-kulturore, figurat e shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore. Dhimitër Shuteriqi është bashkautor dhe redaktor i veprës “Historia e letërsisë shqipe” I, II (1959, 1960); kryeredaktor i veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), botim i Akademisë së Shkencave; autor i monografisë “Naim Frashëri – Jeta dhe vepra” (1982); i traktatit “Metrika shqipe” (1947) dhe i përmbledhjeve me studime “Nëpër shekujt letrarë” (1973), “Gjurmime letrare” (1974), “Autorë dhe tekste” (1977), “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera” (1979), “Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera” (1987), etj.

Ai është një ndër themeluesit e shkollës historiografike letrare në Shqipëri.

Dhimitër Shuteriqi është dekoruar “Mësues i Popullit”, me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.

***

 

 

 

4- Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.

 

 

 

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) , ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe Koha (1976).

Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) ; “Kështjella” (1975); “Kronikë në gur” (1970); “Nëntori i kryeqytetit”, 1974;

“Emblema e dikurshme”-tregime e novella  (1977), “Ura me tri harqe” (1978); “Gjakftohtësia”;  “Kështjella”;  “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Dimri i vetmisë së madhe”; Ura me tri harqe”; “Koncert në fund të dimrit”;  “Aksidenti” ; “Mosmarrëveshja”; “Dosja H.”; Eskili, ky humbës i madh”, “Çështje të marrëzisë”; “Kamarja e turpit” “Vajza e Agamemnonit”; “Spiritus”; “Lulet e ftohta të marsit”; “Darka e gabuar”; “E penguara”; “Dantja i pashmangshëm”, “Përballe pasqyrës së një gruaje”; “Mëngjeset në Kafe Rostand”, etj.

Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Që nga viti 1994 ai është anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.  Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias per Letersi”, nje nga çmimet me prestigjoze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi.

Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

***

 

 

5- Akademik Mahir Domi (1915–2000) është gjuhëtar, profesor, akademik,

 

 

 

Lindi në Elbasan. Studimet e mesme i nisi në Normalen e Elbasanit dhe i vazhdoi e përfundoi në Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1937). Ndoqi studimet e larta për filologji klasike dhe u diplomua në Universitetin e Grënoblës (Francë) më 1941. Po atë vit filloi punën si mësues e më pas si drejtor në Shkollën Normale të Elbasanit. Që nga viti 1947 punonjës në Institutin e Shkencave, njëkohësisht pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik. Mori pjesë në hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954). Me themelimin e UT u caktua përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe (1957–1962) dhe i sektorit të gramatikës e dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1957–1991).

Është një ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj. Veprimtaria shkencore e Mahir Domit shtrihet në shumë fusha të shkencave filologjike: në gramatikë (sintaksë e morfologji), histori e gjuhës, histori e albanologjisë, dialektologji e onomastikë, gjuhësi normative dhe kulturë e gjuhës, kritikë shkencore, histori e letërsisë etj. Ai drejtoi punën për ngritjen e kartotekës së gramatikës dhe për hartimin e veprës “Gramatika e gjuhës shqipe” (në dy vëllime, është kryeredaktor, redaktor e bashkautor i vëll. II “Sintaksa”. Ka hartuar tekstet universitare “Morfologjia historike e shqipes” (1961) dhe “Sintaksa e gjuhës shqipe”, pjesa I (1968), pjesa II (1969).

Në fushën e historisë së gjuhës ka shkruar disa artikuj e referate për problemin e origjinës së gjuhës shqipe dhe për çështje të marrëdhënieve të gjuhës shqipe me gjuhë të Ballkanit, sidomos me rumanishten, si: “Prapashtesa ilire dhe shqipe, përkime dhe paralelizma” (1974), “Konsiderata mbi tiparet e përbashkëta të shqipes me gjuhët ballkanike dhe mbi studimin e tyre” (1975), “Mbi disa përkime dhe paralelizma sintaksore shqipe-rumune” (1977), “Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe, arritje dhe detyra” (1982). Mahir Domi ka dhënë kontribute të shumta për për fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe e tekstet e vjetra shqipe, për probleme të shqipes letrare gjatë Rilindjes, për gjuhën standarde, për kulturën e gjuhës. Ka qenë anëtar i komisioneve për hartimin e projekteve të drejtshkrimit (1956, 1967) dhe të veprave “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor” (1976), “Rregullat e pikësimit në gjuhën shqipe” (1981, 2002). Anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ka marrë pjesë në komisionet hartuese të një vargu fjalorësh terminologjikë, ndër të cilët edhe “Fjalori i termave të gjuhësisë” (1975). Mahir Domi është edhe autor i veprave Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”; përmbledhjen “Dialektologjia shqiptare”; ishte gjithashtu nismëtar i mbledhjes së lëndës onomastike dhe i themelimit të një kartoteke të veçantë, bashkautor i pyetësorit për mbledhjen e toponimisë dhe autor i disa artikujve nga kjo fushë. Mahir Domi është autor i pjesës për letërsinë e vjetër shqiptare dhe letërsinë me alfabet arab në veprën “Historia e letërsisë shqipe”, vëll. I (1959), botim i UT, si dhe një ndër redaktorët e veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), botim i ASHSH.

Mahir Domi është dekoruar “Mësues i Popullit”; ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.

 

 

 

Më shumë

Theodhor Kavalioti (1718-1797) – Mendimtar dhe filozof iluminist

Mendimtar dhe filozof iluminist. Lindi dhe vdiq në Voskopojë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i plotësoi në Janinë. Pas studimeve u kthye në Voskopojë, ku zhvilloi veprimtari pedagogjike e shoqërore. Më 1743 u emërua mësues dhe më pas drejtor i shkollës, e cila me përpjekjet e tij u ngrit në rangun […]

175-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (1846-1900)

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën […]

Dervish Hima – Atdhetari, publicisti dhe diplomati shqiptar

Më 21 maj të vitit 1928 vdiq Dervish Hima atdhetar, publicist e diplomat shqiptar. I njohur me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, Hima lindi në Ohër më 21 maj të vitit 1875, në një familje të pasur, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Manastir dhe Selanik dhe për dy vjet […]

Mehmet Ali Vrioni, Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878

Më 13 maj të vitit 1842  lindi Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetar, politikan, diplomat shqiptar e nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Ali Pashë Vrioni është babai i Kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni. Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara