Palët politike arritën mbrëmjen e së premtes marrëveshjen për reformën zgjedhore. Zgjidhja erdhi pasi u kapërcye ngërçi që lidhej me një prej rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it, lidhur me depolitizimin e administratës zgjedhore. Edhe për zgjedhjet e ardhshme politike dhe vendore, do të mbetet e njëjta strukturë me përfaqësuesë të partive politike.
Shumica vendosi të tërhiqej nga këmbëngulja e saj për të nisur zbatimin e depolitizimit, pasi opozita, pa me dyshim formulat e propozuara për këtë qëllim, sipas të cilave në komisionet zgjedhore do të angazhoheshin nëpunës të administratës publike.
“Partia Demokratike nuk ishte gati. Ne nuk donim që PD të kundërshtonte me çdo kusht këtë ligj zgjedhor dhe pse jo të shërbente si sebep që nesër të mos njihnin zgjedhjet. apo madje të mos hynte në zgjedhje. Sakrifikuam dhe rekomandime të rëndësishme të ODIHR-it, vetëm që PD të hyjë në garë politike. Kjo është gjëja më e rëndësishme që u arrit”, deklaroi përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik Damian Gjiknuri.
Por sipas përfaqësuesve të opozitës, Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së,
“opozita propozi sot në orën 10 zgjidhjen për depolitizimin e administratës e cila u refuzua. Shumica u përpoq të kapte komisionet zgjedhore. Nuk i kapi dot dhe u tërhoq”. Ata bënë të ditur se palët kanë rënë dakort për zbatimin e identifikimit biometrik 100 përqind, si dhe për riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Në fakt për identifikimin biometrik, palët sipas tekstit të marrëveshjes “zotohen të mbështesin zbatimin për 100 përqind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, nëse është teknikisht i arritshëm”. Vlerësimi do të bëhet nga KQZ-ja, me mbështetjen e një ekspertize ndërkombëtare, ndërsa Qeveria, garanton fondet në kohë për zbatimin, aq sa është teknikisht i mundshëm”.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila së bashku me ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca, nxitën fuqimisht arritjen e një kompromisi mes palëve, tha pas mbledhjes së Këshillit Politik, ku ishte e pranishme se “secila parti e secili person dha kontributin e tij, por edhe ka hequr dorë nga diçka. Dhe e bënë këtë gjë që të jetë Shqipëria ajo që përfiton. Ky është një moment krenarie”, theksoi ajo duke shtuar se “disa do ta kritikojnë këtë marrëveshje, si jo të mjaftueshme, por po ta shikojmë në një kuadër më të gjerë, ky është një hap i madh përpara, dhe shpresoj të jetë dicka nga e cila secili mund të përfitojë”.
Ndërsa në një deklaratë të shpërndarë më pas ambasada amerikane vë në dukje se “marrëveshja po ashtu ndërmerr hapa për të depolitizuar administrimin zgjedhor në Shqipëri, duke siguruar më shumë transparencë dhe pavarësi më të madhe të personelit të zgjedhjeve. Disa masa depolitizimi do të hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa disa masa shtesë do të hyjnë në fuqi menjëherë më pas. Kjo marrëveshje duhet t’iu japë shqiptarëve më shumë besim në mbikqyrjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet përfshirjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun”, nënvizon deklarata.
Nga ana e tij ambasadori Soreca u shpreh gjithashtu se BE-ja e mirëpriste marrëveshje e cila “ka ardhur si rezultat i një procesi gjithë përfshirës që ka filluar në janar. Të mërkurën ne patëm një marrëveshje të mirë, pas një diskutimi të gjatë, por ju e dini që ka qenë opozita e bashkuar që ka kërkuar që të shikonte dhe shqyrtonte më tej detaje të tjera që lidhen me depolitizimin e administrimit zgjedhor. Kjo është në linjë me rekomandimet e OSBE-ODIHR, dhe ne e mbështesim. Bazuar në këtë shumica e pranoi ndryshimin dhe kemi marrëveshjen”, – shpjegoi ambasadori Soreca. Ai theksoi më tej se “prej kësaj mbrëmjeje, Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian, sepse një nga kushtet për çeljen e negociatave, do të përmbushet së shpejti. Kjo vjen edhe në një moment shumë të mirë, pasi javën që vjen. Komisioni Europian, do të propozojë edhe kuadrin e negociatave që do të jetë baza për integrimin në BE. Kështu që le të ecim përpara”, tha zoti Soreca.
Marrëveshja u përshëndet dhe nga Prania e OSBE-së në Tiranë. “Është për t’u lavdëruar fakti që të gjitha partitë politike u bënë pjesë e këtij procesi dhe që propozimet e tyre konstruktive si edhe aftësia e tyre për të bërë kompromis e për të pranuar pikëpamje të ndryshme kontribuan në një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë në Shqipëri, në dobi të qytetarëve shqiptarë”, nënvizohet në një deklaratë të shpërndarë në mbrëmje. “Ne shpresojmë që të gjitha ndryshimet e dakordësuara të miratohen në Kuvend sa më shpejt që të jetë e mundur”, – shprehet OSBE-ja.
Marrëveshja përbëhet nga dymbëdhjetë pika që specifikojnë me detaje mënyrën se si do të ndryshojë procesi.
1. Identifikimi elektronik
ODIHR rekomandon përfshirjen graduale dhe i ka sugjeruar në komente Këshillit që çdo tranzicion i identifikimit elektronik, votimit apo numërimit duhet të fillojë me një program pilot që përbëhet nga jo më shumë se 20 për qind e votuesve që Këshilli ka këshilluar. Partitë duhet të angazhohen të mbështesin zbatimin e identifikimit elektronik që duhet të përbëjë 100 për qind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme në atë shtrirje që është teknikisht e zbatueshme. Zbatueshmëria do të përcaktohet nga KQZ e mbështetur prej ekspertëve ndërkombëtarë. Qeveria e Shqipërisë garanton financimin në kohë për zbatimin aq sa është teknikisht e mundur.
2. KQZ
KQZ do të ketë një nënkomisioner, që do të jetë në krye të përcaktimit të zbatueshmërisë dhe zbatimit të identifikimit biometrik të votuesve. Nënkomisioneri duhet të ketë përgjegjësi të përbashkët dhe të barabartë me kryetarin për përzgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e identifikimit biometrik për votuesit. Nënkryetari duhet të monitorojë dhe ushtrojë mbikëqyrje mbi rekrutimet dhe skemën e trajnimit për komisionerët i ndihmuar nga një ekspert ndërkombëtar. Një tjetër ekspert ndërkombëtar do të mbështesë KQZ dhe nënkomisionerin në trajnime për zbatimin e identifikimit biometrik të votuesve.
3. KQZ
Struktura e KQZ duhet të përbëhet nga rregullatori (pesë anëtarë); apeli (pesë anëtarë); dhe një kryetar ekskluziv dhe nënkryetar ekzekutiv. Anëtarët do të dakordësohen në proporcion shumicë-pakicë në organet rregullatorë dhe të apelit. Komisioneri i shtetit do të zgjidhet përmes konsultimit.
4. Numërimi
Dy zyrtarë jo-politikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetrin ndihmon, ndryshojnë rolet në çdo kuti votimi. Anëtarët e mbetur do të jenë ose dy monitorues secili nga qeveria dhe opozita; ose tre vëzhgues secili nga qeveria dhe opozita; ose një monitorues nga secili prej katër partive kryesore parlamentare që kanë dalë nga zgjedhjet e vitit 2017.
5. Qendrat e votimit
Dy anëtarë të komisionit kanë të drejta dhe përgjegjësi të kufizuara tek monitorimi dhe kontestimi (titulli do të përcaktohet) një nga qeveria dhe një nga pakica, dhe tre të përcaktuar me short nga KQZ, nga të cilët vetëm një do të veprojë si kryetar dhe do të ndërmarrë vendime. Dy të tjerët do të shërbejnë si ndihmës të kryetarit pa të drejta vote.
6. KZAZ
Duhet të ketë të njëjtë strukturë si qendrat e votimit.
7. Kolegji Zgjedhor
Kolegji Zgjedhor duhet të zgjidhet nga gjykatësit që e kanë kaluar procesin e vetingut.
8. Procesi i Apelimit
Procesi i dëgjesave të apelimit të Kolegji Zgjedhor mbetet i pandryshuar (dmth seancat dëgjimore nuk do të nisin në Gjykatën Kushtetuese).
9. Depolitizimi
Nuk do të bëhen ndryshime në administratën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore. Nëpunësit publikë do të mund të jenë pjesë e administratës zgjedhore në zgjedhjet (parlamentare dhe vendore) duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme. Reforma në vazhdim e administratës politike në Shqipëri do të ketë më në fokus depolitizimin e shërbimit publik.
10. Miratimi
Të gjitha propozimet e rëna dakord do të hartohen në ndryshime ligjore që do të shqyrtohen dhe kontrollohen nga Këshilli Politik për të reflektuar siç duhet marrëveshjen PËRPARA se të kalojë në parlament, PA NDRYSHIME të mëtejshme. Nëse propozohen ndryshime ligjore teknike të këtyre amendamenteve nga organet parlamentare, ato DUHET të miratohen nga Këshilli Politik PËRPARA se të votohen.
11. Masat shtesë
Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: (1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.
12. Hyrja në fuqi
Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.
*Shënime
Propozimi për qeverinë tranzitore dhe drejtorin e përgjithshëm tranzitor të policisë nuk do të përbëjnë kusht për miratimin e atyre sa më sipër.
Nuk pati konsensus në ndryshimin e sistemit.
Nenkryetari i LSI, Petrit Vasili, Ish deputeti, Oerd Bylykbashi, Bashkekryetaret e Komisionit te Posacem te Reformes Zgjedhore, deputetet, Rudina Hajdari, Damian Gjiknuri, ne tryezen e thirrur per reformen zgjedhore, per te cilet palet rane dakord qe te krijohet nje Keshill Politik me te gjitha partite dhe te kerkohet asistence nga OSBE/ODIHR,per cdo paqartesi./r/n/r/nSMI’s Vice Chairman, Petrit Vasili, Former MP Oerd Bylykbashi, Co-Chairs of the Special Electoral Reform Commission, MPs Rudina Hajdari, Damian Gjiknuri, sit at a table called for electoral reform, for which the parties agreed to establish a Political Council with all parties, and seek to the assistance of the OSCE / ODIHR for any uncertainty.
Basha në Kuvend, Berisha në referendum, kundër njëri tjetrit
Berisha sfidon Bashën; hyn me të vetët në selinë e PD-së
Kuvendi i Berishës, shkarkon Bashën
Çarja e PD/ Basha mbush sallën Anti-Foltore, Berisha: Kuvendi i 11 Dhjetorit në Air Albania
Dy kuvendet e PD, si po përgatiten strukturat për 11 dhe 18 dhjetorin
“O Sali o hero, Amerika ty të do!”/ Shpërthejnë demokratët në New Jersey. Berisha: U shpalla non-grata prej lobimit të Soros dhe Ramës
Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA. Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]
Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij. Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të […]
Miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore është tërhequr nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Vendimi ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj. Kjo për faktin se palët ende nuk janë dakordësuar për objektin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. […]
Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin që do të votohet ditën e sotme mbi konventën e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit. Sipas saj kjo konventë do të bëjë që çdo shtetas apo biznes që zhvillon […]