e premte 19 gusht 2022
e premte 19 gusht 2022

 

 

Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të ndihmojnë Australinë të ndërtojë një flotë nëndetësesh me energji bërthamore, tha të mërkurën Presidenti Joe Biden, ndërsa udhëheqësit e të tre vendeve njoftuan një partneritet të ri trepalësh të sigurisë, të fokusuar në rajonin e Indo-Paqësorit

 

Presidenti Biden zhvilloi një takim virtual me Kryeministrin e Australisë, Scott Morrison dhe atë të Britanisë, Boris Johnson, ndërsa udhëheqësit njoftuan një partneritet të ri, i cili do të njihet shkurtimisht si “AUKUS”. Presidenti Biden theksoi rëndësinë e marrëveshjes trepalëshe

 

“Po ndërmarrim një hap tjetër historik për të thelluar dhe zyrtarizuar bashkëpunimin mes tre vendeve tona, sepse ne e kuptojmë domosdoshmërinë e sigurimit të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Azi-Paqësor. Duhet të jemi në gjendje të trajtojmë situatën aktuale strategjike në rajon dhe se si mund të evuluojë ajo, sepse e ardhmja e secilit prej vendeve tona, dhe padyshim e botës, varet nga një rajon Indo-Paqësor i qëndrueshëm, i lirë, i hapur dhe që lulëzon për dekadat që vijnë”, tha Presidenti Biden.

 

Të tre udhëheqësit theksuan se flota e nëndetëseve australiane nuk do të mbante armë bërthamore. Kryeministri australian Scott Morrison tha se vendi i tij do të bashkëpunojë ngushtë me Uashingtonin dhe Londrën.

 

“Gjatë 18 muajve të ardhshëm ne do të punojmë së bashku për të gjetur dhe përcaktuar mënyrën më të mirë për të arritur këtë synim. Do të shqyrtojmë në mënyrë intensive se çfarë duhet të bëjmë për të ushtruar përgjegjësitë tona bërthamore në Australi. Këto nëndetëse synojmë t’i ndërtojmë në Adelaide në bashkëpunim të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Morrison.

 

Nga ana e tij, udhëheqësi birtanik Boris Johnson tha se partneriteti i ri mes tre vendeve tregon përkushtimin për një të ardhme më të sigurtë të rajonit dhe botës.

 

“Po hapim një kapitull të ri të miqësisë tonë. Detyra e parë e këtij partneriteti do të jetë të ndihmojmë Australinë të pajiset një flotë nëndetësesh me energji bërthamore. Duhet të theksoj se enegjia e përdorur në nëndetëse do të prodhohet nga reaktorë bërthamorë dhe nuk do të kenë armë bërthamore. Gjithçka do të kryhet në përputhje me detyrimet tona të mospërhapjes së armëve bërthamore.”

 

Në bazë të partneritetit të ri, të tre vendet do të ndajnë më lehtë të dhëna dhe ekspertizë në fusha të rëndësishme teknologjike si inteligjenca artificiale, teknologjia kuantike dhe kibernetike, sistemet nënujore dhe aftësitë e goditjeve me rreze të gjerë veprimi.

 

Sidoqoftë, asnjë nga tre udhëheqësit nuk e përmendi Kinën gjatë takimit virtual. Analistët e shohin këtë partneritet si një manovër të aleatëve perëndimorë përballë forcimit ushtarak dhe teknologjik të Pekinit. VOA

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara