e diel 5 dhjetor 2021
e diel 5 dhjetor 2021

 

Do të kishte qënë disi e pritshme që në Ballkanin e gjendur shpesh në një fazë historike të ndërmjetme, kriza e sotme, nga njëra anë ajo e sistemit centrifugal liberal dhe nga ana tjetër ajo e shkaktuar nga forcat centripete sovraniste, të kishte marrë shprehje e trajta më të pranishme, si në zhvillimet e brendshëm, ashtu edhe në zhvillimet rajonalë. Duket se, pavarësisht ndikimeve të pashmangshme të forcave të ndryshme, vendet e Ballkanit Perëndimor, me ndonjë përjashtim të pjesshëm, nuk e kanë humbur gjithsesi busullën e orientimit drejt BE dhe NATO-s (vetëm Serbia sanksionon mospërfshirjen në NATO). Tema e orientimit drejt integrimit europian mbetet gjithsesi një temë qendrore e zhvillimeve të brendshëm në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovën, megjithë dinamikat e vektorëve të brendshëm në këto vende, që e bëjnë më të largët apo më të afërt objektivin e vektorit rezultant: BE-në.

Në këtë fazë historike, retazhet e idesë një komb- një shtet dhe shfaqjet antieuropiane dhe antiglobaliste, megjithë shprehjet e veçanta të tyre që nuk mungojnë, nuk kanë dominuar skënën politike rajonale, pasi ato bien në kundërshtm të hapur me domosdoshmërinë e integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Europian. Kjo aspiratë, që më së shumti është një nevojë historike e popujve dhe e vendeve të Ballkanit, është padyshim një proçes që në mënyrë të pashmangëshme shoqërohet edhe me një humbje substanciale të sovranitetit, teorikisht në këmbim të zhvillimit dhe të sigurisë, paraqitet si një evolucion i rendit të Kartës së Kombeve të Bashkuara edhe në këtë pjesë të Europës.

Ristrukturimi politiko-social i Ballkanit ka përfshirë si krijimin dhe konsolidimin e shoqërisë civile, ashtu edhe emancipimin e klasave politike të vendeve ë tij, proçese që nuk kanë ecur gjithnjë me të njejtin ritëm dhe pa kontradikta.

Në dy-tre dekadat e fundit, vendet e Ballkanit adaptuan një sërë prej formulimeve tipike të sistemit aktual liberal, atij të mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuar, i cili nuk vendos sovranitetin e shteteve si prerogativë të parë të zhvillimeve të brendshëm e ndërkombëtarë, por i lë kapacitet konsultues e herë-herë pjesmarrës në vendimmarrje një sistemi të tërë retikular, që përfshin një gamë të gjerë elementësh juridikë jo më eskluzivisht shtetërorë, por edhe subpolitikë.

Në pamje të parë duket sikur kjo galaktikë globale në ekspansion e sipër, të përbërë prej të një numri gjithnjë e më të madh mekanizmash dhe organizmash subpolitikë, si fondazione, organizata joqeveritare, shoqata me karakter politik, etnokulturor, forume dhe ente që përfaqësojnë minoranca etnolinguistike, orientime ideologjike, seksuale, njësi ekonomike të vogla e të mëdha që bashkëadministrojnë sektorë ekonomikë më parë eskluzivë të shteteve, etj.,etj., është një nga derivatet e shtrirjes së sistemit demokratik, edhe pse në vetvete nuk vuan nga asnjë nga problematikat tipike të sovranitetit që përballon ky sistem. Për më tepër, dikujt edhe i ka shkuar ndër mend ta pagëzojë me emrin tërheqës “shoqëri civile” e cila mëton se po zhvillohet sipas “Modelit të Kartës së Kombeve të Bashkuar”, ndaj edhe bartëse e një lloj pushteti politik gjithnjë e më konsistent, si brenda shteteve, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nga pikpamja e ndërtimit të së ashtuquajturës “shoqëri civile e përfaqësuar”, në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ende shumë për të bërë, por gjithsesi këto vende nuk kanë pse t’i kenë zili asgjë Europës për laryshinë e shprehjeve dhe kategoritë sociale të përfshira.

Në këtë kontekst shumëfaktorial, ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor u kërkohet të përmbushin njërin kriter pas tjetrit e kapituj të tërë kriteresh për të mundur një hap më shumë drejt integrimit në BE, ajo çka këto vende nuk mund të mos e shohin qartë është fakti se ndërkohë, jo vetëm Brexit, por edhe probleme të dukshëm në kuadrin e parneritetit për mbrojtjen e përbashkët si dhe lëvizje sovraniste në rritje në shumë vende shprehin qartë krizën e sistemit europian. Kjo krizë e sistemit liberal duket qartë edhe në një plan më të gjerë, në faktin që SHBA nën administratën Trump është përqëndruar më së shumti e ndoshta legjitimisht në çështje të interesit amerikan; po ashtu, së fundmi Rusia, me ndryshimet themelore në Kushtetutën e saj, sanksionoi përparësinë e ligjit kombëtar mbi atë ndërkombëtar; Kina, e cila bën sikur i ka pranuar rregullat e lojës të sistemit liberal, me mënyrën se si kërkon të shtrihet në të gjithë botën, jep shenja të qarta se kërkon të jetë aktore determinante e rregullave të reja në një rend të ri ndërkombëtar; India dhe vende të tjerë emergjentë si Turqia, po shprehin qartë se rregullat e sistemit aktual ndërkombëtar i rrijnë ngushtë; vendet shkaktuese dhe humbëse të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania, Japonia dhe pjesërisht Italia, prej vitesh shprehin tendenca të rivendosjes së plotë të sovranitetit në vendimmarrje, veçanërisht në çështjet e burimeve të energjisë dhe të armatimit.

Në këtë panoramë të përgjithshme, vendet e Ballkanit perëndimor që janë ende jashtë sistemit të BE-së, pyesin legjitimisht nëse sensi i orientimit drejt integrimit në BE është në të njejtën kohë një perspektivë, apo po rreken t’i bashkohen një Europe që e ka ezauruar sensin e saj historik, një Europe që, pas rënies së Murit të Berlinit, nuk gjen më forcën kohezive që e mbante të bashkuar dhe tashmë po ecën vetëm për shkak të inercisë?

Si duhet ta perceptojnë BE-në vendet e Ballkanit Perëndimor kur, pas krizës greke, pas Brexit, pas tendencave të qarta për një Italexit të pritshëm dhe të tjera tendencave centrifugale, gjer edhe në vende që janë më së shumti të rinj në Union?

Si duhet ta perceptojnë BE-në vendet e Ballkanit Perëndimor ndërsa u është e qartë se cilido problem serioz e konflikt që ka ndodhur mes tyre dhe në periferi të BE-së nuk është kjo e fundit forca incizive e zgjidhjes, por SHBA dhe akordet e mundshëm ndërkombëtarë të tyre me Rusinë, për sa i përket Europës? Shembujt janë të qartë: konflikti makabër mes sllavëve në Bosnjë-Hercegovinë, konflikti kosovaro-serb dhe statusi i Kosovës, konflikti në Ukrahinë, kolapsi financiar i Greqisë, kriza e emigrantëve, etj..;

Ç’mund të thuhet brenda klasave politike dhe opinionit publik në vendet e Ballkanit Perëndimor mbi gjendjen soferente të demokracisë në shumë vende europiane? Mjafton të marrësh si shembull Italinë, e cila, instabilitetit kronik politik të saj, i ka shtuar në vitet e fundit faktin që të paktën katër qeveri nuk kanë qënë fryt i zgjedhjeve të lira, por të vendimmarrjeve në ndonjë tavolinë diku gjetkë.

Të mos harrojmë se historikisht, Ballkani është teatri nga ku u nis dhe ku përfundoi Lufta e Parë Botërore (Sarajevë dhe Vlorë), e cila shënoi tronditjen e parë të madhe të sistemit vestfalian europian dhe botëror, teatri ku që në fillim të Luftës së Dytë Botërore (kriza e dytë e madhe e këtij sistemi) u mat raporti i forcave si midis palëve në konflikt, ashtu edhe mes “aleatëve” në të dy blloqet, teatri politik ku është shprehur më qartë se kudo tjetër në Europë raporti i forcave midis sistemit liberal të bllokut perëndimor me në krye SHBA dhe sistemit të ekonomisë së planifikuar të bllokut lindor me në krye Bashkimin Sovjetik. Ballkani është gjithashtu teatri i ngjarjeve që kanë paralajmëruar së hershmi krizën e sistemit liberal menjëherë pas rënies së bllokut komunist; dizintegrimi jopaqësor i ish-Jugosllavisë është shprehja më e ekzaltuar e këtij proçesi, inerzia e të cilit shpreh ende forza jo të papërfillshme në realitetin politik të këtyre vendeve. Në këtë kontekst, Ballkani u shndërrua në teatrin e ngjarjeve që zbuloi para syve të të gjithëve mungesën e konsistencës së Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e krizave të dimensioneve të tillë. Gjithnjë, të mos harrojmë se Ballkani edhe pse, padyshim, nuk është kërthiza e botës, mbetet gjithsesi barometri i Europës.

Nën këto këndvështrime, shkalla e afrimit dhe e integrimit të vendeve ballkanike në sistemin aktual europian, veçmas apo e të gjithë rajonit në tërësi, është markator i besueshëm i kapacitetit të Europës për të homogjenizuar proçesin që rreket ta transformojë Kontinentin e Vjetër jo vetëm në një forcë unike në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe në një model zhvillimi. Edhe pse Ballkani, me zhvillimet e brendshëm e të jashtëm të tij, vazhdon të jetë matësi më i besueshëm i krizës së sistemit liberal në Europë, grupi udhëheqës i BE-së duket se nuk po e përtyp dot mirë faktin se kriza e ideve dhe e perspektivës, aktualisht shumë evidente në Ballkan, nuk është thjesht dhe vetëm çështje e prapambetjes që klasat politike lokale kanë krijuar në proçesin e integrimit në BE, por është pasqyrë e krizës së ideve dhe të perspektivës që po përjeton prej vitesh Kontinenti i Vjetër dhe bota liberale në përgjithësi.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara