e premte 28 janar 2022
e premte 28 janar 2022

 

Ish kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, forcës politike të cilën ai e themeloi në vitin 1990, dhe që e udhëhoqi deri në vtin 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të atij viti. Vendimin për ta lënë atë jashtë e bëri të ditur sonte, kryetari demokrat Lulzim Basha, në një deklaratë publike, duke shpjeguar se ky akt vjen pasi Departamenti amerikan i shtetit i ka ndaluar ish kryeministrit dhe ish presidentit të vendit, dhe familjes së tij, hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara..

 

“Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, zoti Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, deklaroi Basha duke shtuar se “kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës”.

 

Basha i kushtoi një pjesë të mirë të fjalës së tij vlerësimit të figurës së zotit Berisha. “Ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e zotit Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike”, u shpreh kryetari demokrat, ndërsa nënvizoi më tej se “ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë”

 

Sipas Bashës, vendimi për të lënë jashtë grupit parlamentar demokrat zotin Berisha lidhet pikërisht me këtë interes. “Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona. Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Basha.

 

Disa javë më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, kërkoi publikisht, pas një takimi me zotin Basha, distancimin e partisë Demokratike nga Berisha, duke bërë të ditur se priste një reflektim për çështjen para nisjes së sesionit parlamentar.

 

Nga ana e tij ish kryeministri Berisha reagoi ashpër ndaj deklaratave të zonjës Kim, duke deklaruar se ai nuk do të heqë dorë nga mandati i tij dhe se PD duhet të kërkonte prova e fakte.

 

Sonte, pas vendimit të shpallur nga Basha, ish udhëheqësi historik i demokratëve u shpreh me tone zhgënjyese. “Vendim jashtë çdo lloj norme staturore e ligjore të vendit. Një vendim të tillë një njeri që respekton parimet më elementare të një force politike të lirë nuk mund ta marrë. Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka patur, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë, zoti Basha duhet të konsideronte dorëheqjen e tij se sa të dorëzonte sovranitetin e PD-së”, deklaroi ai në një intervistë në televizionin Syri.Tv.

 

Për zotin Berisha, vendimi i kryetarit Basha është “asgjesues për Partinë Demokratike”. Ai tha se “e kuptoj presionin e madh, por njeriu i civilizuar ndodhet para rrethanave që nuk pranon kurrë një vendim i cili faktikisht asgjëson forcën politike opozitare, PD. Për të marrë një vendim të tillë, zoti Basha duhet të mblidhte kongresin e PD-së, të ndryshonte statutin e PD-së, të vendoste një nen në statut në të cilin të sanksionohej, përjashtimi nga grupi i personave të cilët përcaktohen “non grata” nga SHBA-të apo një vend tjetër. Ky nen nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë pa transparencën. Në këtë kontekst, për interesa apo qëllime të caktuara, shpalli një vendim që është nul, se është një vendim i tij dhe asnjë forumi të PD-së”.

 

Me një ndikim ende të fortë në PD, zoti Berisha foli me terma të përgjithshme për lëvizjet e tij të ardhshme, por duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të qëndrojë duarkryq. “Do të bëj gjithshka për rivendosjen e sovranitetit të PD-së, rikthimin e saj në ato parime të cilat i shkelmoi sot në mënyrë të paimagjinueshme, Lulzim Basha dhe pa të cilat, forca politike është një fasadë opozitë””, deklaroi ai, pa dhënë detaje, në një tjetër intervistë, për televizionin Klan.

 

Vendimi i njoftuar nga zoti Basha, ka sjell pështjellim në radhët e deputetëve të PD-së. Mbledhja e grupit parlamentar, e zhvilluar menjëherë pas deklaratës së kryetarit demokrat, është zhvilluar në një atmosferë jo pak të tensionuar, ku nuk kanë munguar zëra që e kanë kritikuar ashpër zotin Basha, duke e akuzuar atë se ka vrarë PD dhe se ka mohuar historinë e kësaj force politike.

 

 

Reagimet:

 

Largimi i Berishës, kush e mbështeti dhe kush e kundërshtoi Bashën

Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga grupi parlamentar i PD themeluesin e saj Sali Berisha, brenda kësaj force kanë lindur zërat pro dhe kundër vendimit. Në mbledhjen që sapo përfundoi, deputetët Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula, Tomor Alizoti dhe Agron Gjekmarkaj kanë dalë pro vendimit të Bashës, ndërkohë që kundër tij ka qenë një grup prej 7 deputetësh.

 

Sipas informacioneve jozyrtare, deputetët Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Luçiano Boçi, Bujar Leskaj dhe Alban Vokshi kanë kundërshtuar vendimin e kryetarit.

 

Në dalje të mbledhjes, Flamur Noka tha: “Sali Berisha është njeriu më proamerikan i 30 viteve të fundit të demokracisë. Berisha themeloi PD-në u ngrit kundër regjimit mbi vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane u themelua PD. Busulla ka një dhe vetëm një e Berishës dhe e PD-së: Orientimi i euroatlantik. Në lidhje me vendimin Berisha po ecën në drejtimin që ka mbajtur. Përjashtimi është mohim i Partisë Demokratike, është të mohosh suksesin e kësaj force. Arsyet pse e ka marrë këtë vendim i di kryetari sepse e ka marrë vetë”.

 

Largimi i Berishës, reagon dhëndri i tij: Po e shtyjnë të bëhet legjendë 

Njëkohësisht ka reaguar edhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës i cili përmes një postimi në Facebook, shprehet se tashmë Berishën po e shtyjnë të bëhet legjendë.

“Berisha ka qene hero i democracise, tash po e shtyjne te behet legjende. Se pa asnje pushtet mbi bote po sfidon kryediplomatin e botes ne gjyq dhe po deklarohet burrerisht kundra Soros qe ka fut ne xhep gjithe politikanj, media, ojq e dreqtesi. Forcen me te madhe ka qe eshte vetvetja, burri me i ndershem ne kete vend dhe per pasoje i pashantazhueshem”, shkruan malltezi ndërsa e shoqëron postimin me një foto të Berishës dhe ish-presidentit Bush.

 

Berisha: Do të krijoj aleancë me çdo demokrat

Sali Berisha tha në një lidhje në emisionin “Opinion” se do të marri çdo aksion për të vendosur sovranitetin e PD.

“Do të krijoj aleancë, do të bashkëpunoj me çdo demokrat që beson se ky vend do të ketë opozitë sovrane, do të ketë PD sovrane”, tha ndër të tjera Berisha.

 

Pjesë nga intervista

 

Fevziu: A u zhgënjeve që e morë dhe zgjodhe Lulzim Bashën në krye të PD?

Berisha: Absolutisht nuk zgjodha unë, e zgjodhën anëtarët e PD në një garë të hapur, por për vendimin e tij të sotëm mendoj se për interesa të veta ai i ka bërë goditjen më të rëndë, vendit, PD-së dhe pluralizimit në Shiqëpëri.

 

Cili do të jetë reagimi juaj?

Ajo që kam shprehur dje në intervistë. Do bëj gjithçka për rikthimin e sovranitetit të PD, për të kthyer ato parime që i shkelmoi sot në mënyrë të paimagjinueshme Basha, dhe pa të cilat forca politike është një fasadë -opozitë.

 

Fevziu: Veç parlamentit do të ketë aksion tjetër nga ana juaj?

Berisha: Pa diskutim do të marr cdo aksion për të vendos sovranitetin e PD. Do të krijojë aleancë, do të bashkëpunoj me çdo demokrat që beson se ky vend do të ketë opozitë sovrane, do të ketë PD sovrane.

 

 

Berisha: Nesër do të jem në kuvend, Basha duhej të mblidhte Kongresin

 

Sali Berisha tha se nesër do të shkojë në kuvend edhe pse që nga ky moment nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar të forcës që themeloi vetë.

 

“Padiskutim nesër do shkoj në Kuvend”, tha Berisha në Syri.net.

 

Ai u shpreh se Basha e ka marr vendimin pa pyetur forumet e partisë. “Për të marrë në vendim të tillë Basha duhet të mblidhte kongresin e PD dhe të ndryshonte statutin ku te shtonte nenin që përjashtohen personat e shapllur non grata nga SHBA apo ndonjë vend tjetër. Ky është vendimi i Bashës dhe asnjë forumi tjetër të partisë”,tha Berisha.

 

 

 

 

 

 

 

Më shumë

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar

Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij.   Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të […]

Shtyhet ngritja e komisionit të reformës zgjedhore

Miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore është tërhequr nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.   Vendimi ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj.   Kjo për faktin se palët ende nuk janë dakordësuar për objektin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. […]

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin që do të votohet ditën e sotme mbi konventën e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit.   Sipas saj kjo konventë do të bëjë që çdo shtetas apo biznes që zhvillon […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara