Tuesday 3 October 2023
Tuesday 3 October 2023

 

Partia Demokratike vendosi sot në Kuvendin Kombëtar të shpallë si të papajtueshëm me çdo funksion partiak të saj të gjithë ata persona, që shpallen non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Vendimi mori shkas nga shpallja non grata e ish kryetarit Sali Berisha prej SHBA-ve dhe sot u shtri për të gjithë anëtarësinë.

 

Ky vendim e përjashton zyrtarisht zotin Berisha edhe nga Këshilli Kombëtar edhe nga Kuvendi i Partisë Demokratike.

 

Kuvendi i sotëm, ku sipas drejtuesve, morën pjesë mbi 5 mijë delegatë nga 7 mijë gjithsej, vendosi të mbështesë fuqimisht nismën për dekomunistizimin.

 

Po ashtu PD vendosi të ndërtojë një partneritet me Aleancën Qytetare për Demokracinë, një organizatë intelektualësh të spikatur, që ofrojnë një mendim kritik ndaj politikave të saj dhe ndihmojnë dialogun e opozitës me shoqërinë.

 

Kuvendi rishpalli si të pavlefshëm të gjithë vendimet, që u morën një javë më parë nën logot e PD-së gjatë një tubimi të thirru në stadium nga ish kryetari Sali Berisha.

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se PD aspiron “të bëhet partia më e pastër në Shqipëri”, se ajo “nuk do të lejojë në radhët e veta persona, që ka patur lidhje me diktaturën komuniste”, e “as persona me rekorde kriminale apo lidhje me botën e errët kriminale të biznesit”.

 

Zoti Basha theksoi se nuk do të lejohen në parti njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë.

 

“Do të zgjedhim bashkudhëtimin tonë të pandalshëm e fatlum me aleatët dhe miqtë tanë të çmuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Europian, që si asnjëherë tjetër më parë kanë vendosur dhe po veprojnë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për t’i çliruar nga sundimi i tmerrshëm i oligarkëve politikë dhe ekonomikë dhe për të rimarrë, më hovshëm se kurrë, kursin e demokracisë normale të vlerave” – tha zoti Basha.

 

Ai theksoi se “kjo është një zgjedhje politike dhe atdhetare, një zgjedhje mençurie dhe largpamësie, një zgjedhje mirënjohje dhe besnikërie ndaj ëndrrës shekullore dhe popullore shqiptare për Shqipërinë si Europa, për Shipërinë në miqësi të përjetshme me SHBA”.

 

Partia Demokratike e opozitës është vënë sot e gjitha në lëvizje për të marrë pjesë në dy veprimtari me qëllime të kundërta, të organizuara nga kryetari Lulzim Basha dhe nga ish kryetari Sali Berisha.

 

Zoti Basha ka thirrur sot Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA, së bashku me familjen.

 

 

Ndërsa zoti Berisha ka organizuar sot një referendum me përkrahësit e tij për të shkarkuar kryetarin Basha, si pjesë e një aksioni, që ai quan rithemelim të partisë, pas një tjetër Kuvendi të thirrur nga anëtarësia.

 

 

 

 

Ndonëse zoti Berisha i kishte kërkuar kryetarëve të degëve të PD-së që t’i vinin mjediset e zyrave të partisë, në dispozicion të procesit të votimit, duke u kujtuar atyre se ato nuk janë private, në shumicën dërrmuese të rasteve, qendrat e votimit janë përshtatur në mjedise private.

 

Vetë zoti Berisha, votoi në një qendër të përshtatur në një bar, që jo rastësisht mbante emrin “Amerika” e që po ashtu, jo rastësisht, gjendej pak metra larg ambasadës së Shteteve të Bashkuara, vend të cilin ai dhe familja e tij nuk mund ta shkelin.

 

Pasi hodhi votën e tij zoti Berisha foli për “një ditë historike për lirinë dhe shpresën e PD, por dhe shoqërisë shqiptare”, duke qenë se siç u shpreh ai “ky është referendumi i parë i thirrur nga anëtarësi” për të shkarkuar kryetarin. Të dhënat e orës 13.00, të shpërndara nga organizatorët e referendumit, flasin për një pjesmarrje të 27.719 votuesve. Në votimin e muajit qershor për zgjedhjen e kryetarit, Partia Demokratike, bëri të ditur se lista e anëtarësisë së saj përbëhej nga 75 mijë demokratë.

 

Votimi është parashikuar të mbyllet në 17.00, orë pas së cilës, sipas zotit Berisha, zoti Basha “merr verdiktin që meriton”.

 

Përplasjet midis tyre janë bërë përditë e më të forta dhe ndarjet po bëhen përherë e më të pakthyeshme, nga koha kur SHBA e shpalli zotin Berisha non grata për korrupsion dhe kur zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar për këtë shkak.

 

Kryetari aktual Basha tha se e mori këtë vendim personal, sepse nuk do të lejojë që PD të votojë vendimet e SHBA-ve për luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të demokracisë.

 

Ish kryetari Berisha, e nisi reagimin e tij fillimisht “për të mbrojtur dinjitetin personal” dhe po e kulmon me një lëvizje “për rithemelimin e partisë”.

 

Diplomatët amerikanë janë shprehur se nuk takohen me persona non grata si Sali Berisha dhe nuk do të komunikojnë me PD-në, nëse ai kthehet aty.

 

Dy rrymat brenda partisë provokuan reagime të ndryshme në radhët e anëtarëve të thjeshtë, që u përfshinë në këto zhvillime pas tre mandatesh në opozitë dhe në periudhën më të pafavorshme pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.

Më shumë

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar

Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij.   Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të […]

Shtyhet ngritja e komisionit të reformës zgjedhore

Miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore është tërhequr nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.   Vendimi ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj.   Kjo për faktin se palët ende nuk janë dakordësuar për objektin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. […]

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin që do të votohet ditën e sotme mbi konventën e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit.   Sipas saj kjo konventë do të bëjë që çdo shtetas apo biznes që zhvillon […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara