e premte 17 shtator 2021
e premte 17 shtator 2021

BE thotë se mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian. Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen me 17 tetor, ndërsa për shkak të pandemisë ende nuk dihet si do të zhvillohet fushata zgjedhore.

 

 

Bashkimi Evropian do të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Kërkesa drejtuar BE për këtë mision vëzhgimi është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një njoftim të lëshuar nga zyra e BE në Kosovë thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, emëroi deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet lokale në Kosovë. Sipas Borrelit, “Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian dhe në forcimin e qeverisjes demokratike”.

 

“Për të tretën herë, ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes një misioni të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Besoj se prania e këtij misioni do të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe të ndihmojë reformat e nevojshme zgjedhore për të ardhmen. Presim që të vazhdojmë bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona”, tha Borrelli.

 

10 ekspertë zgjedhorë të BE janë vendosur në Prishtinë

 

Ndërkohë i emëruari si kryesues i misionit, deputeti austriak Lukas Mandl, tha se “është i bindur se misioni do të sjellë një vlerë të shtuar në procesin zgjedhor. U gëzohem takimeve dhe angazhimit me autoritetet në terren, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe pjesëmarrësit tjerë në procesin zgjedhor”, tha Mandli. 10 ekspertë zgjedhorë të BE-së tashmë janë vendosur në Prishtinë, ndërsa deri në mes të shtatorit do të arrijnë edhe 22 vëzhgues afatgjatë.

 

Situata e pandemisë në Kosovë, ku shifrat e infeksioneve dhe rastet e vdekjeve nga Covid-19 akoma janë të larta, vazhdon të jetë shqetësuese. Për këtë shkak, partitë politike tashmë janë dakorduar që të ketë shkurtim të fushatës zgjedhore, dhe ajo të jetë jo 30 ditë ashtu siç parashihet me ligj. Megjithatë për shkurtimin e fushatës zgjedhore vendimin e merr Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mirëpo në këtë organ vendimmarrës sipas kryetarit të ri të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, asnjë nga partitë politike në Kosovë, nuk kanë parashtruar akoma ndonjë kërkesë lidhur me shkurtimin e periudhës se fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

 

“Nëse partitë politike parashtrojnë një kërkesë të tillë në KQZ, ne do ta trajtojmë kërkesën, kemi Këshillin për çështje ligjore, ku do ta trajtojnë Ligjin për Zgjedhje dhe Ligjin për Parandalimin e Pandemisë dhe do të veprohet përshtatshmërisht”, ka deklaruar Radoniqi, duke rikujtuar se gjithsesi në planin operacional, KQZ-ja ka për obligim të zbatojë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit edhe ditën e zgjedhjeve.

 

Më 28 gusht qeveria e Kosovës ashpërsoi masat anti-Covid, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe shkurtimin e orarit për gastronominë. Në bazë të këtij vendimi, 30 persona lejohen në ambiente të mbyllura, kurse në ambiente të jashtme vetëm deri  në 50 persona, çka nënkupton se tubimet e partive politike do të jetë shumë të kufizuara.

 

Më shumë

Serbia ndërton objektin e “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.   Investimi në mbi 6 milionë euro do të bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.   Drejtori i kësaj zyreje Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për […]

​Gjashtë vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale, aktakuzat e para ndaj ish-krerëve të UÇK

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjashtë vjet më parë, më 3 gusht 2015 votuan pro ndryshimit të amendamentit kushtetues që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.   Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që lejuan qeverisë të dërgojë edhe dy projektligje të tjera sa i përket Speciales, shkruan KosovaPress.   […]

Kurti: “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga lindja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën se nisma “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë në një Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja.   Të dielën në Prishtinë gjatë një veprimtarie kulturore, Kryeministri Kurti komentoi takimin e së enjtes të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për nismën e mini-shengenit që […]

Kosova nderon me Medalje Presidenciale djalin e ndjerë të Presidentit Joe Biden

Në një ceremoni të posaçme në Prishtinë, Kosova nderoi me Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit, Beau Biden, të birin e Presidentit amerikan, Joe Biden.   Ish prokuror i përgjithshëm në Delaware, 20 vjet më parë Beau punoi në Kosovë si këshilltar ligjor në kuadër të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara