e mërkurë 20 janar 2021
e mërkurë 20 janar 2021

 

“The House of One” e hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve në Berlin do të konkretizohet në fillim të vitit 2021 pas shumë përgatitjeve. Sfida për përfaqësuesit janë sulmet e fundit të përgjakshme të myslimanëve.

Ekskavatorët do të nisin së shpejti punën. Prej më shumë se dhjetë vitesh në Berlin planifikohet, diskutohet dhe reklamohet ideja e një ndërtese të përbashkët, përfaqësuese e tre feve monoteiste, judaizmit, krishtërimit dhe islamit.

Dhe pas dy muajve, në janar 2021, ekskavatorët do të fillojnë të gërmojnë për hapjen e themeleve, njoftoi drejtori administrativ i Fondacionit “House of One”, “Shtëpia e të Njëjtit”, Roland Stolte. Pas shumë shtyrjeve, së fundi edhe për shkak të pandemisë Corona, projekti do të nisë në zemër të Berlinit të vjetër.

Stolte u shpreh kështu në takimin e parë të bordit 20 anëtarësh të kuratorëve të fondacionit të “House of One”, që drejtohej nga kryetari i bashkisë së Berlinit, Michael Müller (SPD). Në mesin e 20 anëtarëve përveç përfaqësuesve të tre feve, ndodhen edhe përfaqësues të shquar të peizazhit kulturor të Berlinit, si drejtori i përgjithshëm i Forumit Humboldt, Drejtorja e Muzeut Hebre, drejtori i Teatrit Gjerman, presidenti i Fondacionit të Trashëgimisë Kulturore Prusiane, drejtori i Shtëpisë së Kulturave të Botës. Për kryeqytetin gjerman, ku nuk ka shpesh pika kontakti mes fesë dhe kulturës, kjo është për t’u shënuar.

“Ku, nëse jo këtu?”

Kryetari i bashkisë së Berlinit, Michael Müller ishte “shumë entuziast për idenë” e projektit ndërfetar. “Ku, nëse jo këtu?”, u shpreh ai. “House of One”, „Shtëpia e të Njëjtit”, si element takimi do të jetë “një pasurim i madh” për qytetin.

Projekti, i vetmi në botë në këtë formë, është vendosur në zemër të qytetit. Aty ku prej vitesh kalon rruga “Leipziger Straße” me gjashtë korsi ndërmjet sheshit Alexanderplatz dhe sheshit të Potsdamit. Sepse dikur aty ndodhej qendra e Berlinit të vjetër, ku për më shumë se 700 vjet qëndroi aty kisha e Petrit, e rëndësishme për historinë e Berlinit të hershëm.

Mbi mbetjet arkeologjike të kësaj kishe do të ngrihet brenda pesë vitesh një vendbanim i përbashkët për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët me një kishë, sinagogë dhe xhami. Tri hapësira rreth një salle qendrore takimesh. Ndërtesa do të ngrihet 40 metra e lartë dhe do të jetë simbol i bashkimit. Kostot e ndërtimit janë planifikuar të arrijnë 43.5 milion euro dhe kryesisht janë siguruar.

Pas sulmeve të përgjakshme

Takimi i kuratorëve u bë në mënyrë virtuale, “pa një mjedis të këndshëm, pa sallë pritjeje”, siç u shpreh Müller. “Por ne nuk donim ta shtynim atë pafundësisht.” Që nevoja është urgjente, e treguan fjalimet e shumta koncize të anëtarëve të këshillit. Konfliktet globale si vrasjet në Dresden, Paris dhe Nicë, në të cilat të rinj islamistë morën jetë njerëzish, u përçuan në referatet reflektuese të folësve. Drejtori i Akademisë Katolike në Berlin, Joachim Hake, bëri thirrje për një dialog serioz dhe të hapur midis feve në miqësi. “Në një kohë të acarimeve politike për identitetin, ne kemi nevojë të domosdoshme për këtë lloj kulture diskutimi.”

Teologu islam Mouhanad Khorchide nga Münsteri shpreson për impulse teologjike, që do ta largonin fenë islame nga pretendimi për të pasur ekskluzivitetin. Imami Kadir Sanchi i “House of One” tha se myslimanëve u bie një përgjegjësi e veçantë. Feja e tyre po “instrumentalizohet”. “House of One” dëshiron të mbrojë të rinjtë nga ekstremizmi dhe të bëjë punë preventive. “Ne vendosim respektin dhe dashurinë e ndërsjelltë për tjetrin kundër terrorit dhe dhunës”, tha rabini i Berlinit Andreas Nachama, kleriku më i rëndësishëm hebre në këtë projekt.

Vëmendje në të gjithë botën për projektin

Ndërtesa e ardhshme ekziston vetëm si model. Por bashkëpunimet ndërkombëtare kanë kohë që zhvillohen. Ka shkëmbime të rregullta me Bangui, kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore, ku të krishterët dhe myslimanët planifikojnë një shtëpi të ngjashme fetare. Bisedime po zhvillohen edhe me një akademi në Tbilisi në Georgji, si dhe me Universitetin Teknik të Haifas për një “Garden of One”, “Kopsht të të Njëjtit”, në këtë qytet port izraelit. Sanchi foli për aspektet lokale dhe kombëtare, por edhe ndërkombëtare të “House of One”.

Ndërsa Khorchide shprehu bindjen se bashkëjetesa e feve në Berlin mund të forcojë edhe ato forca, të cilat kanë si orientim dialogun, në Gadishullin Arabik. Projekte si “House of One”, shprehet Hamideh Mohagheghi, studiuese e fesë nga Paderborni e lindur në Teheran, ofrojnë “hapësira dhe ide të domosdoshme për bashkëpunimin e feve dhe botëkuptimeve”.

Përfaqësuesi më prominent nga politika në këtë forum është ish-Presidenti gjerman Christian Wulff. Dhjetë vjet më parë ai shqiptoi fjalën, islami i përket Gjermanisë. Tani ai theksoi se e rëndësishme për konceptin e Berlinit është se, “asnjë fe nuk e humbet të drejtën dhe vlerën e saj” dhe se bëhet fjalë për të përbashkëtat, jo vazhdimisht për ato që i ndajnë.

Ish-Presidenti dhe Papa

Por Wulff, i cili para dy javësh ishte mysafir i Papa Françeskut në Vatikan, theksoi rëndësinë e enciklikës së tij “Fratelli Tutti”, e cila në thelb ka të bëjë me marrëdhëniet midis feve botërore. Ky shkrim është enciklika e parë, për të cilën kreu i kishës është frymëzuar nga një mysliman, imami i madh i Universitetit Al-Azhar, Ahmed al-Tayyeb.

Katoliku Wulff kujton fëmijërinë e tij. “Duke u rritur kisha ndjenjën se Zoti i do katolikët pak më shumë.” Tani Papa thotë, “për shumë katolikë është e beftë, se Zoti ndjen të njëjtën dashuri për çdo njeri”, pavarësisht nga feja e tij.

Iniciatorët shpresojnë se gjatë ndërtimit do të rritet interesimi në qytet dhe do të ketë partneritete të tjera ndërkombëtare. Guri i themelit për ndërtesën e re do të vendoset zyrtarisht në rrënojat e vjetra në fund të majit të ardhshëm.

Të tmerruar pas sulmit në Vjenë

Në mëngjesin pas mbrëmjes së terrorit në Vjenë, Rabini Nachama dhe imami Sanci, dy nga tre themeluesit e “House of One”, flasin për Deutsche Welle. Nachama e quan ngjarjen “të mjerueshme”. Dhe pastaj bie fjala për informimin, i cili ishte i paqartë deri natën vonë: Për një kohë të gjatë nuk ishte e qartë, “nëse bëhej fjalë për sulm xhihadist apo ekstremist i djathtë”, ndaj sinagogës apo qendrës së qytetit. “Është çmenduri, por terrori xhihadist dhe ai i ekstremistëve të djathtë janë të njëjtë. Të dy kanë të njëjtin qëllim, të sulmojnë shoqëritë e lira.”

Lidhur me sulmet e javëve të fundit Saci tha të hënën (02.11) në mbrëmje i tronditur: “Nuk gjejmë dot fjalë, na duhen disa minuta. Momente heshtjeje, për t‘u bërë pastaj bashkë.” Lutje e përbashkët do të thotë „të thërrasësh fort kundër veprave çnjerëzore”.

Të martën (03.11) në mëngjes, në bisedë me DW, ai thotë se xhamitë, sinagogat, kishat janë vende adhurimi, janë të paprekshme dhe duhet të mbrohen. “Secili individ është si një shtëpi e Zotit. Ai është i paprekshëm, pavarësisht nga feja apo botëkuptimi.” Për të sulmet e fundit, tani në Vjenë, janë “sulme ndaj Zotit. Çfarë kontradikte: Në emër të Zotit njerëzit sulmojnë Zotin”.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara