e diel 5 dhjetor 2021
e diel 5 dhjetor 2021

 

 

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç deklaroi se ka pasur një plan për vrasjen e presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiç. Siç tha Bërbaniç, vrasja ishte planifikuar të ndodhte gjatë zbulimit të monumentit të Stefan Nemanjës, që u bë më 27 janar të këtij viti në Beograd.

 

“(Vrasja) Është planifikuar prej kohësh dhe në detaje. Janë formuar struktura paralele në Ministrinë e Brendshme (MPB) dhe janë bërë fushata në mediat e manjatëve, që janë transmetuar edhe në mediat në rajon për dehumanizimin e Vuçiçit, që ta shndërronin atë dhe familjen e tij në një grup kriminal”, tha Bërnabiç më 24 tetor për televizionin Pink.

 

Bërnabiç tha se këtë rast janë duke u marrë shërbimet kompetente dhe përgjegjësit nuk do të mund t’i ikin drejtësisë pa marrë parasysh “emrin dhe mbiemrin, funksionin dhe përkatësinë partiake”.

 

Kryeministrja serbe deklaroi se akuzat për përgjimet e Vuçiçit në aferën “Jovanjica” janë “tentativë për grusht-shtet”.

 

Prokuroria për Krim të Organizuar në janar nisi hetimet për shkak të përgjimeve të paautorizuara të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

 

Siç ka thënë vetë Vuçiçi, dyshohet se ai është përgjuar nga shërbimet vendase.

 

MPB-ja ka kompetencë mbi këto shërbime. Kjo ministri ishte drejtuar nga Nebojsha Stefanoviç nga viti 2014 deri më 2020, kur ai u emërua ministri i Mbrojtjes. Këtë post ai e mban edhe sot.

 

Stefanoviç ka deklaruar vazhdimisht se ai kurrë nuk ka marrë pjesë “në ndonjë aktivitet që do ta rrezikonte presidentin Vuçiç apo anëtarët e familjes së tij”.

 

Edhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Diana Hërkaloviç, ishte përmendur se mund të jetë e lidhur me aferën e përgjimit të presidentit. Ajo u arrestua më 15 tetor.

 

Në media u raportua në janar se Hërkaloviç ishte një prej personave që ishte marrë në pyetje lidhur me aferën e përgjimit të Vuçiçit. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria as nuk kanë mohuar e as pohuar këtë pretendim, ndërkaq Hërkaloviç po ashtu nuk është deklaruar publikisht për këtë çështje.

 

Afera e njohur si “Jovanjica” u bë publike në nëntor të vitit 2019, kur policia gjeti 1.6 ton marijuanë në një fermë të produkteve organike ushqimore, në pronësi të Pregrad Koluvija.

 

Një nga dy aktakuzat në këtë çështje, që ende është në fazën e gjykimit, përfshiu tetë persona, mes të cilëve pjesëtarë të policisë, Agjencisë së Informacionit të Sigurisë dhe Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake, që akuzohen se kanë mbrojtur pronarin e kësaj prone bujqësore.

 

I pandehuri në këtë rast, Pregrad Koluvija është në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Apelit ia hoqi masën e paraburgimit, që ishte prej vitit 2019 dhe më 1 tetor ai dha një intervistë që e bëri avokati i tij, që njëherësh është anëtar i kryesisë së partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, Vladimir Gjukanoviç.

 

Ky rast po ashtu ka marrë vëmendje për shkak të pretendimeve të opozitës dhe mediave se zyrtarët e lartë shtetërorë janë të lidhur me aferën e përgjimeve, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet. REL

 

 

Më shumë

Putini i ofron gaz të lirë Serbisë dhe mbështetje për Kosovën

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se Moska do të vazhdojë t’i ofrojë gaz natyror Serbisë me kushte të favorshme dhe se një kontratë e re furnizimi do të nënshkruhet së shpejti për të zëvendësuar kontratën aktuale që skadon në fund të vitit.   Ai i bëri këto komente në rezidencën e […]

Kur mund të arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi?

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha të enjten se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, diskutoi për mundësinë e një marrëveshjeje me Serbinë, përgjatë mandatit të qeverisë aktuale.   “Kisha kënaqësinë të takohesha me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për të diskutuar një […]

Konfirmohet ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë

Senati amerikan konfirmoi diplomatin Jeffrey Hovenier për të shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Z. Hovenier, një diplomat karriere, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden.   Ai ka shërbyer së fundmi si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të […]

Inflacioni godet rëndë njerëzit në Turqi

Banorët në Turqi po ankohen për rritjen e madhe të çmimeve të ushqimit dhe produkteve tjera thelbësore. Norma zyrtare e inflacionit vjetor është gati 20 për qind, por sipas ekspertëve të pavarur, shifra e vërtetë është pothujajse 50 për qind. Inflacioni është një shqetësim global, por ekonomistët thonë se në rastin e Turqisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara