e shtunë 4 dhjetor 2021
e shtunë 4 dhjetor 2021

 

 

Duket gati e pabesueshme që pandemia ndryshoi edhe ritualet fetare që mbahen njëlloj prej mijëra vitesh. Mesha e Krishtlindjes kremtohet në mesnatë, por për shkak të masave kufizuese, besimtarët janë mbledhur në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, në orën 18:00.

 

Në ceremoninë e mbajtur kanë qenë të pranishëm pak pjesëmarrës dhe të gjithë kanë respektuar masat anti-Covid.

 

 

Kryeipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, George Frendo tha se në këtë situatë më të rëndësishme janë mesazhet e shpresës.

 

“Isha në një dhomë bashkë me një burrë 78 vjeç, jemi bërë shumë miq, një njeri shumë i thjeshtë, fliste për gruan që ai e donte pa masë, më tregoi fotografinë e saj, ende ishte shumë e bukur, por e paralizuar, por ai kujdesej duke e larë dhe duke gatuar është një shembull i asaj dashurie që nuk vjetërohet, fliste për fëmijët që i kishte rritur me shumë dashuri dhe sakrificë dhe ata në shumë mënyra vazhdojë të tregojnë dashurinë dhe mirënjohje. Krishtlindja është festa e familjes, fort e dashur. Rroftë Krishti, rroftë Jezuzi dhe me këtë gëzim ju uroj gëzuar Krishtlindjen”.

 

Edhe besimtarët thonë se janë lutur për më shumë shpresë. Mesha e Krishtlindjes është mbajtur edhe në qytete të tjera të vendit.

 

 

 

Mesazhi i Imzot George Frendo për Krishtlindjen 2020:

 

 

Krishtlindja na fton të gëzohemi për lindjen e një foshnjeje. Si çdo foshnjë, nuk flet. Vetëm qan. Qan edhe sot. Jezusi po qan për viktimat e tërmetit që ende janë nën çadra dhe, si Jezusi që lindi jashtë shtëpisë, edhe ata do ta kalojnë Krishtlindjen jashtë shtëpisë. Po qan për viktimat e koronavirusit dhe për familjet e tyre. Jezusi po qan për viktimat e dhunës, duke parë se sa shumë është rritur numri i vrasjeve, shpeshherë për arsye banale. Jezusi po qan gjithashtu kur sheh se disa qiradhënës pa skrupull kanë përfituar nga tragjedia e tërmetit për të rritur çmimet e qirasë. Jezusi po qan sot për një Shqipëri që po zbrazet: numri i azilkërkuesve shqiptarë është vazhdimisht në rritje. Kjo është varfëria më e madhe në Shqipëri sot: po humbet shumë elemente të vlefshme dhe shumë të rinj. Jezusi po qan sot edhe për rreziqet që po përballon familja shqiptare. Divorcet në Shqipëri kanë arritur një numër të lartë. Viktimat e pafajshëm të divorcit janë fëmijët. Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient familjar, me të dy prindërit.

 

Por le të jemi më realistë. Jezusi qan, po; por edhe buzëqesh. Ai buzëqesh duke parë sesi populli ynë tregon solidaritet të veçantë në fatkeqësi. E ka treguar pas tërmetit, e ka treguar edhe këto ditë pas vrasjes së një djali 25 vjeçar. Jezusi qan, por edhe buzëqesh. Ai buzëqesh ku shikon se shumica e familjeve tona ende janë shumë të bashkuara dhe gëzohet kur sheh prindër që respektojnë njëri-tjetrin si bashkëshortë të barabartë në dinjitet, kur fëmijët nuk kanë frikë t’u afrohen prindërve në dialog të hapur dhe kur familjet janë në dialog me Zotin në lutje. Jezusi qan, por edhe buzëqesh duke parë një Shqipëri të stolisur me aq shumë gjëra të bukura që ai vetë ia ka dhuruar. Falënderojmë Zotin për tiparet që përshkruajnë karakterin shqiptar që tregon gëzim, solidaritet, mikpritje, thjeshtësinë e fëmijëve dhe respekt për të moshuarit.

 

Nga grazhdi ai vazhdon të buzëqesh drejt nesh. Është buzëqeshja që na jep guximin që, me vendosmëri, të ecim përpara të bindur që, me vullnet të mirë dhe me ndihmën e Zotit, këtë Shqipëri të bukur, mund ta rindërtojmë në një Shqipëri më të bukur. Le të jetë kjo lutja jonë sot:

 

O Zot, ruaje Shqipërinë tonë. Jepu guxim politikanëve tanë që të kërkojnë gjithmonë dhe vetëm të mirën e përbashkët. Dhe na lejo të qëndrojmë afër teje, që në fytyrën tënde të shohim fytyrën e çdo njeriu, sepse lindja jote na ka bashkuar si një familje.

 

Qoftë çdo ditë një Krishtlindje për ne, një ditë gëzimi, shprese, kur i japim dorën çdo personi, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nga klasa sociale, nga gjuha, nga besimi, sepse Jezusi ka lindur që të jetë Shëlbuesi i të gjithëve. Krishtlindja le të sjellë gëzim dhe shpresë, dhe viti i ri të forcojë bashkimin tonë në paqe, por duke kujtuar se s’ka paqe pa drejtësi.

 

Më shumë

Kisha katolike: Shitblerja e votës plagë që duhet të zhduket

Dënimi me forcë i fenomenit të shitblerjes së votës, shqetësimet për kandidatët me të kaluar të dyshimtë, apo dhe sfidat me të cilat do të duhet të përballet qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet, ishin në qendër të një deklarate të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, pikërisht në prag të votimeve të […]

Përgjaket xhamia në qendër të Tiranës, plagosen me thikë 5 besimtarë

5 besimtarë muslimanë u plagosën sot gjatë një sulmi me thikë nga ana e një 34 vjeçari, Rudolf Nikollaj, në xhaminë Dine Hoxha, në Tiranë. Agresori, u kap nga vetë besimtarët, të cilët më pas e dorëzuan atë në polici. Besimtarët e plagosur u dërguan menjëherë në spital jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk […]

I kthehen Kishës Orthodhokse Lipsanet e Shën Joan Vladimirit

Dorëzimi i lipsaneve (eshtrave) të Shën Gjon Vladimirit, Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andonit, në Manastirin që mban emrin e shenjtorit, në Shijon të Elbasanit, ishte një ditë e veçantë për besimtarët orthodhoksë. Ky akt, i shoqëruar me një marrëveshje të nënshkruar nga drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi dhe Imzot Andoni, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara