e mërkurë 18 maj 2022
e mërkurë 18 maj 2022

 

 

Liderët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpresuan se marrja nga ana e tyre e dosjeve të rrjedhura të rasteve të krimeve të luftës do të minonte gjykatën që po përgatitet të gjykojë kolegët e tyre guerilë, por në vend të kësaj ajo çoi në gjykimin e tyre në Hagë.

 

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, kryetari dhe nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë kaluar shumë kohë gjatë dy viteve të fundit duke shkruar deklarata mbështetëse në rrjetet sociale për ish-shokët e tyre guerilë të cilët janë thirrur për t’u marrë në pyetje në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime të dyshuara lufte.

 

Të enjten, Gucati dhe Haradinaj do dalin në gjyq vetë në gjykatën me bazë në Hagë për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve kur ata morën në posedim dy grupe dosjesh konfidenciale çështjesh nga Dhomat e Specializuara në shtator 2020.

 

Të dy burrat, të cilët kanë marrë pjesë të dy në luftën 1998-199 me forcat serbe, kanë kundërshtuar prej kohësh Dhomat e Specializuara, të cilat ata këmbëngulin se është një institucion i njëanshëm, sepse është krijuar për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së, jo serbët që kanë kryer pjesën më të madhe të krimeve të luftës gjatë konfliktit.

 

Aktakuza pretendon se në muajt para rrjedhjes së dosjeve, të dy burrat bënë deklarata duke i quajtur dëshmitarët që bashkëpunuan me Dhomat e Specializuara “gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë” në përpjekje për të “minuar dhe penguar” gjykatën.

 

Pas marrjes së dosjeve të rrjedhura, të cilat përfshinin identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur, ata më pas bënë dalje publike dhe mbajtën konferenca për shtyp në të cilat “informacione konfidenciale dhe jo publike u shpërndanë dhe u diskutuan publikisht”, pretendohet në aktakuzë.

 

Si rezultat i veprimeve të tyre, dëshmitarët dhe të afërmit e tyre u kanosën, thonë prokurorët. “Siguria, privatësia, reputacioni dhe mjetet e tyre të jetesës u kërcënuan”, thuhet në aktakuzë.

 

Rrjedhja e dosjeve u bë fillimisht publike më 22 shtator të vitit të kaluar, kur Gucati njoftoi në një konferencë për shtyp se një grup me më shumë se 4,000 dokumente ishte dorëzuar në zyrën e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, dhe se aty përfshiheshin emrat e të paditurve të mundshëm dhe të dëshmitarëve të mbrojtur në rastet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

 

Gucati tha se dokumentet i dorëzoi një “njeri i maskuar”, por kurrë nuk zbuloi më shumë detaje rreth tij.

 

Disa ditë më vonë, Gucati dhe Haradinaj njoftuan se kishin marrë një pako të dytë që përmbante dokumente gjyqësore. Burimi i rrjedhjes, deri më tani, nuk është bërë publik nga Dhomat e Specializuara.

 

Të dy burrat u bënë thirrje mediave në Kosovë që të vinin në zyrën e tyre, të merrnin dokumentet dhe t’i përdornin ato, por pavarësisht kësaj, asnjë media në Kosovë nuk publikoi asnjë nga përmbajtjet e dosjeve. Menjëherë më pas, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan dhe u dërguan në Hagë.

 

Asnjë nga avokatët e të dy burrave nuk deshi të komentonte mbi strategjinë e tyre mbrojtëse përpara hapjes së gjyqit të enjten dhe para prokuroria të parashtronte çështjen e saj.

 

Megjithatë, avokati i Haradinajt, Toby Cadman, tha se ai po kërkonte monitorim të pavarur të procedurave, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me drejtësinë e procesit.

 

“Ne do t’i kërkojmë OSBE-së ose një organi tjetër … të kryejë një monitorim të pavarur të procedurave, sepse jemi të shqetësuar për mënyrën se si po zhvillohen procedurat”, tha Cadman.

 

 

Nga furra në fushën e betejës

 

Gucati, tani 54 vjeç, e kaloi pjesën më të madhe të luftës duke shërbyer si bukëpjekës në selinë e UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skënderajt, edhe pse përfundimisht vendosi të linte furrën dhe të shkonte në fushën e betejës, tha një nga oficerët që ishte epror i tij, Isa Xhemajlaj.

 

Ai ka ardhur në fshatin Bajince/ Bajinca ku unë isha komandant i Batalionit të dytë të Brigadës 113 të quajtur “ Mujë Krasniqi” . Ai u plagos rëndë në këmbën e djathtë në malet e Berishës, derisa po përpiqeshim të kalojmë në një vend tjetër gjatë luftimeve”, kujton Xhemajlaj.

 

Pas luftës, Gucati, baba i shtatë fëmijëve, kryesisht punonte si sekretar në një shkollë fillore në Skënderaj dhe për shoqatat e veteranëve të luftës. Ai ishte i lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit, PDK, shumica e themeluesve të së cilës ishin anëtarë të UÇK-së.

 

Në zgjedhjet më të fundit në Kosovë, djali i tij ishte në listën e kandidatëve të PDK-së, por nuk u bë deputet. Thaçi ndërkohë është gjithashtu në Hagë, në pritje të gjykimit për akuzat për krime lufte.

 

Haradinaj, tani 58 vjeç dhe baba i pesë fëmijëve, është kushëri i komandantit të UÇK-së të kohës së luftës dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai është një nga kritikët më të hapur të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe shpesh i dënoi deputetët e Kosovës që votuan për themelimin e gjykatës, përfshirë Thaçin, duke i quajtur ata “tradhtarë”.

 

Haradinaj u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në 1991, ai u arrestua dhe u burgos për “aktivitete kundër shtetit jugosllav”, por u lirua disa muaj më vonë.

 

Arrestimi i tij erdhi vetëm disa muaj pasi babai i tij u lirua pasi kaloi 14 vjet si i burgosur politik. Në 1992, ai emigroi në Suedi dhe ishte një nga njerëzit kryesorë që punonte për të mbledhur para nga emigrantët shqiptarë për një fond të quajtur “Vendlindja thërret”, i cili u krijua në diasporë për të mbështetur financiarisht luftën guerile të UÇK-së.

 

Në vitin 1998, Haradinaj u kthye në Kosovë me vëllain e tij më të vogël për t’iu bashkuar luftës në vijën e parë të frontit në Koshare, një fshat malor në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë. Ai u bë i njohur gjatë luftës me emrin Komandant Bardhi dhe u përfshi në Betejën 67-ditore të Koshares në prill 1999, në të cilën të paktën 108 trupa të Ushtrisë Jugosllave dhe 114 anëtarë të UÇK-së u vranë.

 

Shokët e tij të luftës e përshkruan atë si një figurë të guximshme: “Haradinaj ishte ndër luftëtarët tek të cilët mbështeteshim dhe kishim besim”, tha Naser Vllasi, i cili shërbeu si komandant i një njësie mbikëqyrëse të UÇK-së.

 

“Mbaj mend se si ai arriti të hiqte trupin e njërit prej luftëtarëve (i cili u vra) në një terren shumë të vështirë në Koshare”, shtoi ai.

 

Në shtator 1999, pas përfundimit të luftës, Haradinaj u bë pjesë e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, një organizatë civile për ndërhyrje dhe shërbime emergjente e krijuar pas demilitarizimit të UÇK-së. Ai ka thënë disa herë se më pas u shkarkua nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës “se ishte jokonformist”, por asnjëherë nuk e ka shpjeguar arsyen e vërtetë pas kësaj.

 

Vllasi tha se në rastin e dokumenteve të rrjedhura, Haradinaj “sakrifikoi veten” për të ndihmuar ish-shokët e UÇK-së. Por ai tha gjithashtu se e kishte paralajmëruar Haradinajn në të kaluarën se shoqatat e veteranëve të luftës mund të keqpërdoren për qëllime politike.

 

“Unë e këshillova atë shumë kohë më parë që të mos ndërhynte sepse ndjeva se ai do të sakrifikonte veten për të tjerët, dhe kjo ndodhi”, tha ai.

 

Ashtu si Vllasi, Isa Xhemajlaj tha se ai beson se Gucati dhe Haradinaj thjesht po përpiqeshin të mbronin shokët e kohës së luftës të cilët ata mendonin se ishin vënë në shënjestër në mënyrë të padrejtë.

 

“Ata nuk zbuluan asgjë dhe nuk vunë në rrezik asnjë”, këmbënguli ai. “Unë mendoj se ata janë njerëz që janë viktima të besnikërisë ndaj kauzës së lirisë.” BIRN

 

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara