Një vit që rivendosi kufijtë, la në pistë dhjetra avionë, theu rutinën e përditshme të qytetarëve duke vendosur kufizime jetese, vuri në sprovë mijëra biznese dhe qeverinë, nxori në rrugë mijëra të punësuar, rriti shpenzimet në farmaci e spitale si dhe tregoi se çdo të thotë të jesh pa një çati mbi kokë e të lutesh përditë për një strehë.
Kështu do të përkufizohej me një fjali vitit 2020, si një vit i pamenduar më parë nga çfarë solli dhe si një vit që ndoshta duhet harruar për pasojat që la, apo duhet mbajtur “vëth në vesh” për të na bërë më të fortë në ringritjen dhe ecjen përpara.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 i cili ia transferoi pasojat 2020-ës dhe pandemia COVID-19 po ashtu, ishin dy goditjet e njëpasnjëshme dhe më të mëdha që ka marrë ekonomia shqiptare në dekadad e fundit. Dhe kur “çatia” nuk është e rregulluar në kohë me diell, pasojat janë edhe më të rënda.
Ekonomia u “lëkund” nga toka
Mjaftuan vetëm disa sekonda dridhje të tokës më 26 Nëntor 2019, për të mbushur një faturë pasojash të përllogaritur në 985 milionë euro, dëme dhe humbje, të shkaktuara në raportin 86% me 14 %, ndërsa mbi 1 miliardë euro rezultoi nevoja për rimëkëmbje. Barrën më të madhe të dëmeve e mbajti strehimi me afro 696 milionë euro, për shkak se mijëra banesa u dëmtuan dhe mbetën “pa çati” mbi 17 mijë qytetarë.
Bizneset gjithashtu pësuan një goditje të madhe nga fatkeqësia natyrore. Dëmet e humbjet në sektorin e prodhimit u llogariten në 150.4 milionë euro, ku u përfshi biznesi dhe punësimi, turizmi, trashëgimia kulturore, dhe bujqësia. Më pas renditet arsimi, me 72.3 milionë euro dëme e humbje, Infrastruktura rezultoi sektori i tretë që ka pësuar dëme të mëdha në vlerën e 33.4 milionë eurove, ku përfshihet infrastruktura komunitare, rrugët, ujësjellës kanalizime, komunikimi, ndërtesat publike, energjia, etj. Fatura në sektorin e mbrojtjes civile rezultoi afro 22 milionë euro dhe në fund u rendit shëndetësia me afro 10 milionë euro.
Ndërkohë ku jemi një vit më pas?
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë këtij viti, programi i rindërtimit u financua me një buxhet në vlerën 34 miliardë lekë, nga të cilat 31 miliardë lekë buxheti i shtetit dhe 3 miliardë lekë grante të planifikuara. Gjatë këtij viti janë trajtuar me bonus qiraje, 13,091 përfitues, të mbetur të pastrehë dhe fondi i disbursuar është në masën 2 miliardë lekë. Ndërkaq, nga 3470 banesa individuale të cilat ishin premtuar se do të ndërtoheshin rishtazi, deri në fund të këtij vitit, duket se do të hyjnë në shtëpi të re vetëm 1 mijë familje, ndërsa për pjesën tjetër të banesave individuale janë firmosur kontratat me fituesit për zbatimin dhe mbikëqyrjen e punimeve, si edhe për disa prej tyre vazhdon procesi i prokurimeve me qëllim vijimin e punimeve.
Sa i takon banesave kolektive, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të kryejë projektet e zbatimit për 4,646 banesa, ndërsa Bashkia Tiranë do të kryejë punimet si njësi zbatuese për 92 njësi banimi në ndërtesa (pallat). Procesi i Rindërtimit për banesat kolektive është ende në fazën e procedurës së prokurimit me qëllim vijimin e punimeve. Shqetësues është fakti se vit pas ngjarjes së rëndë, 1300 familje vijojnë të jetojnë në çadra dhe sipas qeverisë, kjo është zgjedhje e tyre për shkak se nuk duan të lënë bagëtitë dhe tokat. Ndërsa ndërtimi i lagjeve të reja, projektet infrastrukturore janë ende në faza fillistare.
Të dhënat tregojnë se procesi i rindërtimit në vija të përgjithshme ka qenë i avashtë, kjo ndikuar dhe nga pandemia COVID-19. Në Konferencën e Donatorëve, u angazhuan për Shqipërinë 1.15 milionë euro në favor të Rindërtimit, nga të cilat 295 milionë euro grante, 853 milionë euro kredi të butë dhe 3.4 milionë euro kontribute në natyrë. Përfshirë edhe angazhimet e Organizatave jo-Fitimprurëse shqiptare, në total vlera e granteve të angazhuara dhe konkretizuara me marrëveshje arrin në mbi 270 milionë euro. Janë aktualisht në fazë negocimi marrëveshjet e huasë me tre partnerë bilateralë e financiarë, në vlerën 250 milionë euro dhe janë anë negociuar përgjatë këtyre muajve 20 marrëveshje.
Kriza Covid-19
Sikur të mos mjaftonin dëmet kolosale nga tërmeti, Shqipëria u prek edhe nga pandemia globale COVID-19. Mbyllja thuajse totale e ekonomisë përgjatë dy muajve, Mars-Prill 2020, u kushtoi rëndë bizneseve, qytetarëve, uli konsumin, rriti papunësinë, pasigurinë si dhe i kushtoi rëndë qeverisë po ashtu që u detyrua të amortizojë deri diku efektet negative përmes mbështetjes së drejtpërrejtë të biznesve dhe të individëve që humbën vendet e punës.
Konkretisht, 654 sipërmarrje kanë përfituar nga garancitë sorvrane 1 dhe 2 të vendosura në dispozicion nga qeveria në kuadër të pandemisë COVID-19, me një vlerë prej 9.9 miliardë lekësh në total apo rreth 80 milionë eurosh.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të 750 subjekte kanë përfituar nga garanvia sovrane 1 me një vlerë prej 6 miliardë lekësh, duke paguar kështu pagat për rreth 51 mijë punonjës, ku qeveria mori përsipër subvencionimin e normave të interest. Ndërkaq, nga garancia sovrane 2 kanë përfituar 150 subjekte në total me një vlerë prej rreth 3.9 miliardë lekësh.
Në total qeveria vuri në dispozicion në të dy garancitë, 26 miliardë lekë, ku një pjesë e mirë e fondeve nuk u përthithën. Nga ana tjetër, u mbështetën drejtpërdrejt qytetarët që humbën vendet e punës, përmes paketave fianciare 1 dhe 2, ku në të parën paga e luftës ishte 26 mijë lekë për tre muaj, ku përfituan 176 mijë individë dhe në paketën e dytë u aplikua një bonus pej 40 mijë lekësh.
Sa kushtoi pandemia?
Zgjatja e pandemisë COVID-19 në vendin tonë është reflektuar ndjeshëm edhe në buxhetin e shtetit. Referuar treguesve fiskale të Ministrisë së Financave të publikuar së fundmi, në 10 muajt që lam pas, janë arkëtuar në total 347.2 miliardë lekë. Shifër kjo e cila rezulton me 36.2 miliardë lekë apo 292 milionë euro më pak se 10-mujori 2019.
Peshën më të madhe të humbjeve e mbajnë të ardhurat tatimore, me rreth 35 miliardë lekë minus krahasuar me Janar-Tetor 2019. Ndërkaq, nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar janë mbledhur 105, 6 miliardë lekë, me një rënie të konsiderushme në 7.8 miliardë lekë, gjë që tregon dobësi në konsum përgjatë kësaj periudhe por edhe në tregti.
Po ashtu, Tatimi mbi fitimin, sërish rezulton me rënie të ndjeshme me afro 7.2 miliardë lekë, ku janë mbledhur në total 22.5 miliardë lekë, për shkak të shtyrjes së detyrimeve të bizneseve. Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë mbledhur 28.4 miliardë lekë, dhe duket se është zëri me më shumë humbje, prej afro 12.1 miliardë lekësh, për shkak të rritjes së papunësisë dhe rënies së të ardhurave të qytetarëve përgjatë kësaj periudhe.
Nga pushteti vendor janë mbledhur 18.5 miliardë lekë, apo 2.3 miliardë lekë më pak. Në anën tjetër, shpenzimet totale janë rritur me 22.6 miliardë lekë, për shkak të paketave sociale anti-covid, duke u regjistruar në afro 413 miliardë lekë, ndërsa rritje të konsiderueshme përgjatë kësaj periudhe kanë regjistruar dhe investimet me rreth 8.1 mld lekë. Deficiti buxhetor në 10 mujor ka arritur në 65.5 miliardë lekë, nga 6.6 miliardë që ishte në 10-mujorin 2019.
Borxhet ndaj bizneseve dhe individëve
Në 9 muajt e parë të vitit, institucionet publike qendrore dhe vendore kanë krijuar një faturë të lartë të detyrimeve të prapambetura kundrejt bizneseve dhe individëve, prej afro 22.5 miliardë lekësh apo 181.4 milionë eurosh.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, peshën më të madhe të stokut të borxhit e mbajnë institucionet e qeverisjes qendrore. E ndarë sipas zërave, fatura e mosrimbursimit të TVSH-së nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka arritur në vlerën e 11.3 miliardë lekëve për periudhën Janar-Shtator 2020, duke përfaqësuar dhe vlerën më të lartë të totalit të detyrimeve. Ndërsa qeveria qendrore ka ka akumuluar një stok prej 4.8 miliardë lekësh, nga të cilat 2.6 miliardë lekë kanë kushtuar vendimet gjyqësore për largime të padrejta nga puna të punonjësve të administratës, të cilat ende nuk janë shlyer.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe e Mbrojtjes, rezultojnë me nivelin më të lartë të borxheve. Sa i takon detyrimeve të vendorëve, fatura regjistrohet 6.3 miliardë lekë, nga të cilat 3 miliardë lekë janë krijuar nga investimet, për shkak të hapjes së projekteve pa pasur fondet e mjaftueshme nga bashkitë. Rënia e aftësisë paguese të qeverisë, për shkak të mungesës së parave në dispozicion, ka bërë që fatura e detyrimeve të rritet ndjeshëm.
Efektet në punësim, mbi 87 mijë të papunë
Pandemia Covid-19 ka goditur rëndë bizneset dhe si rrjedhojë punësimin në vend. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave për periudhën Janar-Tetor 2020, buxheti i shtetit ka humbur 1.3 miliardë lekë apo 10.4 milionë euro të ardhura nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total në 10-mujorin e këtij viti, janë mbledhur 80.4 miliardë lekë nga këto zëra, nga 81.7 miliardë lekë që u mblodhën në 2019. Po të analizojmë shifrat, paga mesatare në shkallë vendi aktualisht është rreth 53 mijë lekë.
Mbi këtë pagë punëdhënsit dhe punëmarrësit paguajnë sëbashku rreth 14.800 lekë sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Po të pjestojmë vlerën e të ardhurave të munguara me kontibutin e paguar për një pagë mesatare, rezulton se rreth 87.837 punonjës nuk kanë kontribuar rregullisht në arkën e shtetit, gjë që tregon se kanë humbur vendin e punës, përkohësisht apo për një periudhë të gjatë.
E gjitha lidhet me efektin e pandemisë, duke qenë se largimet më masive kanë qenë në periudhën Mars dhe Prill ku aktivitetet ekonomike u mbyllën, ndërsa edhe pas saj një sërë biznesesh nuk kanë arritur ta marrin veten dhe kanë ulur qepenat.
Shqetësues është fakti se situata nuk ka ndryshuar edhe pas periudhës së verës, ku u duk se ekonomia po rigjallërohej. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare të qeverisë, rezultojnë që të kenë humbur vendin e punës afro 55 mijë individë.
Ekonomia në 2020-ën
Për shkak të dy goditjeve, gjatë këtij viti ekonomia shqiptare përsoi një recesion të fortë në në -6.1 përqind. Norma e papunësisë pritet të mbyllet në nivelin prej 13.9%, duke u larguar nga terreni pozitiv në të cilin ndodhej.
Defiçiti buxhetor për shkak të borxhit të marrë dhe shpenzimeve të larta në 10 mujor është regjistruar në 65.5 miliardë lekë, me rritje në masën 887 për qind, krahasuar me faktin 2019 dhe madje, plani është që viti të mbyllet me defiçit buxhetor në nivelin rekord prej 107.6 miliardë lekësh.
Ky është dhe niveli më i lartë i defiçitit i regjistruar të paktën në 11 vitet e fundit, duke marrë në analizë të dhënat 10 mujore që nga vitit 2010 e në vijim. Ndërkohë borxhi publik ka kapërcyer nivelin e 80 për qind, duke “thyer” objektivin e vendosur ngahera nga qeveritë për ta minimizuar atë në 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Të gjithë treguesit markoekonomikë janë pasqyrë e qartë se ekonomia shqiptare ndodhet në ditët e saj më të këqija, e papërgatitur për çfarë i ndodhi dhe që do t’i duhet një kohë e gjatë për të rimarë veten dhe për t’u kthyer në shinat e duhura. SCAN
“Sa e ke rrogën?” Pyetja që i mundon aq shumë shqiptarët tashmë e ka përgjigjen!
Shiu “përmirëson” energjinë
Bujqësia, në “qiell të hapur” përballë përmbytjeve
Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për treg të përbashkët të energjisë
Rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri/ Eurostat: Për familjet e varfëra, në rrezik 1 në 4 fëmijë, për ato me mirëqenie, 1 në 5
Shpenzimet operative dhe mirëmbajtja: Janar-Tetor 2021, u shpenzuan 336 mln €, shifra më e lartë ndër vite
Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me këtë sektor jetik që sjell gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me fillimin e viteve ’90, kjo peshë është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (2%) dhe gati dy herë më e lartë se […]
Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një […]
Nga korriku i vitit 2022 pritet që të ndryshojë sërish tatimi mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që është sot), po ashtu dhe kufirin mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga […]
Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj. Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, […]