e shtunë 19 qershor 2021
e shtunë 19 qershor 2021

 

Partitura e baletit të parë kombëtar “Halili dhe Hajria” tashmë është në një botim historik me partiturë. 95-vjetori i lindjes se kompozitorit Tish Daija, ka nxitur Akademinë e Shkencave të botojë partiturën e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, vënë në skenë më 1963. Pjesa që lindi në Moskë, kur autori ishte student.

 

Kompozitori Vasil Tole e cilëson një botim historik të partiturës së Halilit e Hajrisë. Ai thotë se ruhej vetëm në një kopje në arkivin e Operës.

 

Mes kujtimeve, balerini Albert Janku, veçon turneun e vitit 1991 në Itali, gjatë eksodit të shqiptarëve me anije, duke kujtuar përlotjen e kompozitorit Daija në kohën kur shqiptarët iknin.

 

Kompozitori Tish Daija u nda nga jeta më 2003. Veç muzikës për balet, ai ka shkruar muzikë për këngë dhe muzikë popullore. Pas studimeve në Çajkovksi, ai shkroi disa pjesë klasike, dhe ishte pedagog në Akademinë e Arteve.

 

 

***

Të nderuar pjesёmarrёs,

Mirё se kini ardhur nё kёtё veprimtari shkencore jubilare dhe pёruruese qё organizohet nga Akademia e Shkencave, Komisioni i Artit dhe Trashёgimisё nё bashkёpunim me Fakultetin e Muzikёs nё Universitetin e Arteve, pёr tё promovuar partiturёn e baletit tё parё shqiptar “Halili dhe Hajria” me muzikё tё kompozitoritTish Daija dhe me libret dhe koreografi tё Panajot Kanaçit. Kjo veprimtaria organizohet nё 95 vjetorin e lindjes sё akademikut Tish Daija!

Muzika përveçse shijohet përmes dëgjimit, studiohet dhe analizohet duke konsultuar partiturën muzikore, aty ku kompozitori lë gjurmët e artit të tij. Muzika profesioniste shqiptare është një fenomen i  lidhur ngushtë me konceptin e shkollave kombëtare në muzikë, të cilat u krijuan kryesisht pas lindjes së shteteve kombe në shek. XIX-XX. Muzika jonë zë fill me kontributet e Palok Kurtit në vitet e Lidhjes së Prizrenit 1878, për të vazhduar në fillimin e shek. XX me të parin kompozitor profesionist Lec Kurtin, me Martin Gjokën, për të vijuar në vitet 1920-1930 me Thoma Nassin, Kristo Konon, e më pas Fan S. Nolin. Prej asaj kohe, muzika e kompozuar prej tyre, ka mbetur e shkruar me penё ose laps, dhe vetëm në disa raste si tek Thoma Nassi apo Fan S. Noli shohim edhe botimin e partiturave muzikore, kjo për shkak të veprimtarisë së tyre në SHBA.

Pas çlirimit të vendit,  krijohet klasa e kompozitorëve profesionistë të muzikës, kryesisht të shkolluar në ish Bashkimin Sovjetik si Ҫesk Zadeja, Dhora Leka, Tish Daija, Albert Paparisto, Tonin Harapi, Kozma Lara etj. Si rezultat në vitin 1956 kemi të parën simfoni shqiptare të Zadejës, të parën opera të Jakovës “Mrika” më 1958 dhe të parin balet shqiptar “Halili dhe Hajria” të Tish Daisë. Edhe këto vepra madhore të muzikës sonë, janë shkruar përsëri me penë ose me laps, dhe vetëm pjesërisht para viteve 1990 patën mundësinë që përmes veprimtarisë së Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore e cila funksiononte edhe si shtëpi botuese, të shihnin dritën e botimit. Pas viteve 1990, interesi për botimet muzikore është shumë i paktë dhe nuk ka asnjë hapësirë për botime, me përjashtim të nismave private edhe këto për botime kryesisht komerciale. Këtë “fat”, pra që partitura të botohej, nuk e pati as baleti “Halili dhe Hajria”, për disa arsye.

Duhet të pohojmë se historia e këtij baleti është me plot gojën një histori suksesi. Premiera e baletit u bë me 13 janar 1963 ne Teatrin e Operas dhe Baletit (sot Akademia e Arteve). Ne vitin 1983 me rastin e 20 vjetorit te vënies në skenë, jane ri orkestruar disa numra nga baleti. Eshtë shfaqur afro 300 herë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Kjo trupë e ka shfaqur baletin jashtë vendit në turnete e Greqisë (1983), në Itali (1991) dhe në Festivalin “Vera e Ohrit, (2005). Në Francë ky balet është venë në skenë me artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit Clermond-Ferrand (1980), me koreograf Brice Leroux. Baleti është shfaqur vënë në skenë gjithashtu edhe në Kosovë nga Ansambli i Baletit të Teatrit Krahinor të Prishtinës  në vitin 1979.

Dirigjentët dhe orkestrat që kanë interpretuar baletin, në Shqipëri dhe jashtë saj, kanë përdorur gjatë intepretimeve partiturën origjinale të kompozitorit, e cila me kalimin e viteve filloi të degradojë, si në pikëpamje të shikueshmërisë (karboni i notave  fshihet për shkak të fërkimit), apo se faqe partiture humbasin ose ngatërrohen, kjo pasi muzika e baletit mund të jenë interpretuar pjesë të ndryshme të cilat shkëputeshin nga trupi i partiturës origjinale etj). Ka pasur raste kur numra të caktuara prej tij janë riorkestruar mbështetur regjistrimit muzikor integral të baletit, pasi pjesë të partiturave kanë humbur. Pra sot që po flasim nuk ka një botim të baletit, për më tepër një botim që ti referohet partiturës origjinale të krijuar nga kompozitori dhe akademiku ynë Tish Daija.

Sa më sipër, Akademia e Shkencave si enti botues më i madh i shkencës në Shqipëri vendosi që të përjetësojë përmes botimeve të saj të vitit 2020 edhe partiturën historike të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”. Për të ardhur deri në këtë moment, Gust Daija, djali i kompozitorit Tish Daija i cili është kompozitor gjithashtu, në bashkëpunim me kolegë të tij, shkencëtarë në fushën e muzikologjisë dhe kompozicionit, ndërmori nismën për sistemimin përfundimtar të partiturës së baletit përmes:

  1. Notizimit të plotë të partiturës origjinale të Tish Daisë aty ku ajo është e plotë
  2. Plotësimin e notave të fshira ose gjysmë të dukshme duke krahasuar klaviret e muzikës me partiturën orkestrale.
  3. Përfshirjen e të gjithë numrave muzikorë të baletit në një partiturë të vetme, kjo referuar regjistrimit muzikor dhe atij me video të baletit, pra duke krahasuar premierën me variantet që dolën më pas.
  4. Unifikimin e të gjithë partiturës mbështetur edhe kujtimeve dhe bisedave që akademiku Tish Daija ka shprehur për të, si vullnet i vetëm i autorit të tij.

Sot ky kalvar i gjatё pёrfundoi dhe kemi nё duar partiturën e plotë të baletit “Halili dhe Hajrija”, vepёr e cila kёtё vit do tё pasohet edhe me 4 veprat pёr orkestёr simfonike tё Fan S. Nolit dhe besoj qё vitin tjetёr do tё kemi edhe botimin e tё parёs simfoni shqiptare, atё tё Ҫesk Zadesё, nё kuadrin e 95 vjetorit tё lindjes sё tij.  Botimi i partiturёs historike të baletit tё parё shqiptar do ti shërbejë një larmie të madhe përdoruesish, nga dirigjentët brenda e jashtë vendit, kompozitorëve të rinj dhe muzikologëve, bibliotekave të specializuara ose jo, nxënësve dhe studentëve të muzikës, dashamirësve, koleksionistëve etj.

Ju faleminderit pёr vёmendjen.

 

 

 

 

 

 

Më shumë

Përmet, Konferencë Shkencore: “Vëllezërit Frashëri dhe Lasgush Poradeci”

175 vjetori i lindjes së përfaqësuesit të Rilindjes Shqiptare, poetit dhe shkrimtarit Naim Frashëri, u shënua në Përmet me një Konferencë Shkencore, “Vëllezërit Frashëri dhe Lasgush Poradeci”. Studiuesit risollën këto figura në tërë dimensionet që i karakterizonin. Aktiviteti u organizua nga Shoqata Atdhetare- Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, Ministria e Kulturës, bashkia Përmet dhe Kryegjyshata […]

Dita Ndërkombëtare e Muzeve – Koçi: Sfida kryesore e muzeve tanë është ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë

Sot, në kuadër të 18 majit, “Ditës Ndërkombëtare të Muzeve”, Muzeu Historik Kombëtar organizoi takimin me temë “E ardhmja e Muzeve: Rimëkëmbja dhe përfytyrimi”. Në aktivitet qenë ftuar muzeologë, të cilët diskutuan mbi të ardhmen e rrjetit muzeor në vend, si edhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin sa më të mirë të […]

40 – vjetori i Demonstratave të Prishtinës, ekspozita “Vullkani i Kosovës” në Pazarin e Ri në Tiranë

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë janë një moment kyç në historinë e Kosovës dhe në këtë 40 – vjetor, Angjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka realizuar këtë ekspozitë. Pas Prishtinës, saktësisht aty ku nisën demonstratat dhe çeljes së saj në disa qytete të Kosovës, 4 dekada kthese në historinë e […]

Botimi historik i partiturës së baletit të parë shqiptar, kur Tish Daija qante për eksodin e shqiptarëve

Partitura e baletit të parë kombëtar “Halili dhe Hajria” tashmë është në një botim historik me partiturë. 95-vjetori i lindjes se kompozitorit Tish Daija, ka nxitur Akademinë e Shkencave të botojë partiturën e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, vënë në skenë më 1963. Pjesa që lindi në Moskë, kur autori ishte student. […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara