Saturday 9 December 2023
Saturday 9 December 2023

 

Ky 8 Dhjetor qe rasti që Lulzim Basha të tregojë “sallën e tij” të mbështetësve në PD. Pas muajsh që e akuzojnë se e ka humbur anëtarësinë dhe është mbyllur në studio televizive, Basha është shfaqur tek Arturbina me demokratët që ende e duan në krye të partisë.

 

Që nga përzgjedhja e folësve në panel, që nga pozicioni që kishte zgjedhur për t’u ulur mes dëgjuesve, që nga fakti se e mori fjalën i fundit u kuptua se takimi ishte konceptuar si një Anti-Foltore.

 

Mesazhi i parë nuk erdhi nga zërit të fortë të liderit, por nga kori që fliste para kryetarit. Në dallim nga Foltorja, ku në panel qëndron Sali Berisha, në panelin e PD-së së Bashës ishin të ulur shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe historianë, të cilët e sollën 8 dhjetorin përmes mesazheve që shënjestronin konfliktin politik që ka përçarë Partinë Demokratike.

 

Qartazi, duke iu referuar Berishës që ende këmbëngul të qëndrojë në politikë, Preç Zogaj iu referuar rastit të Polonisë dhe rrugëtimit që pati themeluesi i Solidarnost, Lech ëalesa.

 

“Polonia ka Solidarnosin, që ishte një sindikatë që e udhëhiqte Les Valesa që për një përiudhë kohe u bë edhe President i Polonisë, ishte protagonist jo vetëm i ndryshimeve politike në Poloni, por ajo është lokomotiva që udhëhoqi ndryshimet demokratike. Ai ishte president, u tërhoq, shkoi në jetën e vet. Ka ndërruar jetë tani, por e bëri misionin dhe ua la të tjerëve. Ja u la stafetën se ky është kuptimi i demokracisë. Demokracia nuk është pronë. Pushteti nuk është pronë. Lidershipi nuk është pronë” tha Zogaj, që më pas kaloi në përçarjen që po ndodh në PD.

 

“Sot po festojmë të ndarë, nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim. Ka patur raste kur 8 dhjetori është festuar në dy vende paralele, por jo në përmasa si këtë radhë. Jemi në një zhvillim të panjohur për Shqipërinë dhe Partisë Demokratike. Jemi përpara rrethanave dhe ngjarjeve që nuk kanë ndodhur ndonjëherë. PD është përfshirë në një krizë në një turbullirë dhe jemi shqetësuar të gjithë për këtë, jemi të shqetësuar për ne, për ata që nuk mendojnë si ne, që mendojnë kundër nesh, që na shajnë ne sepse nuk kemi tjetër si formacion politik. Ka mbi 8 vjet që nga pozitat e një publicisti pranë PD kam shprehur shqetësim për dy gjëra. E para, PD nuk mund të shkojë në fitore pa zgjidhur dualizmin e lidershipit të saj. Nuk ka parti të djathta që nuk dihet kush është kryetar. Parti që as kryetari nuk bëhet kurrë kryetar dhe as ish-kryetari nuk ikën kurrë nga kryetari, nuk bëhet kurrë. Dualizmi nuk çon në fitore dhe po t’i kesh të gjitha letrat në rregull. Prej vitesh ka patur një pengim nga SHBA për PD, arsyet janë bërë të qarta nga zhvillimet që kanë ndodhur. Do ndodhin të tjera më vonë. Ajo është fuqi e madhe. Nuk ka të ardhme PD që ka lindur si oksidentale dhe të fitojë zgjedhjet si oksidentale. Kjo krizë ka zgjidhur dualizmin dhe ka hequr pengesën amerikane. Për herë të parë SHBA, që përfaqësojnë kornizën e sigurisë së kombit shqiptar, për herë të parë kthehen dhe deklarohen për një bashkëpunim të ngushtë me PD dhe paralajmërojnë dëshirën për të festuar krah saj fitoren, siç ka ndodhur në 1992. Heqja e dualizmit dhe rivendosja e marrëdhënia e ngushtë me SHBA, janë dy premisa të fuqishme. Nuk janë vetë fitorja. Janë dy premisa, pa të cilat, edhe po t’i kesh në rregull të tjerat, nuk fitohet. Duhet të bashkohemi se përballë PD ka vetëm një kundërshtar, qeveria e Edi Ramës” u shpreh Zogaj.

 

Mark Marku, profesor dhe ish deputet i Partisë Demokratike foli për “vrasjen” që Partia Demokratike u ka bërë studentëve të dhjetorit përgjatë këtyre 30 viteve duke i “heroizuar” ata. Marku tha se fryma komuniste duhet larguar dhe bashkë me të edhe kulti i individit.

 

“Unë mendoj se dy gjëra kanë ndodhur, të tmerrshme në demokracinë shqiptare. E para Partia Demokratike dhe duhet të jemi kritikë ndaj vetes, e rrëzoi komuznimin dhe e futi komunizmin brenda vetes dhe PD pas kaq vitesh dhe vazhdon ende sot, nuk ka luftuar komunizmin brenda vetes. Sot po vuajmë pasoja. Sot, Partia Demokratike që është partia që të gjithë jemi të lidhur në një fazë me të, PD për mua është pasion, jo interes. Përkundrazi interesi im është të jem sa më larg PD dhe çdo partie. është pasion, sepse megjithë përfshirjen në jetën politike, është gjëja që lindi pas lëvizjes së dhjetorit. Por ndodhi që PD i përkujton shumë heronjtë e dhjetorit, por edhe i ka vrarë. S’kemi pse të jemi heronj ne. Përveç Azem Hajdarit askush nuk është vrarë prej nesh. Nuk duhet të na trajtojnë si heronj. S’duhet t’i kishe trajtu si heronj. S’duhet t’i kishe fut në arkivën e historisë. Duhet që frymën e tyre ta kishe bërë pjesë të vetvetes. Se të vret Partia Demokratike edhe kur ti shkon me frymën e dhjetorit dhe shfaq frymën e dhjetorit. Sepse në momentin që ti flet, ti konsiderohesh armik. Në momentin që ti nuk je dakort me liderin, ti konsiderohesh armik. Ta largojmë frymën komuniste, mënyrën e të menduarit komunist” tha Marku që e quajti mision të Partisë Demokratike rrëzimin e kultit të individit.

 

“Askush nuk beson se do kthehet drejtësia, vetë e duam demokracinë për qejfin tonë, por kur na kthehet demokracia… Lulzim Basha ishte i mirë para shtatorit, pas shtatorit doli njeriu më i keq në botë. Për mua Lulzim Basha është ai që e kam njoft, para shtatorit, pas shtatorit. është i mirë sa ç’jemi ne të gjithë këtu të mirë e të keq. Me komunistat nuk kemi gjë. Me komunizmin kemi punë. Ta largojmë një herë nga vetja, nga PD dhe pastaj…” tha Mark Marku.

 

Salla u çua në këmbë kur nisi të flasë Lulzim Basha. Ndërkohë që një grup të rinjsh bërtisnin emrin e tij, Basha ka kërkuar që kjo të mos ndodhë. Në vend të brohoritjeve për kryetarin, ai ka kërkuar ndjesë, duke i veshur PD mentalitetin komunist të linçimit të mendimit ndryshe dhe të vjedhjes së zgjedhjeve.

 

“Ka ardhur momenti, 31 vite më vonë, nuk ka më kohë për mua, nuk ka më kohë për brezin tim sepse do të ishte një mëkat i pashlyeshëm ndaj 17-vjeçarëve të sotëm, ndaj 20-vjeçarëve të sotëm që të mbyllim sytë e të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona, faktin që shkulëm komunizmin por jo mentalitetin komunist, të mënyrës së vepruarit, të menduarit, të linçimit të mendimit ndryshe, të vënies dorë në zgjedhje që ishte kultura që ata imponuan në 91-shin, të atakimit të opozitarit si armik, të goditjes së mendimit ndryshe edhe tek liria e shtypit, të heqjes dorë nga gara e ndershme në ekonomi si tipari identitar i të djathtës shqiptare dhe favorizimit të klientëve, nganjëherë të oligarkëve që tani i ka trashëguar regjimi. Pra, të kërkojmë falje. Dhe e kërkoj sot faljen si kryetar i Partisë Demokratike në emër të Partisë Demokratike, në emër të demokratëve shqiptarë për të gjitha ato përgjegjësitë tonat, gabimet tona, pse jo dhe fajet tonat që i kanë mundësuar këtij regjimi ta kthejë Shqipërinë në shumë aspekte në dimensionin e vuajtjes aty ku ishte 31 vite më parë dhe bashkë me këtë zotohem para jush dhe para çdo shqiptari që na ndjek në 8 dhjetor në këtë ditë të shenjtë, ditën e rinisë, ditën e lirisë se Partia Demokratike është në këmbë, Partia Demokratike është e fortë, Partia Demokratike ka ditur dhe do të dijë të qëndroje në këmbë e fortë, e bashkuar sepse ne kemi një mision, lirinë demokracinë Shqipërinë si gjithë Europa. E kemi marrë nga dhjetoristët dhe nuk e dorëzojmë deri sa ta bëjmë realitet” u shpreh Basha.

 

 

 

 

Ndërkohë përballë shtatores së Azem Hajdarit në Tiranë, Sali Berisha ka organizuar një tjetër Foltore, por kësaj radhe në ambjent të hapur.

 

Në qendër të takimit ishte sërish fjala e liderit të demokratëve që ka folur i pari, duke i quajtur studentët “ëngjëj të demokracisë”. Me thirrjet “Azem ti je gjallë” fjala e Berishës është brohoritur nga simpatizantët, ndërsa ai ka njoftuar se Kuvendi i demokratëve do të mbahet në stadiumin Air Albania.

 

“Llogaritë e Edi Ramës se duke marrë peng Lulzim Bashën, mund të marrë peng idealet e PD dhe të shqiptarëve, kanë marrë fund sot. Sot vijmë në një dhjetor të ri, të idealeve më të larta, më të vendosur se kurrë. Do të rithemelojmë partinë e dhjetorit ‘90, partinë e të rinjve dhe të studentëve, partinë e lirisë së shqiptarëve, të votës së lirë. Vijmë sot këtu më të vendosur se kurrë, se ashtu siç përmbysëm dhe çmontuam 31 vite më parë, diktaturën hoxhiste, të përmbysim dhe të çmontojmëedhe narkoshtetin e Edvin Kristaq Ramës dhe pengut të tij, Lulzim Basha. Të rikthejmë në Shqipëri vlerat e lirisë, vlerat konservatore. Të rikthejmë votën e lirë, dinjitetin njerëzor, hapjen e shpejtë të integrimit të vendit në BE. Bashkëpunimin dhe partneritetin dinjitoz me SHBA dhe vendet e tjera të aleancës perëndimore. 11 dhjetori po vjen. 11 dhjetori është dita e madhe e atyre që themeluan PD, e atyre që arritën të përmbysin diktaturën komuniste, e atyre që ndërtuan Shqipërinë demokratike, e atyre që në një moment kritik, u ngritën si Feniksi dhe do të ndërtojnë më 11 dhjetor monumentin madhështor të pluralizmit politik dhe rithemelimit të PD. Nga ky shesh, ftoj të gjithë demokratët, ftoj të gjithë delegatët e Kuvendit, ata që kanë firmosur dhe ata që nuk kanë firmosur, të vijnë në Kuvendin e rithemelimit të PD, që do mbahet në arenën e AirAlbania. Do mbahet aty sepse ne do t’u japim mundësinë shqiptarëve të njihen me çdo delegat dhe delegate që ka firmosur e do firmosë rithemelimin e PD dhe pluralizmit politik. Por do t’u japim mundësi simpatizantëve tanë, anëtarëve tanë që nuk janë delegatë, që me dëshirën e tyre të vijën të ndjekin këtë ngjarje madhështore të dhjetorit të ri: Shpëtimin e PD dhe të pluralizmit në Shqipëri” tha Berisha.

 

Surpriza në takimin e Berishës, ishte fjala e Azem Hajdarit të ri, djalit të vogël të Azem Hajdarit që ka folur në takim duke kërkuar që të shmangen njerëzit që i bëjnë dëm vendit.

 

“Ju falenderoj që keni ardhur këtu dhe falenderoj zotin që ekziston një shpirt i njeriut të tillë që luftoi për të drejtën dhe liritë e njeriut. Një ditë si kjo e sotmja ka qenë në memorien time si një ditë përrallore nga mirësia dhe guximi i atyre që u çuan për të mirën e kombit tonë. Këtë përrallë unë e kam dëgjuar aq shumë herë, dhe çdo herë është bërë më e bukur. Me rritjen time kuptova se ishte reale dhe këta njerëz luftuan ndaj komunizmit më të egër në Evropë me mirësinë trimërinë dhe idealet e tyre.

 

Nuk mendoja se do të vinte kjo ditë të mblidheshim sot kështu, mendoja se ishte diçka e shkuar, por kur shikon kur kombi jot është në një situatë të keqe në aspektin e ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit, kjo ditë do të vinte. Ishalla shpresoj që kjo ditë të jetë frymëzim për të gjithë dhe t’a kthejmë Shqipërinë në mënyrën më të mirë, në formën më të mirë dhe t’i shmangim të gjithë njerëzit që janë në dëmin e këtij vendi”, tha Azem Hajdari.

Më shumë

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar

Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij.   Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të […]

Shtyhet ngritja e komisionit të reformës zgjedhore

Miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore është tërhequr nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.   Vendimi ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj.   Kjo për faktin se palët ende nuk janë dakordësuar për objektin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. […]

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin që do të votohet ditën e sotme mbi konventën e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit.   Sipas saj kjo konventë do të bëjë që çdo shtetas apo biznes që zhvillon […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara