Është e qartë dhe me plot arësye përse Richard Grenell e nxorri jashtë loje Albin Kurtin si kryeministër, me ndihmën e hirshme o të pahirshme të Hashim Thaçit. Më tej, thjesht u nxorr nga skena edhe ky i fundit, si person skomod për momentin, pasi nën dritën e hetimeve ndaj tij për krime lufte, mund të cënohet paksa etika e tratativave, edhe pse për të gjithë është e qartë se Thaçi është ende figurë inçizive në Prishtinë. Takimi i 2 Shtatorit në Washington dhe negociatat që do të pasojnë duhet të karakterizohen nga realizmi, koncept që Vetvedosja e Albin Kurtit nuk e ka bërë ende apo enkas të vetin.
Për momentin, fusha operuese në planin kosovar është pastruar, me Abdullah Hotin kryeministër dhe kryenegociator, përballë Presidentit serb Vuçiç dhe ekipit të tij. Kjo asimetri diplomatike, merr natyrisht më pak rëndësi përballë nivelit dhe qëllimit të bisedimeve dhe të një marrëveshjeje të mundshme.
Asimetrik është edhe sfondi nga i cili vijnë palët në marrëveshje: serbët arrijnë në Washington me një unitet të rrallë midis Vuçiç dhe qeverisë së Brnabiç, ndërsa ekuilibri mes kosovarëve është tejet i brishtë. Vetvendosje dhe Albin Kurti nuk e shtyjnë dot poshtë zbythjen që i bëri Grenell me një lëvizje të gishtit, por edhe palë të tjera, të prekura e të pakënaqura në egon e tyre, janë gati për rrëmujën. Për fat të keq, liderët e Kosovës nuk janë shkëputur ende nga mentaliteti feudalo-otoman, përpos që, në rastin e Albin Kurtit dhe të Vetvendosjes së famshme të tij, nuk duhet shumë ta kuptosh se kryejnë me zell funksionin alibi për Serbinë, që ta prezantojë çështjen e Kosovës si pjesë e një programi për të realizuar Shqipërinë e Madhe.
Një tjetër aspekt interesant i këtij takimi është fakti se deri më tani, SHBA dhe BE kanë punuar dhe investuar sëbashku për të afruar Serbinë dhe Kosovën drejt një zgjidhjeje paqësore të marrëdhënieve midis tyre. Mirëpo kjo nuk ka funksionuar si duhet, përkundrazi, ka kronicizuar ngërçin dhe e ka bërë më të fortë akoma këtë nyje gordiane në Ballkan. Ndarja e kësaj nyjeje nuk mund të gjejë natyrisht zgjidhje duke aplikuar opzionin e shkëmbimit të territoreve: zona e Mitrovicës së Veriut t’i jepet Serbisë dhe ajo e Preshevës t’i jepet Kosovës . Edhe pas një ndarjeje eventuale të tillë, problemet midis Serbisë dhe Kosovës mbeten ende të shumta dhe mbi të gjitha nuk është e thënë që Serbia, edhe paskëtaj, do të impenjohet ta njohë Kosovën si shtet sovran. Kalimi i negoziatave në fushën amerikane mund ta përshpejtojë këtë proçes, por mund edhe ta ngadalësojë, për shkak se, ndryshe nga Kosova, Serbia dhe Vuçiç kanë referime të tjerë në Rusinë e Putinit, në Europën e masonëve me të cilën ka lidhje të vjetra, në Kinën e Xi Jinpingut e madje edhe në Indinë e Modit, pesha e së cilës po ndihet. Në kontekstin aktual, vetëm Rusia mund të rrijë disi “indiferente” ndaj faktit. Së pari ngaqë i bën një dhuratë të vogël preelektorale administratës Trump, e cila është e vetmja që, pas shumë dekadash zëvendësoi Kinën me Rusinë, si vend kryesor kërcënues, në strategjinë politiko-militare amerikane e botërore; së dyti ngaqë nga hapja e lojës së kungulleshkave, asaj të shkëmbimit “paqësor” të territoreve, si eventualisht në rastin e Kosovës dhe Serbisë, mund të dalë veçse me përfitime jo të vogla në planin e rritjes së rolit të saj në Europë dhe në botë; së treti, pasi ajo vetë ka krijuar një sërë “shtetesh” fantazmë në Kaukaz, si Osetsinë e jugut, sa për të dhënë një shëmbull, e do ta përdorte me efikasitet rastin e Kosovës si kartë në tavolinë edhe për “legalizimin” e tyre; së katërti dhe jo e fundit për nga rëndësia, Rusisë, në këtë fazë historike, siç thuhet në shqip, i kanë rënë brekët në tokë, ngaqë ekonomia e saj ka autonomi ndaj borxheve masive të huaja vetëm një vit, sipas parashikimeve të ekspertëve rusë.
Është e qartë se SHBA po marrin përsipër menaxhimin e një faze jashtëzakonisht delikate në zgjdhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, një fazë që mund të ngrejë shumë pluhur në Europë dhe në botë. Dhe po hyjnë në këtë fazë gjatë administratës Trump e cila duket qartë se, në këtë plan, nuk ka mbështetjen e Berlinit dhe Parisit, por as edhe të Romës. Nuk ka as mbështetjen e Ramës në Tiranë dhe të Vuçiçit në Beograd,që është palë direkte, të cilët, edhe pse personalisht të parëndësishëm e, sidomos, krejtësisht të rikatueshëm në shumë drejtime, gjithsesi i përkasin krahut të kundërshtarëve politikë të Administratës Trump, në një plan më të gjerë.
Nga ana tjetër, Europa, me pafuqinë e saj, e ka vetëm kronicizuar deri më tani çështjen e Kosovës. Kujtojmë se negociatat e para nisen me ndërmjetësimin e baroneshës angleze Ashton, takimet me të cilën dukeshin si ftesa për çaj për të folur për tema e shije ekzotike; më pas i erdhi rradha Federica Mogerinit, e cila dukej sikur takimet i linte enkas gjatë fazës sindromatike të saj e, më në fund, i takon Përfaqësuesit aktual të politikës së jashtme europiane, zotit Josep Borrell, ish Ministër i Jashtëm i Spanjës, një vendi europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe të ngarkuarit të posaçëm të tij për Kosovën, sllovakut Miroslav Lajčák, ish Ministër i Jashtëm i një tjetër vendi europian që nuk e njeh Kosovën (Sllovakisë), përveçse i (de)formuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë. BE propozohet kështu para kosovarëve me dy figura që vijnë nga dy prej pesë vendeve të vetme të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Paraqitje kulturalisht dhe politikisht e paragjykuar dhe e paragjykueshme.
Përsa i përket BE-së, përpjekje të mëtejshme, edhe të sforcuara, të Gjermanisë, deri më tani nuk janë parë, ndërsa dihet qëndrimi i Francës. Kështuqë medoemos topi kalon në Washington, interesat e të cilit në Kosovë dhe në Jugun e Ballkanit tashmë janë të konsoliduara. E vetmja shpresë për Kosovën dhe kosovarët, por edhe e vetmja rrugëdalje për Vuçiçin dhe Serbinë.
Në këtë këndvështrim, do të jetë 2 Shtatori një takim themelor i një cilësie të re negociatash Prishtinë-Beograd apo do të mbetet vetëm një takim duarsh, brrylash apo grushtash në Rose Garden?
M.S.
Dimër i ftohtë si pasojë e konfliktit Ukrainë-Rusi
Ukraina fuçi baruti
Zgjohu Europë!
Nndikimi rus e kinez në Ballkanin Perëndimor
SHBA, BE dhe zjarrvënësit në Bosnje
Kriza në Maqedoninë e Veriut si goditje ndaj takimit të “Open Balkan” në Beograd
Komisioni Europian (KE) miratoi të martën, (19.10) Paketën e Zgjerimit 2021 dhe vlerësoi situatën dhe progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe Turqi në proceset e tyre respektive drejt hyrjes në Bashkimin Europian. Vëmendje e veçantë i është kushtuar reformave themelore dhe udhëzimeve të qarta për reformat prioritare në vijim, […]
Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit: për dy vjet Vend i vogël me politikë të jashtme konstruktive. Shqipëria u zgjodh dje anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të […]
Dështimi i Shqipërisë për t’u shkëputur rrënjësisht nga diktatura e saj brutale komuniste ka shtrembëruar kujtesën e saj për të kaluarën dhe ka dëmtuar tranzicionin e saj nga shoqëria post-totalitare në një demokraci funksionale. Ky mars shënoi 30-vjetorin e fillimit të Lëvizjes Studentore që i hapi rrugë rënies së regjimit komunist hoxhist, […]
Të dëgjosh Bashkimin Evropian duke u prononcuar për Ballkanin Perëndimor është pak a shumë njësoj sikur të mbyllesh në një dhomë dhe të dëgjosh të njëjtën melodi. Është i njëjti refren i ëmbël që premton një të ardhme të mrekullueshme së bashku, por pa përcaktuar ku dhe kur. Ka qenë viti […]