e premte 30 korrik 2021
e premte 30 korrik 2021

 

Ligji i ri për funksionimin e OJF-ve ka prodhuar debat mes Komisionit të Ligjeve në Kuvend dhe 110 organizatave të shoqërisë civile. Këto të fundit kanë kundërshtuar mënyrën se si është hartuar ligji dhe përmbajtjen e tij, duke konsideruar si cenues të lirisë së organizatave të shoqërisë civile.

 

Ariola Agolli, një nga hartueset e deklaratës së përbashkët të 110 organizatave të shoqërisë civile kundër përmbajtjes së këtij ligji, tha se kundërshtitë e tyre janë parimore dhe kanë të bëjnë me procedurat që janë ndjekur nga Parlamenti për hartimin e tij dhe disa aspekte që në realitet ligji do të shkaktonte bllokim të punës së organizatave të shoqërisë civile.

 

“Cenon të drejtën e organizimit dhe të drejtën e funksionimit të organizatave të shoqërisë civile. Dhe ka shumë gjëra të paqarta që lidhen me mënyrën sesi do të funksionojë sistemi i regjistrimit, por edhe çështje të tjera që lidhen me financimin e këtij regjistri, por duke shkuar edhe më tej, çështje që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale edhe çështje të tjera”, tha znj. Agolli.

 

Ajo paralajmëron probleme të mëdha në rast se ligji do të kalojë në Kuvend pa u ripunuar duke përfshirë rekomandimet e organizatave.

 

“Nëse projektligji miratohet në këtë mënyrë siç është apo me pak rregullime ose riformulime që nuk janë thelbësore, do të bëhet shumë e vështirë. Rreziku më i madh është që projektligji të hyjë në fuqi dhe ligji të jetë i pazbatueshëm. Kjo do të shkaktojë një konfuzitet shumë të madh në të gjithë procesin e regjistrimit të organizatave të shoqërisë civile në vend”, shpjegoi ajo.

 

Sakaq gjatë një seance dëgjimore me Komisionin e Ligjeve, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tregoi se me ligjin e ri do të krijohet një regjistër elektronik për OJF-të, i cili do jetë publik.

 

“Ky projektligj parashikon një procedurë më transparente në lidhje me aktivitetin e OJF-ve si dhe vendosë modernizimin e shërbimeve por edhe të databazës në drejtim të informacionit më të plotë për çdo organizatë jo fitimprurëse që kryen aktivitet  jofitimprurës në Republikën e Shqipërisë”, tha ministrja Gjonaj.

 

Ky ligj i ri për organizimin dhe funksionim e OJF-ve në Shqipëri vjen si pjesë e paketës me ndryshimet ligjore që qeverisë shqiptare i është kërkuar nga Moneyval, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit.

 

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara