e shtunë 18 shtator 2021
e shtunë 18 shtator 2021

 

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë që zhvilluan takime në Bruksel gjatë dy ditëve, nuk mundën të përafrojnë qëndrimet për një takim të paralajmëruar të nivelit të lartë.

 

Dy delegacionet teknike në dialogun Kosovë Serbi, gjatë dy ditëve diskutimesh në Bruksel nën ndërmjetësimin e të ngarkuarit të BE, Mirosllav Lajçak, nuk arritën ndonjë përparim të theksuar. Për pasojë këtë muaj nuk do të ketë takim të nivelit të lartë politik. Këtë e konfirmoi udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili tha se “gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.

 

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi. Temë e vetme në Bruksel, gjatë takimit trepalësh Lajçak, Bislimi, Petkoviç, ka qenë çështja e të pagjeturve, ku palët siç thotë zëvendëskryeministri, “kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore”.

 

“Në një moment zoti Petar Petkoviç është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së. Kosova nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione”, tha Besnik Bislimi. Ai konfirmoi se “janë pajtuar që grupet e punës për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht dhe trupat e pajetë të gjetur në varrezën e dyshuar masive në Kizhevak të Serbisë t’iu dorëzohen familjeve”.

 

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, tha se takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim.

 

Lajçak: Pres të gjendet gjuhë e përbashkët për të ecur përpara

 

Një ditë më herët, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka diskutuar për temat e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, në një takim me të ngarkuarin e BE në dialog Mirosllav Lajçak. Kjo pasi Prishtina zyrtare dy ditë më parë ia ndaloi hyrjen në Kosovë shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviçit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

 

Gjatë ditës së djeshme ndërkaq, Mirosllav Lajçak shkroi se pret nga palët që të gjejnë gjuhë të përbashkët.”Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen dhe unë pres që të gjendet gjuhë e përbashkët për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak.

 

Serbia nga ana e saj sërish ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që për Prishtinën zyrtare është e papranueshme. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë. Këto komuna janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

 

Takimi i fundit në nivelin e lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është zhvilluar më 19 korrik. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Shefi i tashëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se “marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë, ndër të tjera, edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale”.

 

Më shumë

Maqedoni e Veriut- Kosovë, mbledhje e përbashkët e dy qeverive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij qeveritar mbërriti të enjten në Shkup për mbledhjen e parë të përbashkët mes qeverive të dy vendeve.   Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev priti homologun e tij Kurti me ceremoni të larta ushtarake dhe shtetërore, para ndërtesës së qeverisë. Dy […]

BE me mision vëzhgues të zgjedhjeve lokale në Kosovë

BE thotë se mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian. Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen me 17 tetor, ndërsa për shkak të pandemisë ende nuk dihet si do të zhvillohet fushata zgjedhore.     Bashkimi Evropian do të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që do […]

Përgjaket fushata e zgjedhjeve vendore në Kosovë, dy politikanë të PDK-së vrasin njëri-tjetrin!

Policia e Kosovës bëri të ditur se dy persona kanë humbur jetën në një incident me armë zjarri në qytetin e Pejës, rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës.   Policia tha se si pasojë e të shtënave tre persona janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin Rajonal në Pejë. “Nga ekipi mjekësor […]

Gjeloshaj: Joanikije të distancohet nga ata që kënduan për Kosovën

Kryetari i Komunës së Tuzit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, i bëri thirrje mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, që të distancohet nga ata që kënduan këngë nacionaliste me vargjet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, gjatë shugurimit të tij, më 5 shtator.   Këto vargje mund të shihen […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara