e diel 25 korrik 2021
e diel 25 korrik 2021

 

Përfaqësuesit e diplomacisë amerikane dhe europiane nxitën sot qeverinë e Shqipërisë të shtojë përpjekjet për të dërguar në burg trafikantët e qenieve njerëzore dhe të kujdeset, që viktimat e tyre të riintegrohen në shoqëri.

 

OSBE organizoi sot një konferencë me diplomatë, donatorë, zyrtarë dhe veprimtarët e të drejtave njerëzore.

 

Në mesazhet për zyrtarët dhe veprimtarët, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, theksoi se Shqipëria me gjithë faktorët e saj, qeveria, shoqëria civile, mediat dhe të tjerët duhet t’u bashkohen me përpjekjen botërore për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore.

 

“Ne e nxitim qeverinë shqiptare të ripërtërijë përpjekjet për të identifikuar viktimat e trafikimeve, t’u japë atyre strehë dhe të dërgojë trafikantët në burgje” – tha ambasadorja Kim.

 

Ajo i bëri këto komente sot në një konferencë të organizuar nga OSBE mbi bashkimin e përpjekjeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

 

Trafikantët, tha ajo, përfaqësojnë “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, ndaj ata do të ndalohen të hyjnë në SHBA.

 

“Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë se korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krime të tjera destabilizuese përbëjnë kërcënime për sigurinë kombëtare të SHBA dhe për botën. Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden lidhur me Ballkanin Perëndimor e ngre mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe luftën kundër trafikimit njerëzor, në një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ne synojmë t’u kërkojmë llogari atyre që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor” – tha zonja Kim.

 

Së bashku me shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare që drejtojnë tre prej strehëzave të Shqipërisë për viktimat e trafikimit, policia dhe drejtësia, sipas saj, mund të ringjallin përpjekjet për të identifikuar më shumë viktima, për të ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët dhe për të përgatitur të trafikuarit që të rihyjnë në shoqëri.

 

“Nëse keni një vizë amerikane apo një peticion për një vizë emigrimi, nuk do t’iu hyjnë më në punë, sepse nëse trafikoni qenie njerëzore, qeveria e SHBA mund të ndërmarrë veprime kundër pronës suaj, nëse kalon përmes ose ka një lidhje me Shtetet e Bashkuara” – tha ambasadorja Kim.

 

Ndërsa ambasadori Luigi Soreca, drejtues si delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha se autoritetet e njohin dhe e pranojnë trafikimin e qenieve njerëzore si një problem shqetësues.

 

“Shqipëria vend burimi, kalimi dhe mbërritje për trafiqet e qenieve njerëzore, po ashtu si edhe shumë vende të tjera në rajon. Ajo ka marrë masa të forta kundër kësaj dukurie, duke nisur nga mekanizmi i referencës, ndryshimi i ligjeve deri tek zbatimi i tyre më i plotë në terren” – tha ambasadori Soreca.

 

Ai shtoi se BE-ja ka vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare një oficer ndërlidhës të Europol në Tiranë që nga viti 2019 si dhe njësitë e Frontex në jug të Shqipërisë në kufirin tokësor dhe atë detar.

 

“BE dhe Shqipëria po përballen me sfida të përbashkëta kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne mund të kemi sukses në luftën kundër krimit të organizuar vetëm nëse të gjithë aktorët përkatës punojnë ngushtë së bashku në nivel kombëtar e ndërkombëtar edhe në Shqipëri. Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta kthyer edhe në Shqipëri trafikimin e qenieve njerëzore nga një krim me rrezik të ulët me fitim të lartë, në një krim me rrezik të lartë me fitim të ulët” – tha ambasadori Soreca,

 

Organizatorët renditën se Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, ishte Kryetare e Zyrës së OSBE-së në vitin 2020, sapo fitoi një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB për dy vitet e ardhshme dhe është në prag të hapjes formale të negociatave për anëtarësimin e plotë në BE.

 

Ata shtuan se integrimi më i lartë sjell edhe më shumë angazhime në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimeve në rajon dhe në botë.

 

Në një raport të vitit 2020 nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin theksohet se numri i viktimave të diktuara në trafikim është rritur.

 

Shumica dërrmuese e rasteve thjesht kalojnë pa u vënë re dhe pjesa më e madhe e viktimave janë gra dhe fëmijë.

 

Vëzhguesit pohuan se trafikimi i qenieve njerëzore ushqehet nga pabarazia shoqërore dhe ekonomike, nga varfëria, papunësia, dhuna dhe konflikti, ndaj bashkëpunimi kundër këtyre dukurive vlerësohet si mjet kryesor në përmirësimin e gjendjes.

 

Më shumë

53% grave në Shqipëri janë dhunuar!

Të dhënat për dhunën ndaj grave në Shqipëri janë shqetësuese dhe kërkojnë medoemos strategji dhe mekanizma konkretë për mbrojtjen dhe përmirësimin e situatës. Kështu u shpreh gjatë një interviste për Euronews Albania drejtuesja e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, znj. Elsa Ballauri, teksa komentoi të dhënat e INSTAT sipas së cilave një […]

Eshtrat, trondisin përsëri Përmetin!

Pas zgjidhjes së problemeve me zhvarrimet për ushtarët grekë të rënë në Përmet gjatë luftës italo-greke, duke i ngatërruar eshtrat e banorëve me ushtarët, Përmeti tronditet sërish; zbulimi i disa varreve në Përmet gjatë punimeve për infrastrukturën rrugore po ngjall reagime.   Shoqata antikomuniste e të përndjekurve politikë thotë se dyshon se varret […]

15 korrik 1941, kisha e Shën Prokopit gjatë ndërtimit

Komuniteti ortodoks i Tiranës, i ngulur në këtë qytet që prej shek. XVIII, veç gjallërisë që i solli qytetit, barti me vete edhe objektet e veta të kultit. Si të krishterë të ritit Lindor, ortodoksët e Tiranës, kryesisht me prejardhje vllahe- arumune, ndërtuan të parën kishë të tyren më 1780, në atë pjesë të […]

Forumi Ndërkombëtar kundër Anti-Semitizmit, Shqipëria midis 180 shteteve në botë!

Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, ishte pjesë e Forumit të 7-të Ndërkombëtar në Luftë kundër Anti-Semitizmit     Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, ishte pjesë e Forumit të 7-të Ndërkombëtar në Luftë kundër Anti-Semitizmit, i cili po zhvillohet onine në platformën “Zoom” dhe të vijojë deri ditën e enjte, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara