e martë 26 janar 2021
e martë 26 janar 2021

 

Në Shqipëri u regjistruan sivjet një numër më i vogël personash të infektuar rishtas me HIV-AIDS.

 

Mjekët dhe veprimtarët e kësaj fushe pohojnë se mjekimet janë marrë rregullisht, megjithëse sistemi shëndetësor iu përkushtua më shumë përballimit të epidemisë së re të COVID-19.

 

Dita Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS e gjeti Shqipërinë me një numër më të ulët të prekurish, por një pjesë e madhe e tyre u zbuluan në fazën e fundit të sëmundjes.

 

Përfaqësuesja e shoqatës së familjarëve te personave me HIV / AIDS, Olimbi Hoxha, është njëherësh edhe drejtuese e Unionit të Shoqatave të Personave me Sëmundje Kronike.

 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo thotë se sivjet vëmendjen kryesore të sistemit shëndetësor e mori epidemia Covid-19 dhe spitali infektiv, që kryesisht shërbente kundër AIDS u shndërrua në spital Covid1 dhe pacientët u zhvendosën në klinika të tjera.

 

 

“Shërbimet bazike ditore të trajtimit me medikamente dhe testime rutinë që bëhet për diagnozën e HIV vazhduan të ofroheshin me kohë të plotë dhe me personel të plotë në klinikën ambulatore. Mjekët infeksionistë që kishin nën mbikëqyrje pacientët me HIV pozitiv në kohën që u mbetej pasi trajtonin pacientët me Covid e shfrytëzonin për të ndihmuar pacientët me HIV dhe për këtë kanë një falenderim të madh nga ata” – tha zonja Hoxha.

 

Epidemia Covid 19 thotë zonja Hoxha tregoi se sa e rëndësishme është ofrimi i shërbimeve për komunitetin nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat janë më pranë pacientëve.

 

Prandaj ato kërkojnë vazhdimi i mbështetjes së organizatave të shoqërisë civile të cilat ofrojnë shërbime mbështetëse për personat e diagnostikuar si dhe shërbime për parandalimin e përhapjes së HIV.

 

Zonja Hoxha thotë se kufizimet që u vendosën për pandeminë ndikuan në një jetë më të mbyllur për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

 

“Problematike ka qenë mbyllja që soli një shkelje të të drejtave të njeriut, por thelbësore është që duhet të mbizotërojë e drejta për shëndet. Ne nuk duhet të cënojmë në asnjë mënyrë të drejtën për shëndet, që ka ky target- grup pavarësisht situatave me Covid apo pa Covid” – tha zonja Hoxha.

 

Për këtë vit vazhduan rregullisht pa ndërprerje, terapitë për HIV, vetëm se u përqëndruan në Tiranë dhe jepeshin për 3 muaj, por në pjesë e pacientëve nuk mundën të bënin kontrollin rutinor të përvitshëm.

 

“Alarmi që ngrihet është që ne nuk duhet ta stopojmë ndikim që kemi patur deri tani te pandemia e HIV-it, por njëkohësisht nuk duhet të bëjmë hapa prapa. Në momentin që ne ndërpresim financimin, ndërpresim shërbimet komunitare, ndërpresim aksesin me terapi, atëherë ne kemi bërë hapa prapa dhe i kemi hapur rrugën një pandemie që ka 35 vjet që dominon shëndetin publik në botë” – thotë zonja Hoxha.

 

Tashmë mbetet për tu matur edhe ndikimi i COVID mbi komunitetin e personave me HIV AIDS në aspektin shëndetësor dhe psikologjik, ndaj ata u kërkojnë autoriteteve shëndetësore bashkëpunim, solidaritet dhe shërbim të vazhdueshëm.

 

Veprimtarë thonë se një testim më i shpeshtë për HIV mund të zbulonte më shumë raste dhe mund t’i zbulonte në fazë më të hershme dhe më të lehta për mjekim.

 

Sipas statistikave të INSTItutit të Shëndetit Publik, Shqipëria ka rreth 1 mijë e 400 persona të prekur me HIV nga të cilët 1 mijë janë meshkuj, dhe 46 janë fëmijë.

 

Këtë vit u zbuluan 81 raste të reja me HIV, pjesa më e madhe (57) meshkuj në raportin 2 me 1 me femrat.

 

 

Nga ana e saj ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një njoftimin në Facebook tha se:

 

“Edhe në këtë vit të vështirë, kemi garantuar terapinë e plotë të mjekimit për çdo të prekur me HIV-AIDS, nën kujdesin shembullor të ekipeve tona mjekësore, që nuk e kanë ndalur trajtimin për asnjë moment, pavarësisht situatës së pazakontë të epidemisë.

Shqipëria vijon të ketë prevalencë të ulët, falë përpjekjeve të pareshtura për të mbajtur nën kontroll infeksionin HIV.

 

Jemi të vendosur të garantojmë shërbimin shëndetësor për këdo që ka nevojë, megjithë situatën e vështirë të epidemisë që po përballon sistemi ynë shëndetësor.”

 

 

Më shumë

Fshehje dhe kaos shifrash për testimet e COVID-19 në laboratorët privatë

Në fund të marsit, kur vendi sapo ishte përfshirë nga ethet e pandemisë së COVID-19, reklamat për teste në spitalet private ngritën shqetësime etike dhe ligjore. Ligji shqiptar për “parandalimin e sëmundjeve e epidemike” e ndalon mundësinë e komercializimit për dignostikimin dhe kurimin e sëmundjeve epidemike dhe specifikon se shërbimi duhet të jetë falas. […]

Publikohet lista e ilaçeve kundër COVID-19 që do të rimbursohen

Publikohet lista e ilaçeve që rekomandohen nga mjeku për trajtimin e pacientëve të prekur me Covid-19. Sipas Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor kosto e rimbursimit nuk do të jetë më shumë se 1650 lekë ndërsa për skemën e moderuar të trajtimit do të jetë 10.900 lekë.   Lista e ilaçeve që rimbursohen […]

Aheng në spitalin COVID-2 “Shefqet Ndroqi” (sanatoriumi)

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore perfomoi sot në oborrin e të ashtuquajturit spitali COVID-2, “Shefqet Ndroqi”- sanatoriumi,  për stafin mjekësor dhe pacientët e infektuar me koronavirus, për të ndryshuar disi atmosferën mortore që ekziston prej muajsh në këtë spital, ku janë shënuar dhe ngjarje tragjike ku pacientë i kanë dhënë fund jetës duke […]

Situata e rënduar nga koronavirusi – Hapet spitali COVID-4 në autostradën Tiranë-Durrës

Në kuadër të strategjisë së menaxhimit të pandemisë së Covid-19, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me ekipin e mjekëve dhe infermierë ka inspektuar spitalin Covid4 në aksin Tiranë-Durrës, i cili është gati për t’u hapur, me ezaurimin e kapaciteteve në tre spitalet COVID. “Kapacitetet tona që tashmë i kemi […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara