e hënë 1 mars 2021
e hënë 1 mars 2021

 

Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim lamtumire të bërë publik të martën, bëri thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, por nuk e përmendi emrin e pasardhësit të tij demokrat.

 

“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë”, tha presidenti republikan në video-mesazhin e tij. “Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme.”

 

Presidenti Trump nuk e ka pranuar kurrë plotësisht humbjen ndaj demokratit Biden, i cili fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 votave të zotit Trump. Presidenti në largim nuk do të takohet me zotin Biden para inaugurimit të demokratit në mesditën e së mërkures. Në vend të takimit me zotin Biden, Donald Trump ka planifikuar udhëtimin për në Florida, ku ai pritet të banojë pas mbarimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

 

 

Presidenti Trump bëri fushatë me premtim për ta bërë “Amerikën të madhe përsëri” por largohet nga detyra në një kohë kur mbi 400,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi, rrezikun e të cilit ai e minimizoi, ekonomia vazhdon të vuajë pasojat e pandemisë dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkura me aleatët e saj kryesorë vazhdojnë të jenë të tensionuara.

 

“Rreziku më i madh me të cilin përballemi është humbja e besimit në veten tonë, humbja e besimit në madhështinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump. “Amerika nuk është një vend i ndrojtur i shpirtrave të dobët që duhet të ruhen dhe të mbrohen nga ata me të cilët ne nuk jemi dakord”.

 

Presidenti Trump është ngujuar në Shtëpinë e Bardhë në javët e fundit të mandatit të tij, i zemëruar pas protestës së dhunshme nga mbështetësit e tij në Kapitol që la pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.

 

Dhuna, e cila pasoi një tubim në të cilin Presidenti Trump përsëriti akuzat e rreme për manipulim të zgjedhjeve, ka lënë në hije çdo përpjekje për të nënvizuar trashëgiminë e presidentit në ditët e tij të fundit në detyrë.

 

Në fjalimin e regjistruar më parë, Presidenti Trump u përpoq të nxirrte në pah aspektet e presidencës së tij me të cilat ai ishte krenar.

 

“Ne bëmë atë për të cilën erdhëm këtu, dhe shumë më tepër”, tha ai. “Unë zgjodha betejat e vështira, çështjet më të vështira, zgjedhjet më të vështira, sepse ju më zgjodhët për ta bërë këtë”.

 

Presidenti Trump vuri në dukje marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme, të ndërmjetësuara nga administrata e tij dhe lavdëroi axhendën e tij të politikës së jashtme.

 

“Ne ringjallëm aleancat tona dhe bashkuam kombet e botës për t’i bërë ballë Kinës si kurrë më parë,” tha ai. “Unë jam veçanërisht krenar që jam presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re.”

 

Presidenti Trump, i cili largohet mes përçarjeve të thella në vend, përmendi protestën e dhunshme në Kapitol, të cilën ai nuk e dënoi menjëherë pasi ndodhi më 6 janar.

 

“Të gjithë amerikanët u tmerruan nga sulmi ndaj Kapitolit tonë. Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçkaje që ne si amerikanë e vlerësojmë. Nuk mund ta tolerojmë kurrë (dhunën)”, tha ai.

 

Dhe presidenti, ish-këshilltarët e të cilit parashikojnë se ka dëmtuar të ardhmen politike pas trazirave, sugjeroi se lëvizja e tij do të vazhdonte. “Tani, ndërsa jam duke u përgatitur t’ia dorëzoj pushtetin një administrate të re në mesditën e së mërkurës, dua që ju ta dini se lëvizja që kemi filluar vetëm sa ka filluar”, tha zoti Trump.

 

“Unë largohem nga ky vend madhështor me një zemër besnike, të gëzueshme, një frymë optimiste dhe një besim të fortë se për vendin tonë dhe për fëmijët tanë, do të vijnë ditë më të mira.” VOA

 

Më shumë

Biden mban qëndrim të ashpër ndaj Turqisë

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po mban një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemit raketor rus.   Biden nuk e ka ndryshuar qëndrimin e administratës së paraardhësit të tij, Donald Trump për këtë çështje.   “Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. Ne i bëjmë thirrje Turqisë […]

Një bombardues amerikan ka fluturuar mbi Gjirin Persik

Shtetet e Bashkuara njoftuan se një bombardues B-52 ka kryer një fluturim mbi Gjirin Persik si shenjë e demonstrimit të fuqisë dhe “parandalimit të një agresioni të mundshëm”. Njoftimi i ushtrisë amerikane vjen në kohën e tensioneve në rritje me Iranin dhe frikës se shkaku i tyre mund të vie deri te ndonjë sulm […]

G7 kërkon lirimin e menjëhershëm të Navalnyt

Vendet e grupit G7 e quajtën të “motivuar politikisht” burgosjen e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny dhe kundërshtuan “shtypjen e dhunshme” të protestuesve pro-Navalny nga ana e Rusisë.   Përmes një deklarate të përbashkët, ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kërkuan “lirimin e menjëhershëm […]

Forumi i Davosit – Presidenti i Kinës Xi Jinping, i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për bashkim

Presidenti i Kinës Xi Jinping mori pjesë në Ngjarjen Virtuale të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) të Axhendës së Davosit dhe mbajti një fjalim të posaçëm të hënën në Pekin përmes lidhjes me video.   “Pandemia është larg përfundimit. Ringjallja e fundit e rasteve të epidemisë na kujton se duhet të vazhdojmë luftën,” tha […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara