e hënë 16 maj 2022
e hënë 16 maj 2022

 

Banorët e zonës së Kune-Vainit dhe specialistët e mjedisit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të ndaluar degradimin e mëtejshëm të rezervatit natyror, që humbet çdo vit gati 2.5 metra bregdet për shkak të erozionit.

 

Ndërtimi i kaskadës së Drinit dhe devijimi i rrugës së sendimenteve që lumi sillte në rezervatin natyror të Kune- Vainit në Lezhë i ka lënë dorë të lirë detit për të rrëmbyer metër pas metri tokën në bregdet.

 

Ekspertët e mjedisit llogarisin se çdo vit, dallgët fitojnë 2.5 metra bregdet dhe prej vitit 1970 kur filloi ndërtimi i kaskadës së Drinit, janë humbur rreth 362 hektarë për shkak të erozionit nga deti.

 

“Po ta krahasojmë me vitin 1970 të paktën, deri tani janë tjetërsuar, janë kthyer në mjedis detar 362 hektarë (tokë). Pra është një gllabërim i jashtëzakonshëm i bregut, ndërkohë që janë asgjësu të gjitha dunat dhe është prish krejt profili natyror,” thotë eksperti i mjedisit, Jak Gjini.

 

Drejtues të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Lezhë, e cila menaxhon edhe zonën e Kune-Vainit  thonë se ata nuk ka instrumente për të ndërhyrë edhe pse janë dëshmitarë të ndryshimeve të përvitshme në dëm të zonës së mbrojtur.

 

“Është e vërtetë që erozioni në Kune-Vain është mjaft agresiv dhe po shkatërron një perlë natyrore. Ne si institucion nuk kemi instrumente për të ndërhyrë,” tha Besiona Simoni, specialiste pranë AdZM-së Lezhë.

 

Erozioni detar në Kune ka zvogëluar ndjeshëm sipërfaqen e rërës, duke bërë që kjo zonë të braktiset dhe nga pushuesit gjatë sezonit të verës. Banorët janë të shqetësuar se mungesa e masave mund ta bëjë të gjithë zonën të pajetueshme, ndërsa frikësohen se deti mund të marrë edhe rrugën.

 

“Gjatë gjithë kohës këtu, deti po hyn fuqishëm dhe nuk do të jetë e largët dita kur të përmbytet rruga kryesore dhe e gjithë zona. Është zvogëluar e gjithë sipërfaqja e rërës siç edhe e shikoni. Kjo ka qenë një perlë natyrore dhe është shumë e dhimbshme se si po degradon e shteti nuk merr asnjë masë,” thotë Prek Nika, banor i Kunes.

 

Ndërkohë, bregu i detit në dimër zhduket plotësisht në Kune të Shëngjinit. Pisha të tjera qindra vjeçare janë rrëzuar pas reshjeve të fundit të shiut.

 

Shqipëria ka 427 kilometra bregdet dhe 253 kilometra përbëhen nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.

 

Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe 10 deri në 100 herë më e madhe se sa në shumë vende të tjera Europiane.

 

Tonin Prenga, i cili ka shtëpinë dhe biznesin ngjitur me rrugën kryesore, thotë se ndryshimi vit pas viti është i madh. Sipas tij, disa bunkerë që kanë qenë të fshehur në pyll, bashkë me atë pjesë të pyllit janë tani 20-30 metra në det.

 

“Është diçka e paimagjinueshme se çfarë ka ba erozioni në këtë vend, ku është bregu i detit sot? Dikujt nuk i besohet, por ka kenë një rezervuar për me pi bagëtia ujë, sot e ka marrë deti,” thotë ai.

 

Jak Gjini thotë se zona ka nevojë për ndërhyrje komplekse inxhinierike, por që më urgjente është ndërtimi i dallgëthyeseve. “Në kushtet e bregdetit Kune-Vain, duke parë shpejtësinë e përparimit, do të ishin të dobishme projektet inxhinierike që kanë të bëjnë me ndërtimin e dallgëthyeseve,” thotë ai, ndërsa shton se kërkohet po ashtu edhe mbushja e zonës me rërë në mënyrë që avancimi i detit të pengohet për disa vite.

 

Gjini thotë se kostoja e ndërhyrjes është e lartë, por ajo është bërë e pashmangshme nëse duhet të shpëtohet zona.  “Deti po depërton me shpejtësi, duke rrezikuar dhe rrugën që është ndërtuar vitet e fundit,” thotë ai.

 

Kjo sipërmarrje është shumë e madhe për institucionet lokale. Specialistja e AdZM-së i tha BIRN se ajo vetëm mund të bashkohej me apelin që bënin banorët dhe specialistët. “Fenomeni eroziv gjatë viteve të fundit ka marrë vërtet përmasa të frikshme,” thotë Simoni.

 

Prek Nika, 73 vjeç, banor i Kunes, nuk ka shumë shpresa se do të ketë një ndërhyrje të shpejtë. Ai thotë se fenomeni duhej të ishte ndaluar kohë më parë, por se vullneti ka munguar. “Gurë kemi plot këtu në vendin tonë, por këtu mungon vullneti dhe dëshira,” përfundoi ai. BIRN

 

 

 

Më shumë

Glasgou, premtime të pamjaftueshme për të ngadalësuar ndryshimin e klimës

Shkencëtarët kanë bërë paralajmërime të ashpra se mos arritja e një marrëveshjeje për shkurtime shumë më të thella në emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serrë do të rezultojë në ndryshime katastrofike dhe të pakthyeshme të klimës. Por, shpresat tashmë po zbehen se konferenca e OKB-së për klimën në Skoci do të rezultojë […]

Ruajtja dhe promovimi i vlerave të basenit ujor të Drinit

Nevoja gjithnjë e më e madhe për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të ekosistemit të basenit të Drinit, ku përfshihen lumejtë Drin e Buna dhe tre liqenit; ai i Shkodrës, Prespës dhe Ohrit, bashkoi sot në pikën turistike të Shirokës, në bregun e liqenit, përfaqësues të organizatave mjedisore dhe studiues, si pjesë e […]

Ndotja e ajrit/ OBSH: Më i rëndë nga se mendohej, 7 milionë vdekje në vit

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka konfirmuar që ndotja e ajrit është një fenomen më i rrezikshëm nga sa mendohej. Më të rrezikuarit janë ata që jetojnë në vende të varfra dhe mesatare, për shkak të mbështetjes në karburantet fosile për zhvillimin ekonomik. OBSH e barazon ndotjen e ajrit me […]

Ulja e emetimeve të gazeve gjatë 2020-ës nuk ndihmoi për klimën

Rënia e emetimeve të karburanteve fosile gjatë mbylljes së pandemisë globale të vitit të kaluar nuk ka ngadalësuar ritmin e ndryshimit të klimës dhe bota mbetet prapa synimeve për uljen e emetimeve të karbonit, bëhet e ditur në një raport të OKB-së.   Organizata Botërore e Meteorologjisë njoftoi se rënia e emetimeve të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara