e shtunë 17 prill 2021
e shtunë 17 prill 2021

 

Pas dështimeve të qarta të ndërmjetësisë europiane në konfliktin që shoqëroi shpërbërjen e ish Jugosllavisë, pas dështimeve të qarta të rolit ndërmjetësues të Europës, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë, pas dështimeve të njëpasnjëshme të rolit të Europës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Rusisë dhe Ukrahinës, pas dështimeve të njëpasnjëshme të ndërhyrjeve të saj në zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, në Libi, Afrikë e gjetkë, nuk mund të thuhet se Europës i ka mbetur më ndonjë rol inciziv në zgjidhjen e konflikteve më të mprehtë në arenën ndërkombëtare. Kancelaritë sqimëtare europiane, si ato vendore, ashtu edhe ato të BE-së si dhe elitat politike, të mbushura me burokratë dhe pseudointelektualë, më së shumti të llojit radical shick, në këto katër vite të Presidencës Trump në SHBA, e kanë snobuar gjithnjë presidentin e drejtpërdrejtë amerikan për stilin e tij jo domosdoshmërisht elegant në marrëdhëniet diplomatike; ata nuk kanë dashur të çmojnë asnjëherë kapacitetin e tij për të sjellë në të njejtën tavolinë bisedimesh palë që me termat e sofistikuar të diplomacisë europiane nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje, përkundrazi, kanë thelluar hendekun midis tyre. Është shembulli i tavolinës së bisedimeve të shtatorit Kosovë-Serbi, me ndërmjetësinë amerikane, por edhe një sërë shembujsh të tjerë konfliktesh, me të cilët është marrë gjatë e pa asnjë sukses Europa e kancelerive: Libia fjala vjen, ku vendet më kryesore europiane mbështesin fraksione të ndryshëm në konflikt, (Roma mbështet Sarraj, ndërsa Parisi Haftarin) apo kriza më e fundit midis Turqisë dhe Greqisë për çështjen e sovranitetit në Egje e në Mesdhe. Në të dyja këto raste, Europa nuk mundi të japë një përgjigje unike; ndërsa Franca dërgoi menjëherë dy “Rafaelë” në teatrin e krizës (!!!), Gjermania u mjaftua me këshillën e përgjithshme ndaj të të dy vendeve (anëtare të NATO-s) për të mos luajtur me zjarrin( çfarë pleqësie!!). Shembulli tjetër eklatant është situata në Lindjen e Mesme; ndërsa të gjithë vendet arabe sunite të Lindjes së Mesme e shohin Iranin si kërcënimin më serioz dhe si çështjen e çështjeve të këtij rajoni, Europa, nga njëra anë ka nxitur arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin duke i dhënë kohë dhe, pse jo, edhe një dorë këtij të fundit dhe, nga ana tjetër, ka vazhduar t’i bjerë fyellit në të njejtën vrimë mbi konfliktin izraelo-palestinez, çështje që nuk është më qendrore as për vetë arabët. Kjo për arësye se edhe durimi i tyre ka marrë fund përballë mosfunksonit politik, përçarjes gjithnjë e më të madhe, korrupsionit dhe linjave terroriste të entitetit palestinez në Territoret dhe në Gaza si dhe për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të cilitdo akordi që i është propozuar për zgjidhjen e konfliktit.

Në tërë këto vite, Europa, që në këtë rugë qorre të saj tërhoqi me vete edhe administratën e kaluar Obama, humbi kredibilitet mes vendeve arabe sunite dhe humbi tërësisht edhe atë pak besim që e majta izraeliane akoma ushqente në rolin e saj. Kjo plogështi e Europës, ka forcuar rolin e Izraelit në vendet arabe sunite, të cilët objektivisht e shohin atë si gjenerues të sigurisë strategjike dhe ushtarake, të sigurisë informatike, ushqimore, furnizues i teknologjisë së avancuar kundër terrorizmit, por edhe të asaj hidrike, etj..

Boshllëqet që politika dhe diplomacia europiane po lënë në shumë zona në konflikt, nuk vonojnë të mbushen nga ndërhyrjet e Rusisë e të Kinës e madje edhe të Turqisë. Por jo vetëm në situata konfliktesh vërehet ky boshllëk, por edhe në situata “të qeta”. Është rasti i Ballkanit perëndimor, vendet e të cilit synojnë të integrohen një ditë në Europë, mirëpo kjo e fundit, përveç disa kritereve formalë të kataloguar, nuk ka bërë ndërhyrjet e nevojshme ndaj tendencave të qarta autoritariste dhe kundër principeve europianë të lirisë, demokracisë dhe të të drejtave të njeriut që vërehen pak a shumë në të gjitha këto vende. Kjo ka sjellë që në këto vende të ndihet më shumë, në vitet e fundit, ndikimi i Rusisë e madje edhe ai i Kinës e cila po luan fuqishëm diplomacinë e borxheve në shumë nga këto vende.

Ndërsa vonon t’i integrojë brenda saj, në këto vende Europa shihet tashmë déjà e lodhur.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara