e diel 24 tetor 2021
e diel 24 tetor 2021

 

16 janar 2020- Xhevdet Ferri

 

 

Aktori dhe regjisori Xhevdet Ferri u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, pas ishte diagnostikuar me kancer.

Aktori me shumë role kryesore lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Me bashkëshorten e tij, aktoren Rozeta Ferri, ka luajtur në shumë filma si “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit”, etj. Rolin e tij të parë Xhevdet Ferri e ka luajtur kur ishte student.

 

 

7 shkurt 2020- Nexhmije Pagarusha

 

 

Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare. Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

 

 

5 prill 2020- Gëzim Kruja

 

 

Gëzim Kruja humbi betejën me sëmundjen e rëndë.

I lindur në Shkodër në 1939, filloi karrierën humoristike që në moshën 13 vjeçare. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit” ndërkohë që në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri iArtë” dhe në 2010 titullin “Mjeshtër I Madh”.

Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër. Ai ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit.

Aktori është vlerësuar me shumë çmime si “Krenaria e Qytetit” në vitin 2004, “Naim Frashëri i Artë” në vitin 2005 dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.

 

 

 

20 prill 2020- Rikard Ljarja

 

 

Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare Rikard Ljarja u nda nga jeta në moshën 77 vjeçare.

Aktori dhe regjisori shumë i dashur për publikun shqiptar në datë 1 prill festoi 77 vjetorin e lindjes, ndërsa prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë e cila e “kishte mbyllur në shtëpi”. Ljarja ishte bashkëshorti i aktores Marjeta Ljarja.

Rikard Ljarja ka interpretuar gati 30 role në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Filmi më i arrirë i artistit si regjisor është “Kur hapen dyert e jetës” realizuar në vitin 1986, në të cilin luajti dhe si aktor. Filmi më vonë u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiun”.

Disa nga filmat në të cilët Rikard Ljarja ka dhënë debutin e tij si aktor janë: “Komisari i dritës” me rolin e mësuesit Dritan Shkaba, “Rrugët e bardha” me rolin e Dedës, “Duel i heshtur” me rolin e Skënder Gurit, “Rrugicat që kërkonin diell” me rolin e Gaqo tipografit etj. Ndërkohë, pas viteve 90’ është zhvendosur pranë krijimtarisë si dramaturg.

 

 

8 maj 2020- Maks Velo

 

 

Piktori, arkitekti, shkrimtari dhe studiuesi Maks Velo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.

I specializuar në arkitekturë, në 1960, Velo mori pjesë në projektin e parë që u bë në Tiranë. Gjatë viteve 1978-1979 ai u arrestua nga regjimi i asaj kohe dhe u dënua me 10 vite burg, vite të cilat e frymëzuan për një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij të mëvonshme.

Maks Velo është gjithashtu autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj.

 

 

 

5 qershor 2020- Përparim Tomçini

 

 

Përparim Tomçini i ka dhënë shumë artit dhe muzikës dibrane e jo vetë. Ai ka kompozuar mbi 400 këngë.

Përparim Tomçini, ka lindur në vitin 1955, në Peshkopi. Ka mbaruar Akademinë e Arteve, Dega Kompozicion (1975-1979).

Nga Bashkia e Dibrës (Peshkopi) është shpallur “Nderi i Kulturës Dibrane”, ndërsa nga presindenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi është dekoruar me motivacionin: ”Për kontribut të madh për lirinë, për kontributin e madh në muzikë dhe art barazinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këngët e tij kanë qenë frymëzim dhe motivim për shumë gjenerata, që u angazhuan për liri, barazi dhe pavarësi”.

 

 

 

28 shtator 2020- Shpresa Vreto

 

 

Shkrimtarja e njohur e librave për fëmijë dhe skenaristja Shpresa Vreto ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare.

Ajo ka bërë disa skenarë për filmat artistikë dhe për filmat e animuar. Në vitin 1978 ka shkruar skenarin e filmit vizatimor “Mirela”, kurse në vitin 1981 së bashku me Xhanfizé Kekon kanë realizuar skenarin e filmit “Kur xhirohej një film”. Pas pesë vjetësh erdhi e vetme si autore në realizimin e filmit “Fillim i vështirë”.

Me Petrit Rukën ka bashkëpunuar në filmin “Një djalë dhe një vajzë” në vitin 1990. Disa nga librat që ka shkruar Vreto janë: “Shokë Shkolle”, “Vit i paharruar” etj. Pas viteve 1990 ka ideuar “Sirena e vogël” dhe “Bota ime”. Gjithashtu ka drejtuar një bibliotekë për fëmijë, për 12 vjet rresht.

 

 

30 qershor 2020- Besim Zekthi

 

 

Mjeshtri i valleve popullore shqiptare Besim Zekthi, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Zekthi vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Gjatë krijimtarisë së tij Zekthi ka dhënë kontribut si kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970. Besim Zekthi u nderua nga Presidenti Meta me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”

 

 

 

26 tetor 2020- Shkëlzen Rraci

 

 

Aktori i njohur kosovar Shkëlzen Rraci, ka ndërruar jetë në moshën 44 vjeçare.

Fatkeqësisht ai nuk arriti që t’i mbijetojë sëmundjes së kancerit. Ai ka marrë pjesë në serialin e njohur kosovar “Cimerat” ishte një nga serialet më të shikuara vendore, që ka zgjatur 6 vjet. Ky serialin pasqyronte jetën e studentëve, sfidat me të cilat përballeshin e kushtet në të cilat jetonin.

 

 

 

29 tetor 2020- Avni Mula

 

 

Kompozitori i njohur Avni Mula ka ndërruar jetë në moshën 92 vjeçare. Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Avni Mula është nderuar me dekoratën e Artistit të Popullit të Shqipërisë dhe dekoratën Nderi i Kombit.

 

 

 

30 tetor 2020- Mehdi Prodani

 

 

Në fillimet e karrierës së tij, Mehdi Prodani vlerësohej si një ndër kitaristët më të mëdhenj të Shqipërisë. Prodani shërbeu si mësues në kitare për shumë të rinj, mes të cilëve këngëtares së madhe, Vaçe Zela.

Në vitet e fundit të jetës, Mehdi Prodani kompozoi dhe interpretoi, ku ndër ta është spektakli “12 vallëzime pa një të shtunë”.

Para se të ndahej nga jeta, Mehdi Prodani po bënte përgatitje që të gjitha krijimet e tij t’i përmblidhte në një album dhe në një koncert recital.

 

 

 

07 nëntor 2020- Latif Ajrullahi

 

 

Është ndarë nga jeta presidenti i Shtëpisë Botuese Albas, Latif Ajrullai, njëherësh partner i poetes Rita Petro.

Ai është përkthyes i disa librave psikologjikë dhe shkencorë, autor i disa teksteve shkollore.

Ajrullahi iu përkushtua me pasion botimeve shkollore, si botues dhe autor, si përkthyes dhe autor i disa librave psikologjikë dhe shkencorë e artistikë. Latif Ajrullai ka dhënë një kontribut shumë të shquar si Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore. U nda nga jeta nga COVID-19.

 

 

 

08 nëntor 2020- Dhimo Tarusha

 

 

Shkrimtari Dhimo Tarusha ndërroi jetë pas infektimit me koronavirus. Novelisti dhe romancieri Dhimo Tarusha u lind në Ersekë më 28 dhjetor 1947, më pas fëmijërinë dhe gjithë jetën e tij e kaloi në qytetin e Elbasanit.

Tarusha është autor i 20 librave në dy zhanre: në novela dhe në romane. Krahas kësaj ai përfshin në krijimtarinë̈ e tij edhe fushën e monografive letrare dhe jetëshkrimeve për personazhe të shquar të komunitetit vllah e më gjerë.

 

 

 

09 nëntor 2020- Koço Devole

 

 

Koço Devole u shtrua fillimisht në spital si i infektuar me Covid. Më 31 tetor ai mundi të dalë nga Infektivi, por për shkak të përkeqësimit u rikthye sërish ku kaloi disa ditë në intubim. Ajo që e rëndoi gjendjen e tij shëndetësore ishte fakti se Devole vuante nga leucemia prej disa kohësh.

Ai është një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skene dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.

Vitet e fundit ai ka punuar si skenarist në emisionin “Fiks Fare”.

 

 

 

10 nëntor 2020- Milto Vako

 

 

Milto Vako u lind në Pogradec në 30 mars 1930. Kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitin 1952. Në vitet 1953–1959 vijoi studimet e larta në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku diplomohet si dirigjent kori, me profesorin e famshëm Sokollov. Pas studimeve u emërua dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, njëkohësisht pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Liceun Artistik.

Ka themeluar dhe drejtuar koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ka dhënë me dhjetëra koncerte si brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Është autor i shumë teksteve dhe mban titullin profesor, si dhe “Artist i merituar”.

 

 

14 nëntor 2020-Valter Gjoni

 

 

Aktori i teatrit dhe i kinematografisë shqiptare, Valter Gjoni, u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Ai e filloi karrierën si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në fund të viteve ’70. Më pas u bë pjesë e Teatrit Kombëtar, Kinostudios dhe Radio-Televizionit Shqiptar. Krahas karrierës së tij si aktor me mbi 70 role dhe interpretime, Gjoni spikati edhe për studimet dhe botimet e tij akademike. Në vitin 1985, ai filloi punë në Bashkinë e Tiranës, për çështjet kulturore, historike dhe artistike, punë të cilën e vazhdoi edhe pas daljes në pension. U vlerësua me çmime si “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, Urdhri “Naim Frashëri” dhe vitin e shkuar me çmimin “Simbol i qytetit”.

 

 

17 nëntor 2020- Albert Vrapi

 

 

Albert Vrapi, koreografi i njohur në qytetin e Elbasanit, ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga COVID-19. Ai nuk arriti dot që t’i mbijetonte sëmundjes së rëndë.

 

 

27 nëntor 2020- Lumturi Blloshmi

 

 

Ndahet nga jeta për shkak se ishte infektuar me Covid 19, piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi.

Ajo nuk mundi që t’i mbijetonte virusit të rrezikshëm. Në pikturat e Blloshmit nuk mungojnë ironia, sarkazma, humori por edhe lumturia.

Në fillim të viteve ’90, Blloshmi realizoi disa piktura nudo të femrave, duke marrë nuanca kristali dhe mermeri.

Me të njëjtin ritëm pas viteve ’90, ajo ka ekspozuar punimet e saj.

 

 

 

09 dhjetor 2020- Hysni Halili

 

 

Skenografi i Teatrit “Migjeni”, Hysni Halili është ndarë nga jeta. Prej vitesh ai po luftonte me një sëmundje të rëndë, e cila i mori jetën.

Halili është personi që për 30 vite realizoi me qindra skenografi në Teatrin “Migjeni” por edhe kudo tjetër.

 

 

 

20 dhjetor 2020- Kadri Metohu

 

 

Kadri Metohu nuk arriti që të fitonte betejën me koronavirusin, duke humbur kështu jetën në moshën 90-vjeçare.

Metohu ishte regjisor, skenarist, drejtues artistik dhe konsiderohet një nga ikonat e TVSH-së.

Metohu studioi për regjisurë në Pragë të Cekosllavakisë nga ku pruri një eksperience të madhe bashkëkohore duke dhënë kontributin e tij të vyer në fushën e regjisë televizive, radiofonike dhe skenike. Mbas specializimit ne Rai të Italisë ai kontribuoi në ngritjen e Televizionit Shqiptar mbi baza profesionale. Është krijues i emisioneve të sukseshme radiofonike si “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” si dhe “Teatri në mikrofon”. Për kontributin e tij të çmuar ai është nderuar me çmime të shumta kombëtare.

 

 

23 dhjetor 2020- Andrea Canaj

 

 

Pedagogu i Universitetit të Arteve, Andrea Canaj është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare.

Fatkeqësisht Canaj u infektua me koronavirus dhe nuk mundi që ta mposhte dot.

Andrea Canaj ka lindur në qytetin e Tiranës më 24.08.1961.

Koristi Canaj e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1988 si kornist pranë Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit dhe nga viti 1990 deri në vitin 2000 ka qenë kornist i parë i Orkestrës. Më pas, ka punuar si kornist i parë dhe në Orkestrën Simfonike RTSH dhe njëkohësisht ka qenë pedagog pranë Universitetit të Arteve.

 

Më shumë

Sabiha Kasimati – shkencëtarja e parë shqiptare

Lindi në Edërne (Adrianopojë), Turqi, më 15 shtator 1912, në një familje intelektule libohovite. Kur familja e saj u kthye në atdhe, ajo vazhdoi studimet në Liceun Francez të Korçës, duke qënë e para fëmer që mbaron këtë shkollë. Pas përfundimit të studimeve, punon si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, Shkollën Amerikane të […]

Theodhor Kavalioti (1718-1797) – Mendimtar dhe filozof iluminist

Mendimtar dhe filozof iluminist. Lindi dhe vdiq në Voskopojë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i plotësoi në Janinë. Pas studimeve u kthye në Voskopojë, ku zhvilloi veprimtari pedagogjike e shoqërore. Më 1743 u emërua mësues dhe më pas drejtor i shkollës, e cila me përpjekjet e tij u ngrit në rangun […]

Zef Skiroi – Poeti, prozatori, dramaturgu, etnografi, publicisti i shquar arbëresh

Më 10 gusht 1865 lindi në Horë të Arbëreshëve poeti, prozatori, dramaturgu, etnografi, publicisti i shquar arbëresh Zef Skiro. Që në moshë të vogël tregoi interes për historinë dhe traditat e paraardhësve. Studioi në “Seminarin Shqiptar” në Palermo. Më 1887 themeloi në Palermo revistën “Arbëri i Ri”, bashkë me Françesk Petën. Më 1890 u […]

Meleq Gosnishti – Hero i Popullit

Meleq Gosnishti Hero i Popullit. U vra gjatë luftimeve për marrjen e kalasë së Margëlliçit në Patos në 30 mars 1944. Lindi në fshatin Gosnisht të Përmetit. I biri i Iliaz dhe Hatixhe Gosnishtit. Qe femija më i madh nga shtatë fëmijet e kësaj familje. Emigroi që në moshën 14 vjeçare drejt Parisit dhe u […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara