e hënë 1 mars 2021
e hënë 1 mars 2021

 

Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, organizuan sot Forumin e parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit, 2020.

 

Forumi u mbajt online. Forumi u zhvillua pas miratimit të Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, në seancën plenare të datës 22 tetor.

 

Të ftuar dhe folës special në Forum ishin Sekretari i Shtetit i ShBA, Michael R. Pompeo dhe Presidenti i Parlamentit Europian David Maria Sassoli. Në Forum morrën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, z. Aleksa Becic, Kryetari i Parlamentit tëtë Shtetit të Izraelit, z. Yariv Levin, Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Aleancën e Qytetërimeve, z. Miguel Ángel Moratinos, Senatorja e Shteteve të Bashkuara për Nevadën, znj. Jacklyn Rosen, i Dërguari i Posaçm i Shteteve të Bashkuara për të Monitoruar dhe Luftuar Anti-Semitizmin, z. Elan S. Carr, Ministrja për Çështjet e Diasporës e Shtetit të Izraelit, znj. Omer Yankelevich, Kryetari i Qendrës për Ndikim Hebraik, z. Robert Singer,Kryetari i Agjensisë Hebraike për Izraelin, z. Isaac Herzog, Kryetari i Bordit të Kongresit të Hebrenjve Euro-Aziatikë, z. Aaron Frenkel, si edhe aktivistë të luftës globale kundër antisemitizmit.

 

Rezoluta “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 tetor 2020, dhe Forumi i parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit, zhvilluar më 28 tetor 2020, janë një lartësim prej Kuvendit të Shqipërisë, i ndjenjave e qëndrimeve të njohura botërisht të popullit shqiptar për mbrojtjen e hebrenjve si edhe një kontribut në shndërrimin e Shqipërisë në një lider rajonal të frontit të bashkuar të luftës kundër antisemitizmit, racizmit, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 

Forumi u çel nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla, i cili nënvizoi se “Sjellja unike e shqiptarëve ndaj hebrenjve ka konfirmuar një cilësi të shkëlqyer të pikëpamjeve të tyre mbi botën dhe një virtyt popullor që është pjesë e imazhit të një vendi të përparuar.

 

 

Humanizmi i shprehur ndaj çdo komuniteti në rrezik, toleranca ndër-fetare dhe vlera të tjera të popullit shqiptar vlejnë të përmenden, veçanërisht për të luftuar synimet e atyre që provokojnë frymën e konfliktit dhe intolerancës.”

 

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nënvizoi se “Shqiptarët bota i njohu si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rallë herë në historinë tonë.  Lufta kundër antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi.Lidershipi i Shqipërisë në këtë luftë buron sa nga historia dhe ekzistenca, aq edhe nga aspiratat tona drejt Bashkimit Europian; nga anëtarësia në NATO; nga aleanca kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ndaj komuniteteve, pakicave, refugjatëve, emigrantëve, të dobtëve; nga partneriteti për të mbrojtur të ardhmen tonë prej “demokratizimit” të dhunës, i cili shoqëron atë që ne e quajmë “demokratizimi i teknologjisë”. Antisemtizmi nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por, si një distilim i njerëzimit prej të keqes, mund të kërcënojë të gjithë kombet; antisemitizmi nuk i takon vetëm të kaluarës, por nëse ne nuk jemi vigjilentë, mund të kërcënojë të ardhmen.”.

 

Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, në fjalën e tij nënvizoi, midis të tjerash se “Shqipëria ka pasur privilegjin dhe nderin që të jetë kryetare e OSBE-së dhe gjatë Kryesisë sonë, ne kemi vendosur theksin saktësisht në çështjen e antisemitizmit, në bashkëpunim me shumë aktorë, përfshirë shoqërinë civile, me qëllim që të përpiqemi të ndërgjegjësojmë sa më shumë të jetë e mundur se antisemitizmi është një kërcenim real, i cili shkon mjaft përtej asaj çka duket se shënjestron. Problemi më i madh dhe kërcënimi më i madh që ne na duhet të përballemi e ta konsiderojmë si diçka të përhershme në fokusin tonë në lidhje me shoqëritë tona, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit në formën e vetëkuptueshme, por është relativizmi. Relativizmi në raport me atë çka u ndodhi hebrenjve, është relativizmi i asaj çka ndodhi gjatë kësaj Lufte të Dytë Botërore, që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqeje kaq të madhe, nëse nuk do jemi të bashkuar në mënyrë që ta shterojmë këtë burim. Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive.”

 

Sekretari i Shtetit i ShBA, Michael R. Pompeo, në përshëndetjen e tij, theksoi se “Ne jemi sot këtu sepse fatkeqësisht anti-Semitizmi është ende me ne. Ne kemi përgjegjësinë, si dhe ata para nesh, ta shtypim atë dhe mund ta bëjmë. Së pari, duhet ta përcaktojmë këtë kërcënim dhe ta kuptojmë qartë”.   Ai i bëri thirrje vendeve dhe shoqërive të tjera të miratojnë përkufizimin e IHRA-s për anti-Semitizmin, i cili u miratua nga qeveria federale e Shteteve të Bashkuara pas Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit Trump, në dhjetor të vitit të kaluar. Pompeo shtoi: “Detyra për të luftuar anti-Semitizmin është urgjente, veçanërisht pasi kemi vënë re një rritje shqetësuese gjatë pandemisë.”

 

Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli theksoi se “E vërteta e turpshme dhe e trishtuar është se më 2020, 74 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mjaft hebrenj në Europë nuk mund të jetojnë një jetë të lirë e të pashqetësuar. Kjo tregon se ne kurrënuk duhet të pushojmë, kurrë nuk duhet të ndalojmë, kurrë nuk duhet t’i lejojmë vetes të mendojmë se historia që ne besonim se ndodhi mbi 75 vjet më parë nuk mund të përsëritet. Shqipëria është një vend që duhet marrë shembull.”

 

Kryetari i Qendrës për Ndikim Hebraik, z. Robert Singer, në fjalën e tij nënvizoi se “Ky është një aktivitet i jashtëzakonshëm. Është hera e parë që një parlament ka udhëhequr një nismë të tillë, bashkë me një lëvizje globale, për të luftuar anti-Semitizmin. Bashkëpunimi i suksesshëm ka bërë të kemi këtë aktivitet unik dhe novator, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, drejtuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Presidenti i Parlamentit Evropian, Kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yariv Levin dhe të tjerë. Është mahnitës fakti që Shqipëria, një vend me shumicën e popullsisë myslimane, organizon këtë konferencë. I bëj thirrje vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë dhe të luftojnë anti-Semitizmin.”

 

Kryetari i Agjensisë Hebraike për Izraelin, z. Isaac Herzog, tha se “Përshëndes këtë Forum të rëndësishëm Ballkanik dhe në veçanti Kryeministrin e Shqipërisë dhe lidershipin e vendit për hapin domethënës që kanë ndërmarrë në luftën kundër anti-Semitizmit. Miratimi i përkufizimit të IHRA-s për anti-Semitizmin është mjeti më i rëndësishëm dhe efektiv që aktualisht kemi në arenën ndërkombëtare për të vepruar praktikisht kundër të keqes së anti-Semitizmit. U bëj thirrje vendeve anë e kënd botës të miratojnë të njëjtin vendim të drejtë dhe t’i bashkohen luftës morale kundër urrejtjes dhe racizmit.”

 

Kryetari i Qendrës për Ndikim Hebraik, z. Robert Singer, dhe Kryetari i Agjensisë Hebraike për Izraelin, z. Isaac Herzog, i dorëzuan Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, Çmimin e Lëvizjes për Luftën kundër Anti-Semitizmit, për miratimin e përkufizimit të IHRA.

 

Video:

https://www.facebook.com/CombatAntiSemitism/videos/673888923260848/

 

 

Fjala e kryetarit të Kuvendit, z Gramoz Ruçi në Forumin e Ballkanit 2020 kundër Anti-Semitizmit

 

 

Të nderuar miq,

 

Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen, ndonëse virtualisht, në Forumin e parë Ballkanit 2020 kundër Anti-Semitizmit, organizuar nga  Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit.

 

Kuvendi i Shqipërisë është shumë i nderuar që në Forumin e sotëm ka pjesëmarrjen dhe kontributin e personaliteteve të shquar dhe miqve të mëdhenj të shqiptarëve dhe hebrenjve, Sekretarin e Shtetit Pompeo dhe Presidentin e Parlamentit Europian Sassoli, të cilëve u shpreh mirënjohjen që iu bashkuan kësaj nisme të Kuvendit.

 

Mirënjohja shkon për autoritetet e larta nga Kombet e Bashkuara, Shteti i Izraelit, kryeparlamentarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, trupin diplomatik, ekspertët që do të kontribojnë në Forum, si edhe qindra nxënës e studentë që na ndjekin virtualisht.

 

Kjo pjesëmarrje e gjerë e bën Forumin një festival rajonal të humanizmit, dashurisë, paqes, tolerancës e drejtësisë.

 

Forumi organizohet vetëm pak ditë pasi Kuvendi adoptoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”.

 

Rezolutës dhe Forumi janë dy hapa të vendosur, që e bashkojnëShqipërinë me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në një prej veprimeve mëdomethënëse e simbolike, luftën kundër antisemitizmit.

 

Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit.

 

Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit.

 

Kombet bëjnë zgjedhjet e tyre në këtë botë. Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë nëzgjedhjet tona: dashuriambi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, ngrohtësia njerëzore mbi përndjekjen, vuajtjen e dhimbjes në vend të shkaktimit të saj të tjerëve.

 

Ne, shqiptarët, historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që  dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë dhe humanizmin.

 

Lidhjet kulturore e njerëzore midis hebrenjve e shqiptarëve kanë mbi dy mijë vjet histori.

 

Në jug të Shqipërisë, vetëm disa kilometra nga vendlindja ime, prej shekullit të pestë, në të njëjtën ndërtesë gjendeshin bashkë një kishë dhe njësinagogë. Ky është një rast i rrallë, ndoshta i vetmi, në histori.

 

Në kulturën tradicionale shqiptare ekziston betimi “për atë të shtunë e 700 vjet”, çka tregon se marrëdhëniet me hebrenjtë janë shndërruar në element të ekzistencës sonë.

 

Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë  për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

Këto qëndrime të njohura, bënë që Lidhja e Kombeve në vitin 1926 t’i njohë shtetit shqiptar autoritetin e ligjshëm, si vend i qendrimit të përkohshëm të hebrenjve, madje edhe të drejtë të lëshimit të dokumenteve të lëvizjes së  tyre.

 

Shqiptarët bota i njohu si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rallë herë në historinë tonë.

 

Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne aktualizojmë atë që kanë bërë brezat para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat ndodhën gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta:

 

Në shekullin e parë, për t’i shpëtuar skllavërisë në Romë;

 

Në shekullin e 15, për t’i shpëtuar inkuizicionit;

 

Në shekullin e 17, për t’i shpëtuar përndjekjes prej perandorisë osmane;

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’i shpëtuar Holokaustit, njerit prej atentateve më mizore ndaj njerëzimit.

 

Si Kryetar i Kuvendit, u përkulem kujtimit të brezave që na bënë krenar me historinë e mbrojtjes së hebrenjve, familjeve e qytetarëve, por dhe institucioneve shqiptare.

 

Është e vërtetë që hebrenjtë i mbrojtën familjet e varfra shqiptare, por listat i kishin qeveritë e autoritetet, dhe ato nuk ua dorëzuan përndjekësve të hebrenjve, duke iu bashkuar instiktit humanist të popullit. Lufta kundër antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi.Lidershipi i Shqipërisë në këtë luftë nuk është thjesht njëçështje e marrëdhenieve me Shtetin e Izraelit, as vetëm njëçështje e partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët i janë përkushtuar mbrojtjes së hebrenjve të Shqipërisë, prej Ambasadorit Bershtein, te Ambasadorja Kim. Qëndrimi i ynë buron sa nga historia dhe ekzistenca, aq edhe nga  aspiratat tona drejt Bashkimit Europian; nga anëtarësia në NATO; nga aleanca kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ndaj komuniteteve, pakicave, refugjatëve, emigrantëve, të dobtëve;nga partneriteti për të mbrojtur të ardhmen tonëprej “demokratizimit”  të dhunës, i cili shoqëron atë që ne e quajmë “demokratizimi i teknologjisë”.

 

Antisemtizmi nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por, si një distilim i njerëzimit prej të keqes, mund të kërcënojë të gjithë kombet; antisemitizmi nuk i takon vetëm të kaluarës, por nëse ne nuk jemi vigjilentë, mund të kërcënojë të ardhmen.

 

Duke përfunduar, dëshiroj tju siguroj se Shqipëria do ta shpier deri në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit.

 

Duke e merituar për të qenë në krye të këtij fronti, ne afirmojmë identitetin e vlerat tona europiane, qytetëruese e perëndimore.

 

Ju faleminderit!

 

 

Më shumë

30 vite nga rënia e bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha

Më 20 shkurt të vitit 1991 dhjetra, mijëra studentë e qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, monumentin e diktatorit Enver Hoxha, i cili ishte i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia e regjimi që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi […]

118-vjetori i vdekjes së figurës së shquar patriotike Papa Kristo Negovani

Papa Kristo Negovani lindi në Negovan të Kolonjës (në anën lindore të Gramozit, sot Greqi). Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë. Papa Kristo Negovani u vendos për disa kohë në Rumani ku punoi duke ushtruar profesionin e drugdhendësit. Në atmosferën e shoqërive atdhetare shqiptare, ai u […]

Tirana, 101-vjet kryeqytet i Shqipërisë

Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925. Pas 1920 filloi popullimi me banorë të […]

Autoriteti i Dosjeve deklasifikon dosjen Nr. 64: “Ndryshimet politike në Europën Lindore, fundi i komunizmit”

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit deklasifikon dosjen Nr. 64, “Ndryshimet politike në Europën Lindore, fundi i komunizmit”.   “Të gjithë udhëheqësit u ndryshuan në vendet e Lindjes. Edhe te ne, sa të mbarojnë problemet e filluara në Lindje dhe do të ndryshojë, se Themeluesit të Partisë, njeriut që hante njerëz, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara