Gjirokastra rrezikon të humbë statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS për shkak të projektit për ndërtimin e by-passit të qytetit.

 

Alarmin e ngrejnë një grup ekspertësh ndërkombëtar të Trashëgimisë Kulturore të cilët me një letër të hapur paralajmërojnë kryeministrin Edi Rama për këtë rrezik dhe kërkojnë ndalimin e punimeve

“Humbja e statusit të UNESCO-s, mund të ishte një goditje e rëndë ndaj turizmit kulturor shqiptar në zhvillim, dhe mund të njolloste reputacionin e fituar me vështirësi të Shqipërisë si një partner ndërkombëtar i besueshëm”.

Ekspertët thonë se Shqipëria duhet të adoptojë një plan mobiliteti për Gjirokastrën përpara implementimit të çdo projekti, plan ky i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga UNESCO.

Grupi është gjithashtu i bindur se banorët e Gjirokastrës nuk do ta aprovonin rrugën nëse do të ishin plotësisht të informuar në lidhje me pasojat e saj.

Letra është iniciuar prej Stephan Doempke, ish-kordinator programi i UNESCO/UNDP mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, shkruan Ora News.

Ai ka jetuar për disa vite në Gjirokastër ndërsa tani është kryetar i World Heritage Watch, një rrjet global i 180 organizatave jo qeveritare, i cili monitoron Vendet e Trashëgimisë Botërore dhe raporton në UNESCO.