e enjte 9 dhjetor 2021
e enjte 9 dhjetor 2021

 

 

“Fajin ma ka gjuha”, motoja e zgjedhur për këtë “Tetor i librit” ka bërë bashkë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dy akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, ku u promovua ekspozita me 200 ekzemplarë librash shkencorë.

Të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm në kuadër të Tetorit të Librit, ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës z. Mehmet Kraja, akademikë, profesorë dhe njerëz të letrave.

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore, të vijmë në Tiranë për të prezantuar punën tonë ndër vite. Në Kosovë kemi një emancipim gjuhësor dhe duhet të jemi më aktiv në ngritjen e kulturës së gjuhës”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

“Kosova ka jetuar në një periudhë shumë të gjatë në ambient dygjuhësor, sot është ndryshe. Shqipja është e para, por ende është e diskriminuar, kjo do të tejkalohet, sepse ka shenja pozitive”, vijoi ai, duke e quajtur Tetorin e Librit një mundësi të rëndësishme dialogu dhe diskutimesh mbi gjuhën.

Për kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, njohja me kolanën e librave të sesioneve të ndryshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është shumë e rëndësishme për të vendosur arritjet më të mira në hapësirat shqiptare bashkë.

“Gjuha është pjesa më identitare që na bën të ndihemi komb, ajo që i ka bashkuar gjithnjë shqiptarët, ajo që na ka orientuar gjithnjë shpirtërisht dhe historikisht. Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të këtij gadishulli, e më të zhvilluara, e cila falë aftësive të saj, ka përballuar trysninë e historisë, me vështrimin e hershëm drejt Europës. Ju jeni mbrojtësit më të mirë të kësaj gjuhe, të cilën e keni pasuruar me punën tuaj studimore, erudicionin e mendimit, duke e pasuruar me dhjetëra botime”, tha drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli. Sipas saj, ardhja e akademikëve të Kosovës në Tiranë është në vijim të përsosjes së raporteve të komunikimit mes dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes që dy qeveritë kanë në fushën e kulturës.

Gjatë takimit referuan akademikët Eqrem Basha, Justina Shiroka Pula, Luan Mulliqi, Myzafere Limani.

Të 200 ekzemplarët e librave të autorëve dhe akademikëve të Kosovës tashmë mund të vizitohen në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 nëntor.

 

 

 

 

 

 

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara