e premte 22 janar 2021
e premte 22 janar 2021

 

Shtëpi të renditura majë shkëmbit, përballë Liqenit të Kozjakut. 50 kilometra nga Shkupi, fshihet mes malesh një margaritar i vërtetë – fshati Gurguricë. Arbnora Memeti kaloi disa ditë me aparatin e saj në këtë vend.

 

 

Fshati Gurguricë ndodhet në shpatet e Malit të Thatë, 1.200 m mbi nivelin e detit. Kur mbërrita atje, kuptova që informacioni për udhëtimin tim kishte arritur më shpejt se unë. Fshati ndodhet rreth 50 kilometra larg nga Shkupi. Banorët e tij janë mikpritës. Ata pothuajse të gjithë më ofronin strehim nga të gjitha anët. Por së pari zgjodha të qëndroj në shtëpinë më të afërt për të pushuar, të cilën e kisha rrugës. Dy ditët pasuese i kalova në shtëpinë e zonjës Hatixhe, e cila jetonte me nusen e djalit të saj.

 

Nga fshati ka shumë që jetojnë në emigracion, kryesisht burrat. Ashtu si edhe bashkëshorti i Hatixhes, i cili ndërroi jetë para pak kohe, kur kishte ardhur për dasmën e djalit, tregon Hatixheja. Ai punonte bashkë me djemtë në Gjermani.

 

 

Histori si kjo e Hatixhes dëgjon pothuajse në çdo shtëpi të Gurguricës. Rrallë mund të takosh ndonjë burrë në fshat. Kryesisht në të jetojnë gra. Pothuajse të gjithë burrat janë mjeshtra ndërtimi dhe punojnë nëpër skelat e kantjereve në vendet perëndimore. Anekdota thotë: “nëse shihni një mjeshtër të mirë skelash në Gjermani, ai duhet të jetë nga Gurgurica”. Paratë që mbledhin në kurbet ata nuk ngurrojnë t’i investojnë në fshat. Kështu, me kalimin e viteve, me iniciativën e tyre, ata kanë siguruar në fshat të gjitha kushtet themelore të infrastrukturës: duke filluar nga rrugët e deri tek shkolla fillore. Dëshira e tyre e kahmotshme është që fshati të bëhet një destinacion turistik, pikërisht për këtë arsye ata kanë filluar vetë ta ndërtojnë një rrugë që të çon drejt liqenit.

 

 

Nga ana tjetër, për gratë, një ditë zgjat pafundësisht. E sidomos për ato gra që jetojnë duke pritur kthimin e djemve dhe burrave të tyre nga Gjermania. Pothuajse, përditshmëri të ngjashme kanë edhe të rinjtë, të cilët si “argëtim” të vetëm kanë pazarin dhe çajtoren e fshatit.

 

I vendosur në majet e Malit të Thatë fshati ofron një panoramë të mrekullueshme të Liqenit Kozjak nga njëra anë dhe Luginës së Pollogut nga ana tjetër. Sa është bekim, aq është edhe mallkim pozicioni gjeografik i këtij fshati, pasi banorët me vështirësi po arrijnë ta ruajnë lidhjen me Tetovën 40 km larg.

 

 

Rezervat i veshjeve tradicionale

 

Kur burrat kthehen nga kurbeti, gjëja e parë që e bëjnë është planifikimi i furnizimit me ushqim të familjeve të tyre për një periudhë më të gjatë kohore. Kështu, ndodhë që me muaj mos të largohet askush nga fshati, deri sa të mbarojë dimri e burrat e tyre të kthehen nga kurbeti.

 

Gurguricë, do të thotë “gur mbi gur”, por për vendasit kjo është shumë më tepër. Në këtë fshat ruajtja dhe kujdesi për traditat është shumë i madh. Secilën grua që e takoja në fshat, më befasonte në mënyrën e saj. Sa punëtore e të dashura, aq edhe të bukura. E secila prej tyre me veshje tradicionale shqiptare, të ruajtur ndër shekuj me shumë kujdes.

 

 

E quajnë veshja e Malit të Thatë, pasi këtë veshje e bartin kryesisht gratë e tre fshatrave të këtij rajoni, Gurgurica, Sallareva dhe Reka e Epërme. Këmisha me Kinda e qëndisur me lesh, jelek me fije ari, 10 shami shumëngjyrëshe, çorape, rruaza laramane, këto janë vetëm disa elemente të veshjes tradicionale të Malit të Thatë.

 

Në shikim të parë dukej shumë e thjeshtë, por pa ndihmën e dy grave të fshatit veshja e një kostumi të tillë ishte pothuajse e pamundur. E gjithë procedura zgjat të paktën një orë.

 

Së pari, vishet këmisha me kinda e cila është e gjatë 30-40 cm, ndërkaq e gjerë 2 deri në 10 metra. Sa më e gjërë dhe e gjatë, aq më bukur do të renditen palët, më shpjegon gruaja që po vishte nusen. Xhybeli, është elementi i dytë, që vishet mbi këmishën. Është i punuar nga kadifeja e errët dhe i qëndisur me fije argjendi.

 

Ajo që e bën të dallojë veshja e grave, vajzave dhe nuseve është anteri. Çdo grua ka diku rreth 7 antere me emra të ndryshme: Anteri i mirë, arrna e zezë, laramane, çeljorgovan, arrna e kuqe, selimije dhe torbeshka. Një ndër anteret më të rëndësishme është anteri i mirë i cili vishet kryesisht ditën e dasmës ose nëpër festa familjare.

 

Brezi, poshi, brofaçkat, kalçinjtë, janë disa nga elementet e tjera të kësaj veshjeje, të cilat përdoren për zbukurim. Ato dallojnë në ngjyrë, pasi gratë e moshuara veshin ngjyrë më të errët, ndërkaq vajzat e reja dhe nuset ngjyra më të hapura.

 

Gratë që e bartin këtë veshje, kanë një mënyrë të veçantë të rregullimit të flokëve. Për shkak të rëndësisë së shamisë, e cila është e zbukuruar me ar dhe me rruaza, një pjesë e flokëve mblidhet mbrapa ndërkaq disa fije lihen të lëshuara më fytyrë.

 

Pavarësisht stolive të shumta që i përmban kjo veshje, shumë gra të këtij rajoni nuk hezitojnë ta bartin atë çdo ditë. Megjithatë, vajzat dhe nuset e reja kanë vendosur që këtë kostum ta përdorin vetëm për festa familjare. DW

 

Më shumë

Maqedonia e Veriut do të zgjasë për gjashtë muaj gjendjen e krizës

Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka kërkuar Kuvendit vazhdimin e gjendjes së krizës në këtë shtet edhe për gjashtë muaj, me qëllim të siç thuhet “përballjes sa më efikase me pandeminë dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës”.   Qeveria vendimin e miratoi me kërkesë Komitetit Drejtues të Krizave, organ ky që po menaxhon […]

“Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, thirrjet që s’po ndalen, institucionet shtetërore po heshtin (VIDEO)

Thirrjet antishqiptare nuk kanë të ndalur rrugëve dhe shesheve të Shkupit. Institucionet e shtetit po fshihen prapa këtyre grupimeve tifozësh që po nxisin tensione dhe padurueshmëri. “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë” është thirrja që edhe dje u dëgjua në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit. Dhjetëra tifo të rinj maqedonas, përfshirë mosha të ndryshme, […]

Bullgaria kushtëzon bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE

Bullgaria po kërkon mbështetje nga Bashkimi Evropian, që në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.   “Marrëveshja bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes për fqinjësi të mirë duhet të jetë pjesë e kornizës negocuese për […]

19 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që u nënshkrua para 19 vjetësh dhe është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë.   Kjo kontratë e të dy popujve u bë e mundshme pas luftës së armatosur, që ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara