e shtunë 18 shtator 2021
e shtunë 18 shtator 2021

 

Hasan Prishtina lindi në Vushtri të Kosovës më 1873. Kreu Gjimnazin Francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës osmane “Mylkije” në Stamboll. Ishte tri herë deputet në parlamentin osman.

Bashkë me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët e Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane, e më pas ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913 ishte ndër organizatorët e kryengritjes kundërserbe të shtatorit, kurse më 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Më 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar dhe u ngarkua nga Këshilli i Lartë për të ndërtuar qeverinë më 7 dhjetor 1921. Në periudhën 1922-23 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, kurse më 1924, teksa udhëhiqte lëvizjen e armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit në Shqipëri. U kthye në Tiranë më 1924, por u largua më 1925, për të jetuar në mërgim, deri në vdekje. Gjatë gjithë jetës punoi e luftoi për Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë, duke kundërshtuar fort dhe hapur qoftë politikat serbe, qoftë qëndrimet miqësore të Ahmet Zogut me Serbinë.

Më 1931, bashkë me organizatën “Bashkimi Kombëtar”, mori pjesë në organizimin e atentatit kundër A. Zogut në Vjenë. Kurse vetë H. Prishtinës iu bënë katër atentate, u burgos dy herë, dhe u dënua gjashtë herë me vdekje (një herë nga xhonturqit, një herë nga Esad Pashë Toptani, një herë nga qeveria serbe dhe tri herë nga Ahmet Zogu).

Atentati i fundit iu krye më 14 gusht 1933 në Selanik të Greqisë. Dorasi ishte Ibrahim Çelo, i cili pohoi para policisë se vrasjen e kreu për një shumë parash, të cilën viktima nuk ia dha. Në gazetat lokale vrasja u konsideura si “sherr mes shqiptarësh”, por në shtypin perëndimor u aludua për larje hesapesh mes armiqve të vjetër, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës. Pas atentatit,

Hasan Prishtina u varros në varrezat e Selanikut, nga ku u soll në Shqipëri më 1977, për t’u rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Kukësit, vendndodhja më e afërt gjeografike me vendlindjen e tij.

Fotografitë që sjellim këtu ruhen në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, dhe paraqesin ceremonialin shtetëror të rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës më 6 dhjetor 1977. Eshtrat e patriotit të shquar ekspozohen në shtrat topi në Sheshin Skënderbej, transportohen në Kukës, ku kryhet ceremonia zyrtare e nderimit me fjalime dhe homazhe dhe, më pas, vendosen në banesën e deritanishme.

 

 

 

 

 

Më shumë

Theodhor Kavalioti (1718-1797) – Mendimtar dhe filozof iluminist

Mendimtar dhe filozof iluminist. Lindi dhe vdiq në Voskopojë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i plotësoi në Janinë. Pas studimeve u kthye në Voskopojë, ku zhvilloi veprimtari pedagogjike e shoqërore. Më 1743 u emërua mësues dhe më pas drejtor i shkollës, e cila me përpjekjet e tij u ngrit në rangun […]

175-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (1846-1900)

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën […]

Dervish Hima – Atdhetari, publicisti dhe diplomati shqiptar

Më 21 maj të vitit 1928 vdiq Dervish Hima atdhetar, publicist e diplomat shqiptar. I njohur me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, Hima lindi në Ohër më 21 maj të vitit 1875, në një familje të pasur, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Manastir dhe Selanik dhe për dy vjet […]

Mehmet Ali Vrioni, Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878

Më 13 maj të vitit 1842  lindi Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetar, politikan, diplomat shqiptar e nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Ali Pashë Vrioni është babai i Kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni. Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara