Albanian Profile
e enjte 9 dhjetor 2021
e enjte 9 dhjetor 2021

Hekurudhat e para në Shqipëri janë ndërtuar në vitet 1916-1917 nga ushtria austro-hungareze. Rrjeti hekurudhor i asaj kohe me gjerësi mes shinave prej 650 mm quhej linjë dekovili. Ky rrjet fillonte nga qyteti i Shkodrës dhe vazhdonte në drejtim të Lezhës dhe Vorës për në Tiranë. Në Vorë, hekurudha degëzohej në drejtim të Durrësit–Kavajë–Rrogozhinë–Elbasan e përfundonte në Librazhd. Nga Rrogozhina, duke kaluar lumin e Shkumbinit, hekurudha vazhdonte duke kaluar në Lushnjë–Fier–Levan. Në Lushnjë ishte një degëzim hekurudhor që shkonte deri në Berat. Në linjat e dekovilit, lëvizja e trenave bëhej me lokomotiva të vogla avulli dhe në linja të shkurtra edhe me kafshë. I gjithë rrjeti hekurudhor i dekovilit në Shqipëri ishte rreth 400 km i gjatë. Gjatë tërheqjes së trupave ushtarake austro-hungareze, të gjitha materialet e rrjetit hekurudhor të dekovilit në Shqipëri janë çmontuar dhe transportuar në Austri nëpërmjet Portit të Durrësit dhe Shëngjinit, me plan ushtarak të veçantë të hartuar nga ushtria austro-hungareze.

Ndërtimi i linjave hekurudhore me gjerësi standarde 1435 mm ndërmjet shinave ka filluar në vitin 1947 me ndërtimin e hekurudhës Durrës–Peqin, 44 km. Në vitin 1948, filloi ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës–Tiranë me gjatësi 37 km dhe përfundoi në vitin 1949. Në dhjetor të vitit 1950 përfundoi ndërtimi i linjës hekurudhore Peqin–Elbasan me gjatësi 33 km. Ndërtimi i hekurudhave në vite ka vijuar si më poshtë: Më 1 maj 1963 përfundoi hekurudha Vorë–Laç me gjatësi 30 km. Në tetor 1968 përfundoi hekurudha Rrogozhinë–Fier, 54 km. Në mars 1972 përfundoi hekurudha Elbasan–Librazhd, 22 km. Në mars 1974 përfundoi hekurudha Librazhd – Përrenjas, 27 km. Në mars 1975 përfundoi hekurudha Fier–Ballsh, 25 km. Në korrik 1979, përfundoi hekurudha Përrenjas–Guri i Kuq me gjatësi 28 km. Në prill 1981, përfundoi hekurudha Laç–Lezhë, 19 km. Në nëntor 1981 përfundoi hekurudha Lezhë–Shkodër, 35 km. Në janar 1985 përfundoi hekurudha Shkodër–Bajzë–Hani i Hotit Kufi 36 km. Në tetor 1985 përfundoi hekurudha Fier–Vlorë, 34 km. Në tetor 1987 përfundoi hekurudha Milot–Rrëshen, 25 km, e cila tashmë nuk ekziston, pasi mbi trupin e saj të trasesë është ndërtuar autostrada Milot–Kukës. Hekurudhat Shqiptare u ndërtuan gjatë periudhës së ekonomisë me planifikim të centralizuar, ku Qeveria vendoste kufizime shumë të forta mbi llojet e tjera të transportit. Ndryshimet ekonomike të viteve 1990, bënë që kërkesat për transport të ndryshonin në mënyrë dramatike duke e vënë hekurudhën përballë vështirësive të jashtëzakonshme.

HEKURUDHA NË VITE

  • 1916 – Austriakët nisin ndërtimin e 400 km linjë dekovili
    • 1947 – Përurohet linja e parë hekurudhore Durrës-Peqin
    • 1980 – Hekurudhat realizojnë 47% të transportit të mallrave
    • 1986 – Fillon transporti ndërkombëtar hekurudhor
    • 2000 – HSH u transformohet në Shoqëri Anonime
    • 2005 – Lejohen operatorët e tjerë të kenë akses në HSH
  • 2015 – Jepet me koncesion linja Ballsh–Fier–Vlorë
  • 2017 – Pritet të nisë modernizmi i linjës Tiranë-Rinas-Durrës
  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara