e premte 3 dhjetor 2021
e premte 3 dhjetor 2021

-Teksti është ndërtuar mbi bazën e përvojës së shpëtimit të tyre në Shqipëri-

 

 

Ambasada e Izraelit në Tiranë organizoi përurimin e tekstit të mësuesit dhe nxënësit “Mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit (Shoah)”.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi.

Përurimi u bë me praninë e ministres së arsimit E. Kushi, të ambasadorëve të disa vendeve të rajonit dhe Europës; të mësuesve dhe nxënësve; të studiuesve të historisë së Shoah; të trashëgimtarëve të të mbijetuarve në Shqipëri dhe të strehuesve të tyre.

E pranishme edhe dr. Efram Kedem-Tahar, funksionare e ministrisë së Arsimit të Shtetit të Izraelit dhe autore e tekstit.

Përshëndetën në këtë ngjarje ministrja Kushi, ambasadori Noal Gal dhe studiuesi Shaban Sinani, këshilltar shkencor i botimit. Në fjalën e tij z. Sinani tha se botimi i librit “Roli që luajti Shqipëria në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit – Shoah” (tekst për mësuesin dhe tekst për nxënësin) përbën një ngjarje arsimore dhe shkencore për të dy vendet. Në vijim ai tha:

Kam pasur privilegjin të njihem me këtë tekst në fazën përgatitore të tij dhe kënaqësia që më ka dhënë ka qenë e madhe. Është një tekst nga i cili mëson jo vetëm studenti e profesori, por edhe specialisti i historisë. Unë mësova, për shembull, si të paraqitet historia e mbrojtjes së hebrenjve nga shqiptarët jo thjesht në formën e një koleksioni burimesh, listash e shifrash, por në thelbin e saj human, që shprehet përmes fjalës dhe dëshmisë së njerëzve që e kanë provuar me jetën e tyre rrezikun e zhdukjes fizike për shkak të urrejtjes racore, duke njohur fate vetjakë të të mbijetuarve dhe të mbrojtësve të tyre në Shqipëri. Kështu, verifikimi kritik i dëshmisë arkivore me anë të dëshmisë gojore e bën tekstin jo vetëm më të besueshëm, por edhe më prekës e ndikues. Janë histori të pabesueshme për një brez që luftën antifashiste dhe rrezikun e “Shoah” e kanë mësuar vetëm nga filmat.

Përfshirja e këtij teksti në programet e edukimit në Izrael është një akt për t’u mbajtur mend nga të gjithë ne. Numri i shqiptarëve fisnikë që e kanë emrin të gdhendur në “Murin e Nderit” në Yad Vashem tani mund të jetë mbi 80, por nuk ka nder më të madh për shqiptarët se paraqitja e rolit të tyre në mbrojtje të hebrenjve përmes këtij teksti. Me shumë kënaqësi mësova këto ditë se tekstit i është shtuar edhe pjesa për rolin e shqiptarëve në Kosovë, dhe kjo e rrit rëndësinë e tij për ne.

Por si ta lexojmë ne këtë tekst? Ta lexojmë për t’u vetëmburrur? Të gjithë ata shqiptarë që janë intervistuar e janë pyetur për rolin e familjeve të tyre në mbrojtje të hebrenjve përgjigjen njësoj: bëmë atë që duhet të bënte kushdo tjetër. Dhe unë do të përgjigjesha njësoj, sepse, siç thuhet në Talmud, “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar Njerëzimin”.

Në Ligjin për “Ditën e Kujtesës” është shkruar qartë e sintetikisht: kujtesa jonë do t’u drejtohet historisë së mbijetesës së hebrenjve në Shqipëri për ta bërë atë më të njohur, për ta bërë pjesë të historisë së luftës antifashiste dhe mbi të gjitha për të reflektuar, që trauma dhe gjëmat e Holokaustit të mos përsëriten më, jo vetëm në formën e vjetër, por edhe në format e reja, që shfaqen herë pas here në mënyrë simptomatike: në formën e urrejtjes dhe intolerancës etnike, fetare, kulturore, racore apo ideologjike.

Brezi im dhe disa breza të tjerë pas meje nuk e patën shansin ta njohin historinë e Holokaustit (Shoah) përmes një teksti shkollor të sistemuar e argumentuar. Kam ndjerë kënaqësi të thellë dy javë më parë kur z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, deklaroi në Forumin Ndërkombëtar “Remember – React” të Malmoes se teksti i hartuar nga një skuadër hebreo-shqiptare, ky tekst që përurohet sot, prej vitit të ardhshëm do të jetë pjesë e programeve shkollore edhe në vendin tonë, ashtu siç është. Me shumë gjasë edhe ministria e arsimit e Kosovës do të bëjë të njëjtën gjë. Është një hap shumë i rëndësishëm, sepse kështu do të mësojmë nga pësimet historike, kështu do të zbutemi në shpirt e mendje, kështu do të vetedukohemi.

Teksti “Roli që luajtën shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve gjatë Shoah (Holokaust)” është përgatitur nën kujdesin e Shkëlqesive Ambasadorë Noal Gal në Shqipëri e Bardhyl Canaj në Shtetin e Izraelit. Skuadra e punës që hartoi tekstin, e kryesuar nga dr. Efrat Kedem-Tahar, studiuese dhe funksionare në ministrinë e edukimit të Izraelit; me pjesëmarrjen e hebreoshqiptarëve të mirënjohur si Felicita Jakoel; Sara, Xhorxh e David Arditi; redaktuar nga dr. Blerina Çizmja, meritojnë të gjithë përgëzime. Kjo sinergji që u krijua do të ishte mirë të vazhdonte edhe në nisma të tjera, siç është mbledhja e dëshmive të fundme nga kujtesa gojore (ka ende të mbijetuar dhe strehues ose pasardhës të tyre). Po ashtu, edhe botimi i listave të plota të hebrenjve që kanë ardhur në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, me indekse arkivorë të plotë, mund të ishte një iniciativë tjetër.

Së shpejti do të fillojë puna për ngritjen e Muzeut të Kulturës Hebreje në Vlorë, që do të jetë edhe qendër kërkimi e dokumentimi, dhe të gjithë kemi mundësi të ofrojmë diçka. Fati i hebrenjve që nuk mundën të riatdhesoheshin në vendin e tyre pas Luftës gjithashtu mbetet një problem për t’u trajtuar në mënyrë të thelluar.

Më shumë

Historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë “Shoah” do të mësohet me të njëjtin tekst në të gjitha shkollat e mesme në Izrael, Shqipëri e Kosovë

-Teksti është ndërtuar mbi bazën e përvojës së shpëtimit të tyre në Shqipëri-     Ambasada e Izraelit në Tiranë organizoi përurimin e tekstit të mësuesit dhe nxënësit “Mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit (Shoah)”. I pranishëm në ceremoninë e përurimit Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi. Përurimi u bë me praninë e […]

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, me më shumë se 200 tituj

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021.   I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar […]

Zbulohet stera 2300-vjeçare në sitin arkeologjik të Bylisit

Neritan Ceka: I përket shekullit III para Krishtit. Stera është e gjatë 50 metra dhe e thellë 8 metra dhe e mbuluar nga një sistem harqesh. Kërkimet arkeologjike në Bylis kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave, kryesuar nga Neritan Ceka. Skënder Muçaj: Janë zbuluar dhe objekte të […]

“Mesdheu”, një film për krizën e emigrantëve në Evropë

“Mesdheu”, një film bazuar në një histori të vërtetë që tregon se si u shpëtuan më shumë se 62 mijë emigrantë në detin Mesdhe u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Romë.   Filmi artistik spanjoll tregon se si Oscar Camps, një qytetar katalanas dhe aktivist me një anije të vogël filloi […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara