e shtunë 8 maj 2021
e shtunë 8 maj 2021

 

Kosova dhe Izraeli kanë nënshkruar marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Marrëveshja është nënshkruar në një ceremoni zyrtare nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, si dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

 

 

Në një ceremoni virtuale, ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj – Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi hodhën firmat në marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dyja vendeve.

 

 

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Jerusalem.

 

Në dy skena, në Prishtinë dhe në Jerusalem të stolisura me flamujt e Kosovës, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, të dy ministrat e vlerësuan historike marrëveshjen e sotme.

 

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një hap i rëndësishëm, historik dhe emocionues. Sot në mëngjes morra një kërkesë zyrtarë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe padyshim e miratova, dhe mezi pres ta shoh të hapet, shpresoj shumë shpejt”, tha ministri Ashkenazi.

 

 

 

Ministrja në detyrë e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, tha se Kosova ka pritur gjatë arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila e bën Izraelin shtetin e 117 që e njeh Kosovën.

 

“Në këtë ditë të rëndësishme ne hapim një kapitull të ri në lidhjen historike ndërmjet vendeve tona, të cilat janë sfiduar për të ekzistuar si popuj dhe si shtete. Shtetet tona kanë qëndruar pranë njëri tjetrit në momentet më të vështira dhe sot fillojmë një udhëtim si dy shtete”, tha zonja Haradinaj.

 

Të dyja palët falënderuan Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se pa përfshirjen e tyre nuk do të ishte e mundur ngjarja e ditës së sotme.

 

 

“Jemi më shumë se falënderues ndaj aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që jo vetëm na kanë shpëtuar nga gjenocidi i luftës por i kanë dhënë edhe jetë vullnetit të popullit tonë për demokraci dhe liri, në formën e Republikës së Kosovës”, tha zonja Haradinaj.

 

“Në këtë rast dua të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përpjekjet e tyre që të promovojnë paqen kudo në botë dhe për të përparuar marrëdhëniet e Izraelit me vende me të cilat nuk kishte marrëdhënie diplomatike më parë”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

 

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

 

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtim i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

 

Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parasheh që Kosova të hap ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

 

Në marrëveshjen e sotme thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.

 

Ambasadorja e Kosovës në Izrael do të jetë zonja Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.

 

 

Gjatë ceremonisë, në mënyrë simbolike u zbulua edhe pllaka që do të vendoset pranë amabasadës së Kosovës në Jerusalem.

 

 

 

 

Reagime pas marrëveshjes

 

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, uroi palët ndërsa theksoi në një postim në rrjetet sociale se kjo është “një ditë historike. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të forta. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan dhe Lindjen e Mesme”, shkroi zoti Price.

 

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy popujve kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. “Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hapë rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, tha zonja Osmani në një njoftim për media.

 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ky është një hap drejt konsolidimit të mëtutjeshëm të Kosovës në fushën ndërkombëtare.

 

“Ky nënshkrim tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e katër shtatorit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Krahas vendosje së marrëdhënieve diplomatike, sot janë nënshkruar edhe disa marrëveshje të tjera që e fuziqojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik ndërmjet vendeve tona, pres me padurim miqtë tanë izraelit në Prishtinë”, tha kryeministri në detyrë Hoti.

 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi se kjo ngjarje ndodh në kohën kur vendi është në udhëkryq. “Falënderues për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërmjetësimin e tyre për këtë njohje kaq të rëndësishme. Kjo është edhe një dëshmi e fortë se marrëdhëniet me aleatin tonë, SHBA-të, janë të një rëndësie të veçantë e strategjike dhe si Kosovë vazhdimisht do t’i forcojmë ato”, tha zoti Haradinaj.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se nuk është aspak i kënaqur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

 

“Kjo pritej tash e gjashtë muaj. Për këtë arsye ne në Washington nuk kemi dashur të nënshkruajmë një dokument të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët. Nuk kemi dashur të inkurajojmë, por të dekurajojmë Izraelin nga një veprim i tillë, por ja që Izraeli vendosi se Amerika është më e rëndësishme”, u tha ai mediave serbe pak pas një takimi ne Paris me presidentin francez Emmanuel Macron.

 

 

Video nga ceremonia e nënshkrimit:

 

 

https://fb.watch/3n-FX-Z-HB/

 

https://fb.watch/3n-xONRepM/

 

 

Më shumë

35 ditë në pushtet, Qeveria Kurti 2 ende pa planprogram

Shefi i qeverisë të dielën ishte në Shqipëri.   E të martën kryeministri do të udhëtojë për në Bruksel për një vizitë zyrtare dy ditore atje.   Ndërsa pas kthimit Kurti planifikon ta dërgojë planprogramin për miratim në qeveri e votim në Kuvend.   Por në Zyrën e tij nuk kanë treguar se […]

Identifikohen dy shqiptarë të Kosovës në varrin masiv të gjetur në Serbi

Ekspertët ndërkombëtarë kanë konfirmuar identitetin e dy viktimave të tjera shqiptarë të Kosovës nga lufta e viteve 1998-1999 të cilët u gjetën të varrosur së bashku me të tjerë në një varr masiv në një minierë të hapur në Kizevak, Serbi.   Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur tha për BIRN të martën […]

Kosova për herë të dytë zgjedh një grua për presidente

Vjosa Osmani ka pranuar sot edhe zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës.   Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Osmani ka pranuar detyrën pa ceremoni të inaugurimit.   Kosova, për herë të dytë zgjedh një grua në krye të shtetit. Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh të dielën presidente e Kosovës pasi pro kandidaturës së […]

PE me shumicë votash mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Europian me shumicë dërrmuese kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.   Raportuesja për Kosovën në këtë institucion, Viola von Cramon ka bërë të ditur se liberalizimin e vizave për Kosovën e kanë mbështetur 472 eurodeputetë.   “Në votimin plenar për raportin për Kosovën në Parlamentin Europian, shumica dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara