e premte 19 gusht 2022
e premte 19 gusht 2022

 

 

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për paqen në Afganistan thotë se kishte siguruar një marrëveshje të minutës së fundit me talebanët në muajin gusht, për mbajtjen e rebelëve jashtë Kabulit, ndërsa negociohej tranzicioni politik. Por, ai thotë se largimi nga vendi i Presidentit Ashraf Ghani e dëmtoi planin.

 

I dërguari amerikan (i lindur në Afganistan) Zalmay Khalilzad e bëri këtë zbulim gjatë bisedës me gazetën The Financial Times, duke shtuar se kishin arritur marrëveshjen për një periudhë pauze dyjavore, vetëm pak orë përpara se kryeqyteti afgan të binte në duart e talebanëve më 15 gusht. Ai tha se arratisja e zotit Ghani la një vakum sigurie në qytet, që e nxiti grupin islamik të marshonte drejt qytetit po atë ditë.

 

Zoti Khalilzad shpjegoi se marrëveshja do ta lejonte zotin Ghani të vazhdonte në postin e tij derisa të arrihej një zgjidhje në Doha për një qeveri të re, megjithëse talebanët do të qëndronin në portat e Kabulit.

 

Konfirmimi i talebanëve

 

Një zyrtar taleban konfirmoi të mërkurën detajet e mirëkuptimit të arritur me zotin Khalilzad në Doha, kryeqytetin e Katarit, ku rebelët mbajnë zyrën e tyre politike.

 

“Po. U dha fjala e xhentëllmenit nga pala jonë se forcat nuk do të hynin në Kabul dhe do të bisedonim për një transferim paqësor të pushtetit”, i tha Zërit të Amerikës nga Doha zëdhënësi taleban Suhail Shaheen.

 

Zoti Khalilzad i tha gazetës Financial Times se nuk kishte asnjë dijeni se zoti Ghani kishte ndërmend të largohej në azil në Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

“Pati probleme të rendit dhe ligjshmërisë në Kabul, pas largimit të Ghanit… Talebanët pyetën nëse do ta merrnim ne përgjegjësinë tashmë për sigurinë e Kabulit. Dhe e dini se ç’ndodhi në vazhdim, ne nuk e merrnim dot përgjegjësinë”, tha i dërguari amerikan.

 

Zoti Khalilzad negocioi një marrëveshje me talebanët në shkurt 2020, duke i hapur rrugën Shteteve të Bashkuara që të kthenin në atdhe të gjitha trupat amerikane nga Afganistani pas gati 20 vitesh përfshirje në luftën afgane.

 

Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjithashtu ka deklaruar vazhdimisht ditët e fundit se ai kishte marrë garanci nga Ghani në prag të ikjes së tij se presidenti afgan mbështeste planin e Uashingtonit.

 

“Ajo që ai [Ghani] më tha në bisedën një natë para se të ikte është se, siç tha ai, ishte i përgatitur të ‘luftonte deri në vdekje’,” tha Sekretari Blinken për Tolo News, me seli në Afganistan, në fillim të këtij muaji.

 

Zoti Ghani ka bërë deklarata ditët e fundit nga Emiratet e Bashkuara Arabe duke kërkuar falje për “braktisjen” e afganëve dhe duke thënë se ai ka vepruar sipas këshillave të organeve të sigurisë të pallatit presidencial. Ish-presidenti gjithashtu hodhi poshtë akuzat se u largua me dhjetëra miliona dollarë të vjedhur me vete.

 

Qeveria e përkohshme

 

Talebanët njoftuan një qeveri të përkohshme javën e kaluar në Afganistan, 20 vjet pasi u dëbuan nga pushteti nga operacioni ushtarak ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të strehimit të udhëheqësve të al-Kaidas.

 

Talebanët vendosën ligje të rrepta islame kur ishin më parë në kontroll të vendit nga 1996 deri në 2001. Një sistem brutal i drejtësisë, keqtrajtimi i pakicave afgane, ndalimi i grave nga jeta publike dhe ndalimi i vajzave nga arsimimi shënuan sundimin taleban në atë kohë, duke çuar në izolimin global të Afganistanit.

 

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera tani po i bëjnë presion talebanëve që të mos e rikthejnë sistemin e tyre të qeverisjes së ashpër nëse duan që vendi i tyre të mbetet pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të fitojë njohje diplomatike për një qeveri të udhëhequr nga talebanët në Kabul. VOA

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara