e hënë 19 prill 2021
e hënë 19 prill 2021

 

I ngarkuari i BE për dialogun, Miroslav Lajçak thotë se shpejt mund të ketë takim ndërmjet Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiçit. Beogradi reagoi ashpër pas deklaratave të Kurtit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, duke i premtuar atij bashkëpunim në të ardhmen. Vetë Kurti shkroi në Twitter për telefonatën, por nuk shpalosi detaje tjera. ”Sot më erdhi një telefonatë nga Miroslav Lajcak i cili më përgëzoi për postin tim të ri si Kryeministër, duke i uruar qeverisë sonë sukses. Presim bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, shkroi Kurti.

 

Lajçak: Kam garanci për dialogun

 

Kërkesa e vazhdueshme e Lajçakut drejtuar kryeministrit të ri kosovar është vazhdimi i dialogut me Serbinë, ndonëse Albin Kurti ka thënë se nuk i shmanget dialogut me Serbinë, por nuk e ka ndër prioritet e para të qeverisjes së tij. Ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç pritet të ndodhë brenda disa javësh, ka thënë Lajçak. “Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova ashtu siç jemi marrë vesh edhe me Albin Kurtin duhet të përfundojë me krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiç. Vuçiç më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”, ka thënë Lajqak.

 

I ngarkuari i BE-së për dialogun ka qenë i inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd ku, siç shprehet ai, “ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun”. “Gjatë qëndrimit tim të fundit në Prishtinë dhe Beograd, partnerët më kanë konfirmuar se e dinë mirë rëndësinë e dialogut dhe se janë të gatshëm të vazhdojnë me këtë proces. Natyrisht se dialogu është jo vetëm proces i normalizimit të marrëdhënieve, por edhe platformë ku zgjidhen edhe problemet tjera”, thotë Lajçak.

 

Kurti refuzon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

 

Ndër kërkesat që vazhdimisht Serbia ka përcjellë për autoritetet e BE-së dhe ato të Kosovës është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas pikëpamjes së Beogradit ky asociacion ka kompetenca ekzekutive. Por kjo është  e papranueshme për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që refuzon për themelimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive. “Neni 44 i Kushtetutës së Kosovës garanton lirinë e asociimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion një-etnik, mund të jetë karakteri i Asociacionit të komunave, por jo një-etnik, e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të shpallur më 25 dhjetor të vitit 2015.” Këtë deklaratë  kryeministri i Kosovës e shprehu në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

 

Pas kësaj ishte i menjëhershëm reagimi i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. “Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq lidhur me deklarimet e Prishtinës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, u shpreh Vuçiç. “Edhe sot, kur ata na kërcënojnë me formimin e “Shqipërisë së Madhe ” dhe thonë se nuk ka asgjë nga Asociacioni i Komunave Serbe, ne po themi që ne nuk jemi aq të dobët sa kemi qenë”, citojnë mediet në Serbi, Vuçiçin duke shtuar se Prishtina nuk duhet të kërcënojë. “Thjesht u kërkoj atyre që të mos na kërcënojnë dhe të mos mendojnë se Serbia është thyer dhe se nuk do të dijë si të përgjigjet”, ka thënë Vuçiç.

 

Fund i dialogut?

 

Reagime ka pasur edhe nga ambasadori serb në Uashington dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi përfundimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës me deklaratat se nuk dëshiron as ta diskutojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. “Albin Kurti po bën kërdi në rajon në ditët e para të tij në detyrë. Ai as nuk dëshiron të diskutojë mbi formimin e Asociacionit të komunave serbe, një detyrim ligjërisht obligativ i Kosovës, i nënshkruar, ratifikuar dhe i garantuar ndërkombëtarisht, Kurti ka njoftuar në fakt përfundimin e dialogut në mënyrën më të egër”, shkroi në Twitter Gjuriç.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht e ka përsëritur se sa i përket dialogut me Serbinë ai nuk i shmanget atij, por, fillimisht dëshiron të dialogojë me serbët e Kosovës dhe më pas me Beogradin. Analisti politik, Blerim Burjani është i mendimit, se kjo formë e dialogut mund të zgjats marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. “Dialogu i brendshëm me pakicën serbe e vonon zgjidhjen. Kurti duhet të pranojë se normalizimi i raporteve është prioritet, sepse i përket paqes, stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar e paqja e qëndrueshme gjithmonë është prioritet ndërkombëtar, andaj ikja nga prioriteti ndërkombëtar i këtij rendi botëror nuk është e dobishme dhe i bën dëme këtij rendi”, thotë për DW Blerim Burjani.

Nga komuniteti ndërkombëtar vijnë thirrje të qarta për kryeministrin e Kosovës për angazhim në dialogun me Serbinë. Kërkesa e fundit ishte nga debati në Parlamentin Evropian ku i miratua raporti për Kosovën i raportueses Viola von Cramon, ku ndër të tjera qeverisë së re të Kosovës i bëhet thirrje që të angazhohet në dialog me Serbinë. “Qeveria e re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdojë në javët dhe muajt në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së”, tha Viola von Cramon.

 

Më shumë

Zyrtarët e BE të shqetësuar me sundimin e ligjit në Turqi

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut në Turqi.   Ata i thanë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan se, BE-ja shpreson në lidhje me të ngushta me Turqinë, mirëpo kjo do të varet nga përmirësimi që do të […]

Debatet rreth censusit në Maqedoninë e Veriut

Procesi i regjistrimit të popullsisë që po mbahet për diasporën e Maqedonisë së Veriut ka mobilizuar edhe faktorët politikë me thirrjet për t’u regjistruar, ndërsa opozita maqedonase po bën thirrje për shtyrjen e procesit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Deri më tani janë regjistruar mbi 150 mijë qytetarë me origjinë nga Maqedonia e […]

1 vjetori i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO

Maqedonia e Veriut po shënon 1 vjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast, në një ceremoni që u mbajt në një kazermë të Shkupit, tre aeroplanë ushtarakë të Aleancës fluturuan mbi kryeqytetin e vendit, ndërsa pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut shfaqën pjesë të stërvitjeve para krerëve të institucioneve më të larta […]

RMV, deri sot janë regjistruar rreth 150.000 persona nga diaspora

Deri në orën 8 të këtij mëngjesi, përmes ueb-aplikacionit për vetë-regjistrim janë evidentuar 148.719 persona të regjistruar nga diaspora, informoi Enti Shtetëror i Statistikave. Si edhe deri më tani, shumica e emigrantëve të regjistruar nga vendi janë nga Zvicra, Gjermania dhe Italia, ndërsa numri i personave të regjistruar është shumë më i ulët […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara