Zyrtarët japonezë të hapësirës kanë arritur me sukses të mbledhin mostrat e para të përbërjes së brendshme të një asteroidi, pasi kapsula që mbante materialin u ul në mënyrë të sigurt në një zonë shkretinore të Australisë së Jugut.
Anija kozmike “Hayabusa 2” lëshoi kapsulën e vogël të shtunën dhe e dërgoi atë drejt Tokës për të dorëzuar mostrat e marra nga brendësia e sipërfaqes së asteroidit të mbiquajtur “Ryugu”, nga i cili u nis një vit më parë rreth 300 milionë kilometra larg nga Toka.
Kjo është hera e parë në historinë e studimit të hapësirës që arrihet të mblidhen mostra të brendësisë së sipërfaqes së një asteroidi, mostra të cilat mund të dëshmojnë për përbërjet minerare, prejardhjen, zhvillimin dhe historinë e mundshme të vetë sistemit diellor. (AP-VOA)