Friday 24 March 2023
Friday 24 March 2023

 

 

Muzika pari rëndësinë e saj në trazirat politike dhe konfliktet në Ballkan në vitet 1990. Sot ajo po kapërcen kufijtë dhe po ofron shpresë.

 

Rrep boshnjak në radio serbe; Turbo-folk serb në një kafene kroate; hip-hop nga i gjithë rajoni i Ballkanit në një shtëpi produksioni në Beograd.

 

Për kombet që dikur ishin në luftë me njëri-tjetrin, një shkëmbim i tillë muzikor ofron shpresë për të ardhmen e kulturës ndërkufitare në një rajon ku, për pjesën më të madhe, gjuha nuk është pengesë.

 

Censura dhe nacionalizmi ishin realiteti muzikor i luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990. Shkëmbimi kulturor i ditëve të sotme është një përmirësim i madh, por mbetjet e shtypjes kulturore të kohës së luftës ekzistojnë ende. Kjo është historia e ndërlikuar arsyes përse.

 

Historikisht, muzika nga rajoni pritej mirë nga kritikët në Perëndim, me Radion Evropa e Lirë, New Musical Express të Britanisë dhe të tjerë që paralajmëronin një prodhim të madh të muzikës rrok dhe një valë të re muzikore në vitet 1980 të vendit.

 

Por ndërsa nacionalizmi filloi të mbizotëronte në politikë dhe shoqëri, kështu ndodhi edhe me muzikën dhe artet. Në Serbi, stendat e rrugëve filluan të ofronin artikuj “çetnikë” që lartësonin lëvizjen nacionaliste serbe që luftoi në Luftën e Dytë Botërore, si dhe kaseta muzikore që i bënin jehonë betejave historike të fituara dhe të humbura.

 

Stacione televizive të sapo-themeluara me emra si “Pink” dhe “Palma” filluan të transmetonin të ashtuquajturin “turbo-folk” – duke ofruar një shkëlqim të madh dhe optimist për një realitet të ashpër. Diçka që i afrohej këtij zhanri kishte qenë e pranishme në Serbi para se Jugosllavia të shpërbëhej, por ajo mori një peshë tjetër ndërsa lufta po afronte.

 

“Turbo-folku përfaqësonte një kërkim për stabilitet shoqëror”, tha Dragan Ambroziç, i cili gjatë punës së tij si gazetar mbulonte skenën muzikore jugosllave midis viteve ’80 dhe deri në vitet ’90.

 

“Pjesa më e madhe ishte thjesht magjepsje, duke vendosur disa momente me shkëlqim në një jetë dëshpëruese”, u citua të ketë thënë Ambroziçnë librin e Matthew Collin në vitin 2001 “Ju flet Serbia”, për stacionin radiofonik të Beogradit B92 dhe rezistencën ndaj të fortit të atëhershëm serb Slobodan Millosheviç.

 

“Televizioni shtetëror e promovoi atë sepse kjo lloj muzike largonte mendimet për gjëra të këqija, të hiperinflacionit”, tha Ambroziç për Collin.

 

Nga rroku te muzika “underground”

 

Me mesazhin e saj kundër luftës dhe listën eklektike të këngëve që luante, B92 u etiketua si subversive, u bastis nga policia dhe përfundimisht u mbyll vetëm për t’u rishfaqur në internet si Free B92 para se Millosheviçi të binte në 2000. Megjithatë, stacione si Pink, Palma dhe Radio Ponos (“Krenaria”), ishin të lirë të promovonin turbo-folkun dhe shfrytëzimin e kulturës për çështjen ushtarake.

 

Radio-Televizioni Serbia, zëdhënësi shtetëror i regjimit të Millosheviçit, transmetoi ​​albume turbo-folk dhe promovoi yjet e kësaj muzike.

 

Muzikantëve dhe artistëve alternativë të muzikës iu mbyt zëri, edhe pse ata flisnin kundër drejtimit që po merrte Serbia.

 

Sipas një artikulli të vitit 1994 në Yu rock magazin, cituar nga Eric Gordy në librin e tij të vitit 1999 “Kultura e pushtetit në Serbi”, “në vitin 1992 ndodhi një ndryshim”.

 

“Njerëzit të cilët ishin të orientuar drejt rrokut iu drejtuan muzikës “underground” dhe publiku që nuk mund të dëgjonte dot atë lloj muzike ndaloi së dëgjuari muzikë fare. Një pjesë e tyre që nuk ishin të prirur fort nga pikëpamja kulturore… të cilët në thelb dëgjonin çdo lloj rryme që u pëlqente, filluan të dëgjonin folk.”

 

Një pjesë e largimit nga muzika rrok tek ajo folk ishte thjesht një pasojë e luftës. Rroku rezononte më së shumti me të rinjtë urbanë, por ndërsa lidhjet u ndërprenë midis qendrave urbane në Jugosllavi dhe të rinjtë u dërguan për të luftuar, publikimi i muzikës rrok dhe organizimi i festave u bë i vështirë.

 

Shteti dhe media e tij derdhën pak lot për shkatërrimin e muzikës rokenroll.

 

Në 1995, politikani dhe novelisti nacionalist serb Dobrica Cosiç gjeti një lidhje midis “jugosllavizmit në ‘mishërimin e tij të keq’” dhe “snobizmit të një pjese të brezit të rokenrollit”.

 

Kur Rimtutituki publikoi Slušaj ‘Vamo (Dëgjo këtu!), kënga, dhe koncertin që e pasoi atë dhe në të cilin morën pjesë rreth 50,000 njerëz në qendër të Beogradit, u shpërfillën pothuajse fare nga rrjetet shtetërore. Vetëm B92 raportoi për të.

 

Muzika si mjet lufte

 

Ndërkohë, muzika u bë një aktor brenda vetë luftërave.

 

Gjyqet e krimeve të luftës në gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë kanë demonstruar se si luftëtarët serbë detyronin në mënyrë të vazhdueshme të burgosurit joserbë të këndonin këngë çetnike. I burgosuri boshnjak Muhamed Biciç dëshmoi se rojet serbe e detyruan atë dhe të burgosurit e tjerë të këndonin këngë të tilla ndërsa ai shikonte vëllain e tij duke u rrahur. Një dëshmitar tjetër, Emil Cakaliç, përshkroi një këngë të kënduar nga ushtarët serbë ndërsa hynin në qytetin kroat të Vukovarit pas rënies së tij në vitin 1991.

 

“Slobo, Slobo, dërgo pak sallatë. Tani do të hamë. Do të masakrojmë kroatët, kshtu që do të kemi mish”, vazhdonte kënga, sipas përkthimit që gjykata i bëri fjalëve të saj. Slobo është një referencë për Sllobodan Millosheviçin.

 

“Ato ishin këngë që ishin krijuar për të mbjellë frikë te popullata”, i tha Cakaliç gjykatës.

 

Ndërsa radioja dhe televizioni serb nuk transmetonin tekste të tilla, këngët që ata luanin i bënin jehonë të njëjtit mesazh.

 

“Kishte të ashtuquajtur këngëtarë folklorikë që këndonin këngë për Serbinë e Madhe dhe ushtarët serbë dhe se si ne të gjithë e duam mëmëdheun tonë dhe se si të gjithë duhet të jemi të gatshëm të vrasim dhe të vritemi për të, për të çliruar vëllezërit dhe motrat tona serbe në Kroaci dhe Bosnjë”, citohet të ketë thënë gazetari Teofil Panciç në “Ju flet Serbia”. “Kjo ishte shumë e frikshme dhe ishte kudo rreth teje: kudo kishte këngë të tilla dhe njerëz me uniforma.”

 

Krijimi i një narrative përmes muzikës

 

Serbia nuk ishte e vetme në shfrytëzimin e fuqisë së muzikës për të ndikuar në gjendjen shpirtërore në vend dhe në front. Një luftë e ngjashme kulturore po zhvillohej gjithashtu në Kroaci.

 

Në 1991, Zagreb’s Croatia Records u formua nga ato që mbetën nga Jugoton me qendër në Zagreb, dikur shtëpia diskografike më e madhe në Jugosllavi. Croatia Records, së bashku me Radio dhe Televizionin Kroat të sapo krijuar, HRT, filluan të transmetonin në mënyrë selektive këngë dhe lista këngësh për të krijuar një narrativë rreth luftës kroate 1991-1995.

 

Pasi filloi lufta, HRT filloi posaçërisht blerjen dhe promovimin e muzikës nacionaliste, shkroi lektorja e historisë në Mbretërinë e Bashkuar Catherine Baker në librin e saj të vitit 2010 “Tinguj të brezit kufitar”.

 

“HRT-ja porositi këngë të reja patriotike, u dha atyre ekzistuese mundësinë të transmetoheshin, organizoi dhe financoi projekte muzikore në shkallë të gjerë dhe mundësoi regjistrime audio dhe video”, shkroi Baker.

 

Kjo ide e ndërtimit të një narrative vërtetohet nga HRT dhe rrjeti i saj financimi selektiv i HTV për festivalet e muzikës dhe artistët që performonin në to. Duke filluar nga viti 1991, festivalet e mbështetur nga HTV-ja kudo në Kroaci filluan të vinin në dukje me vetëdije muzikën patriotike pro-kroate.

 

Redaktori i lajmeve në HTV Miroslav Liliç madje pretendoi se i kishte kërkuar këngëtarit pop kroat Tomislav Ivciç të kontribuonte në përpjekjet e luftës, gjë e cila çoi në krijimin na ana e tij të himnit të anti-luftës “Stop Luftës në Kroaci”. Kënga më vonë do të regjistrohej në studiot e HTV-së para se të bëhej një këngë e njohur për kroatët brenda dhe jashtë vendit.

 

Fillimisht, megjithatë, muzikantët kroatë morën një qasje ndryshe ndaj homologëve të tyre serbë, duke shmangur deklaratat specifike rreth armikut dhe duke u përqendruar te bukuria e Kroacisë dhe popullit të saj – dhe më pas, te dëmi që po iu bëhej për shkak të “luftës së tyre mbrojtëse” kundër rebelë etnikë serbë të mbështetur nga Beogradi.

 

Megjithatë, ky fokus nuk ishte thjesht vullneti i muzikantëve. Prezantuesit e radios dhe televizionit i kuronin programet e tyre në mënyrë të tillë që të theksonin këtë stil muzike, duke bërë herë pas here redaktime të çdo vargu të ndonjë kënge për të siguruar që mesazhi do të përcillej si duhej.

 

Baker citon një pretendim nga menaxheri i grupit të kërcimit Electro Team që redaktori i lajmeve në HTV, Liliç, ndryshoi tekstet e debutimit të grupit Molitva za mir (Lutje për paqe) para se të lejonte që ajo të transmetohej; në mënyrë të ngjashme, këngëtari Nano Prsa tha që drejtoresha e Radios Kroate Eva Sedak i kërkoi atij që të ndryshonte një rresht në këngën e tij Mi sokolovi koji nemamo krila (Ne fajkojtë pa krahë) para transmetimit të saj.

 

Nëse muzikantët i afroheshin kufirit të respektit, bëheshin përpjekje për të frenuar rritjen e muzikës në frekuencat zyrtare. Për shembull, kur këngët Hrvatine (Kroatë) nga Djuka Caiç dhe Kreni Gardo (Shko, roje) nga Ivo Fabijan filluan të fitonin popullaritet, teksti i tyre  bëri që të dyja këngët të hiqeshin nga transmetimi pas disa javësh.

 

Në luftë, megjithatë, luftëtarët kroatë e përdornin muzikën në të njëjtën mënyrë me armikun e tyre. Një dëshmitar anonim në një gjykim të Gjykatës së Hagës përmendi faktin që ushtarët kroatë këndonin si një taktikë të përdorur për të futur frikë.

 

“Dëgjoje ushtarë kroatë që këndonin disa këngë kombëtare që flisnin për vrasje të serbëve”, dëshmoi dëshmitari. “Ata ishin të gjithë afër nesh dhe ne nuk ndiheshim më të sigurt.”

 

Për më tepër, ndërsa përpjekjet për të zbutur përmbajtjen lirike patën disa suksese, muzika më agresive vazhdonte të bënte xhiron e Kroacisë në formën e kasetave dhe transmetimeve në radio lokale.

 

Përfundimisht, u bë e vështirë të shpërfillej. U shfaqën figura si Marko Perkoviç “Thompson”, i cili dilte në çdo gazetë kryesore dhe dëgjohej në frekuencat popullore për të promovuar muzikën e tij nacionaliste.

 

Këngët e Perkoviçit flisnin për lëvizjen fashiste ustashe kroate të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe megjithëse ai grindej herë pas here me mediat shtetërore të viteve ’90, ai prapëseprapë zhvilloi një karrierë të suksesshme me ndihmën e tyre, duke përfshirë një sërë reportazhesh nëpër media dhe disa albume në Croatia Records.

 

Përveç kësaj, disa dokumente nga ajo kohë tregojnë se artistët serbë ishin përjashtuar nga mediat kryesore në Kroaci.

 

Një suplement periodik i përjavshëm nga maji 1991, zbuluar nga Baker, vuri në dukje se shumë artistë serbë dhe boshnjakë nuk transmetoheshin më në televizion.

 

Turbo-folku, një zhanër që në vend konsiderohej si serb, u përball me “një ndalim nga ana e medieve”, sipas librit të vitit 2014 “Muzika turbo-folk dhe përfaqësime kulturore të identitetit kombëtar në ish-Jugosllavi” nga Uros Cvoro, një pedagog në Teori Arti në UNSË Australia.

 

Turbo-folku serb hyn në Kroaci

 

Nëse ndonjë nga këto përpjekje për kontroll muzikor në Kroaci dhe Serbi patën efekt në asistim e përpjekjeve të luftës, kjo është një çështje debati historik dhe të dy vendet do të ndryshonin strategjitë e tyre muzikore ndërsa luftërat përparonin.

 

Thompson, për shembull, kaloi nga të qenit një figurë e skajshme e shpërfillur nga shtypi i zakonshëm në ditët e para të luftërave jugosllave, në një muzikant që gëzonte vëmendje nga shteti drejt fundit të tyre. Në Serbi, turbo-folku nuk pëlqehej nga shteti, dhe autoritetet kulturore në vend të kësaj u përpoqën ta pikturonin kulturën serbe në një aspekt më të gjerë për të shmangur lidhjen e gjatë të këtij zhanri me kombin e tyre.

 

Të dy projektet u bazuan në një lloj izolimi kulturor dhe ndërsa luftërat zbehen në kujtesë, shkëmbimi muzikor midis kufirit Serbi-Kroaci po kthehet ngadalë.

 

Një artikull i vitit 2019 në faqen kroate të internetit Index eksploroi popullaritetin në rritje të artistëve serbë në YouTube-in kroat, me muzikantë të shumtë serbë që ndiqeshin sumë në këtë faqe në çfarëdolloj kohe. Edhe turbo-folku vazhdon të ketë sukses të përhapur në të dy kombet, me stacione radiofonike në Kroaci që promovojnë këtë zhanër.

 

Megjithatë, presionet politike vazhdojnë. Një artikull i botuar në shtator 2020 në faqen serbe Nova analizoi disa artistë serbë të cilët pretendonin se u ndalohej të performonin në Kroaci për arsye politike.

 

Në 2011, ikona jugosllave e pop-folkut, Lepa Brena, e cila lindi në një familje myslimane boshnjake, që perceptohej gjerësisht si “pro-serbe” gjatë rënies së Jugosllavisë, anuloi një koncert bamirësie në qytetin kroat të Osijekut, duke thënë se eventi nuk arriti të merrte mbështetje të mjaftueshme dhe se ai kishte marrë një “dimension politik”.

 

Pastaj në 2018, veteranët kroatë të luftës bënë thirrje për anulimin e një festivali tradicional të muzikës polifonike “Ojkaca” në Kroaci, pasi organizatorët ftuan interpretues nga Serbia. Festivali vazhdoi, por me një prani të rëndë policore.

 

Ballafaqim me të kaluarën

 

Në Serbi, disa evente kulturore janë pritur me protestë dhe vandalizëm.

 

Në raportin e tyre për Gjendjen e Lirisë Artistike të vitit 2020, organizata Freemuse, e cila mbron lirinë e shprehjes artistike, renditi Serbinë si një nga vendet me më shumë raste të regjistruara censure, duke përmendur posaçërisht shpeshtinë me të cilën agjitatorët nacionalistë prishin ngjarjet kulturore.

 

Megjithëse duket sikur situata është më pak e rëndë në Kroaci, trashëgimia kulturore e periudhës së luftës jeton akoma.

 

Në 2016, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç tha se ajo “adhuron” të dëgjojë Thompsonin. Në 2015, sfiduesi i saj kryesor për presidencën, Zoran Milanoviç, e karakterizoi turbo-folkun, të njohur si cajka në Kroaci, si “dembel” dhe u tha votuesve: “Shpresoj që askush të mos jetë ofenduar… që ne nuk e festojmë cajke-n – ne po i shtypim ata dhe kjo do të jetë pjesë e programit tonë.”

 

Ndërkohë, veteranët kroatë të luftës, shpesh kanë marrë rolin e censuruesit.

 

Raporti i vitit 2019 i Lirisë Artistike nga Freemuse detajon raste të shumta protestash të drejtuara nga veteranët kundër muzikantëve, duke përmendur disa në të cilat veteranët i kanë akuzuar muzikantët për lidhje me dhunën e kohës së luftës.

 

Përtej kufijve të Ballkanit, muzika militante nga koha e luftës tani ndahet dhe tregtohet përmes Internetit, me këngë që nxirren nga errësira dhe shpërndahen për audiencat nacionaliste në të gjithë botën.

 

Shembulli më i njohur është një këngë që nderon kriminelin e dënuar serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç që u bë meme e ekstremit të djathtë në fund të viteve 2010, e shpërndarë nën emrin “Hiq Kebabin”.

 

“Hiq kebabin” tani është bërë sinonim në internetin e ekstremit të djathtë me shaka që kanë lidhje me gjenocidin mysliman dhe u referua nga Brenton Tarrant në manifestin që ai shkroi para hapjes së zjarrit ndaj një xhamie në Christchurch, Zelandë e Re, në mars 2019, duke vrarë 51 njerëz. Kënga mund të dëgjohej ndërsa Tarrant transmetonte drejtpërdrejt sulmin.

 

Megjithatë sot, një vështrim i përciptë në listat e këngëve të një serbi apo kroati tipik njëzetë e ca vjeçar mjafton për të mbjellë shpresë, siç është edhe puna e e Bassivity Digital, një shtëpi muzikore me bazë në Beograd dhe platformë interneti që bashkon artistë hip-hopi nga e gjithë ish-Jugosllavia. Videot e tyre kanë tërhequr miliona shikime në YouTube.

 

Ndërsa interneti kapërcen kufijtë muzikorë, për disa, dëshira për një të ardhme shkëmbimi kulturor të rrjedhshëm tani është më e qartë sesa ka qenë ndonjëherë, edhe nëse arritja atje do të thotë të ballafaqohesh me të kaluarën e komplikuar. BIRN

 

Më shumë

Promovohet studimi monografik “Banda kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane” e autorit akad. Vasil S. Tole

Monografia “Banda Kombëtare Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane e autorit akademik Vasil S. Tole, që i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me Kongresin e Lushnjes, u promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. […]

“Western Balkans Youth Orchestra”: Orkestër e re kundër konflikteve të vjetra

Ata vijnë nga vende që përpara 30 vjetësh luftonin brutalisht njeri-tjetrin. 25 të reja e të rinj takohen tani në turne koncertesh për të bërë muzikë së bashku. “Western Balkans Youth Orchestra” nis turneun e koncerteve.   Ata të gjithë janë fëmijë të luftës, të të ashtuquajturave „luftëra të Jugosllavisë”. Tani ata takohen për […]

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, me më shumë se 200 tituj

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021.   I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar […]

Zbulohet stera 2300-vjeçare në sitin arkeologjik të Bylisit

Neritan Ceka: I përket shekullit III para Krishtit. Stera është e gjatë 50 metra dhe e thellë 8 metra dhe e mbuluar nga një sistem harqesh. Kërkimet arkeologjike në Bylis kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave, kryesuar nga Neritan Ceka. Skënder Muçaj: Janë zbuluar dhe objekte të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara