e martë 21 shtator 2021
e martë 21 shtator 2021

 

 

Një javë pasi talibanët vendosën kontrollin e plotë mbi Afganistanin, udhëheqësit e tyre dëshirojnë t’i sigurojnë vëzhguesit ndërkombëtarë se ata janë duke konsideruar një sistem gjithëpërfshirës politik dhe se nuk do të lejojnë që vendi i tyre të bëhet sërish strehë e terroristëve.

 

Përpjekjet e tyre për të fituar legjitimitet të gjerë, janë duke hasur në pengesa, pasi pak vende perëndimore duket se janë të gatshme të njohin një qeveri talibane.

 

Janë vetëm Pakistani, Irani, Rusia dhe Kina që duken se janë gati të punojnë me qeverinë e re.

 

Regjimi i mëparshëm taliban, nga viti 1996 deri më 2001, është njohur vetëm nga Pakistani fqinj dhe nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

“Talibanët e kuptojnë – të paktën në nivelin e lidershipit – domosdoshmërinë dhe rëndësinë e ndihmës ndërkombëtare. Ata gjithashtu e dinë se ndihma nuk mund të rrjedhë nëse regjimi taliban nuk ka legjitimitet ndërkombëtar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Hameed Hakimi, nga Instituti Chatham i Londrës.

 

“Talibanët janë shumë të etur për njohjen ndërkombëtare, sepse duan ta pastrojnë imazhin e tyre ndërkombëtar”, shton ai.

 

Prejse talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit, Qeveria amerikane ka ngrirë miliarda dollarë në rezervat e Bankës Qendrore afgane, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se do t’i ngrijë 450 milionë dollarët që do të dërgoheshin në Kabul.

 

Janan Musazai, ish-ambasador i Afganistanit në Pakistan dhe Kinë, thotë se talibanët “e kanë bërë të qartë se kanë bërë gabime në të kaluarën” dhe tani thonë se “kanë mësuar nga ato gabime”.

 

Por, sipas tij, talibanët nuk mund të fitojnë njohje ndërkombëtare, duke bërë premtime.

 

“Ata duhet të tregojnë angazhimin e tyre të vërtetë për krijimin e asaj që quajnë qeveri gjithëpërfshirëse islamike, e cila do të përfaqësohet nga të gjitha grupet etnike dhe gjuhësore”, thotë Musazai.

 

Udhëheqësit talibanë kanë zhvilluar bisedime me udhëheqësit kryesorë politikë, përfshirë ish-presidentin afgan, Hamid Karzai, dhe kreun e Komisionit të Pajtimit Kombëtar të Afganistanit në Qeverinë tashmë të rrëzuar, Abdullah Abdullah.

 

“Ne po punojmë drejt krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse – [kjo] do të thotë që ne nuk duam monopol në pushtet”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, për kanalin turk TRT World.

 

Talibanët kanë shpallur amnisti të përgjithshme për ushtarët dhe këdo që ka punuar për Qeverinë e kaluar dhe, deri më tani, janë përmbajtur nga shënjestrimi i ish-zyrtarëve të lartë ose kundërshtarëve të tjerë.

 

“Ne duam që afganët e të gjitha etnive të jenë të bashkuar dhe të jenë pjesë e qeverisë. Tani është koha për ta ndërtuar Afganistanin, pasi forcat e huaja janë larguar”, ka thënë Shaheen.

 

Një zëdhënës tjetër i talebanëve, Zabiullah Mujahid, ka thënë se grupi militant islamik nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet strehë e sigurt për terroristët.

 

Ashtu sikurse udhëheqësit e tjerë talibanë, Mujahid ka dalë pasi ka qëndruar i fshehur për dy dekada.

 

Ai ka marrë përgjegjësinë për mijëra sulme të talibanëve, ndërsa u ka thënë mediave të pavarura të Afganistanit se militantët “janë të përkushtuar që t’i lënë gratë të punojnë në përputhje me parimet e Islamit”.

 

I përballur me kritika për shkak të vendimit për tërheqjen e trupave nga Afganistani, presidenti amerikan, Joe Biden, ka lënë të kuptohet se Uashingtoni është duke punuar me aleatët perëndimorë, për t’iu bërë presion talibanëve që të plotësojnë kushte të vështira, nëse duan njohje dhe legjitimitet.

 

Por, shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut nga ana e talibanëve dhe lidhjet e tyre të mundshme me militantët transnacionalë kanë bërë që Britania të paralajmërojë se do të bëjë presion për sanksione ndaj grupit militant, gjatë një samiti të grupit të vendeve më të industrializuara (G7) që do të mbahet këtë javë.

 

“Do të ishte gabim nëse ndonjë vend e njeh regjimin e ri në Kabul para kohe ose në mënyrë bilaterale”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson, javën e kaluar.

 

“Ato vende që brengosen për të ardhmen e Afganistanit, punojnë drejt kushteve të përbashkëta për regjimin e ri, përpara se të vendosin së bashku nëse do ta njohin atë”, ka shtuar Johnson.

 

Në Bashkimin Evropian, liderët thonë se do të flasin me talibanët.

 

“Talibanët [kanë] fituar luftën, kështu që ne do të duhet të flasim me ta”, ka thënë kryediplomati evropian, Josep Borrell, më 17 gusht.

 

Së bashku me Japoninë, Australinë dhe aleatët e tjerë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë qenë donatorët kryesorë në Afganistan. Ndihma e tyre ekonomike dhe humanitare do të jetë kyçe për parandalimin e krizës ekonomike.

 

Por, Hakimi thotë se prania e udhëheqësve talibanë në listat e sanksioneve të OKB-së dhe ngrirja e aseteve të Afganistanit i vendosin talibanët në një pozitë të vështirë.

 

“Që talebanët [të fitojnë] legjitimitet dhe aftësi për të qeverisur, ata duhet të tregojnë se mund ta menaxhojnë ekonominë dhe sistemin e qeverisjes”, thotë Hakimi.

 

“Mos harroni, Qeveria afgane ka qenë punëdhënësi më i madh në vend. Nëse tani sanksionohet, qindra mijëra familje preken”.

 

“Perëndimi e sheh [ndihmën] si një mjet ndikimi kundër talibanëve. Sa më shumë cenueshmëri të shohin te talibanët, aq më shumë mund të ngurrojnë të japin ndihmë, në mënyrë që ta ndryshojnë sjelljen e talibanëve”, thotë Hakimi.

 

Megjithatë, fqinjët me ndikim të Afganistanit – Pakistani dhe Irani – dhe fuqitë globale – Kina dhe Rusia – po marrin qasje tjetër.

 

Derisa diplomatët perëndimorë janë larguar ditëve të fundit, ata i kanë mbajtur ambasadat e tyre të hapura.

 

Pakistani është i etur për ta njohur Qeverinë talibane, pasi, për gati dy dekada, ka qenë nikoqir i udhëheqësisë së lëvizjes dhe ka financuar kryengritjen e saj.

 

Disa politikanë në Islamabad, duke folur në kushte anonimiteti, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se udhëheqësit e fuqishëm ushtarakë të Pakistanit u kanë thënë partive politike të vendit që të kërkojnë nga Qeveria e tyre njohjen e administratës së talibanëve.

 

Por, publikisht, Islamabadi po bën presion për një konsensus rajonal dhe ndërkombëtar për njohjen e talibanëve.

 

“Ne jemi në kontakt me miqtë tanë, si në rajon, ashtu edhe ata ndërkombëtarë, dhe do të vendosim në përputhje me rrethanat”, ka thënë më herët ministri pakistanez i Informacionit, Fawad Chaudhry.

 

Kina raportohet se është gati të njohë qeverinë talibane sapo të shpallet zyrtarisht.

 

“Shpresojmë se talibanët afganë do të mund të solidarizohen me të gjitha fraksionet dhe grupet etnike në Afganistan dhe të ndërtojnë një strukturë politike me bazë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse – të përshtatshme me realitetet kombëtare”, ka thënë më 16 gusht zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar publikisht se Kremlini do ta njohë qeverinë talibane.

 

“Talibanët tani kontrollojnë pothuajse të gjithë territorin e [Afganistanit], përfshirë kryeqytetin e tij. Ky është realiteti dhe ne duhet të veprojmë në përputhje me këtë realitet”, ka thënë Putin më 20 gusht.

 

Ashtu si Kina dhe Rusia, Irani ka kultivuar kontakte me talibanët për vite me radhë dhe po shikon me optimizëm kthimin e tyre në pushtet.

 

“Humbja e ushtrisë dhe tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani duhet të ofrojnë një mundësi për të rikthyer jetën, sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në atë vend”, ka thënë presidenti i ri i Iranit, Ebrahim Raisi.

 

Më shumë

Putini kritikon praninë e trupave të huaja në Siri

Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi praninë e trupave të huaja në Siri, duke thënë se ato janë atje kundër vullnetit të qeverisë siriane dhe po bllokojnë forcimin e vendit të shkatërruar nga lufta, thuhej në një njoftim të Kremlinit të martën.   Zoti Putin i referohej qindra trupave amerikane të dislokuara në Sirinë […]

Olimpiada ndëshkon Korenë e Veriut për mospjesëmarrje në Lojërat e Tokios

Autoritetet olimpike ndërkombëtare kanë pezulluar Korenë Veriore deri më 2022, për shkak të dështimit të Phenjanit për të dërguar ekipin në Lojërat Olimpike Verore që janë mbajtur muajin e kaluar në Tokio.   Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka bërë të ditur këtë ndëshkim që, pezullon mbështetjen financiare dhe ia pamundëson […]

Talebanët emërojnë qeverinë e re të përkohshme

Talebanët emëruan Mullah Hasan Akhundin, një bashkëpunëtor i themeluesit të lëvizjes së tyre Mullah Omar, si kreun e qeverisë së re të përkohëshme të Afganistanit të martën dhe Mullah Abdul Ghani Baradarin, kreun e zyrës politike, në postin e zëvendës kryeministrit.   Sarajuddin Haqqani, djali i themeluesit të rrjetit Haqqani, të përfshirë në listën […]

Senatori amerikan: “Agjencia e Faucit i dha fonde Institutit të Wuhan e financoi studime për Covid-19 në Kinë”

Këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Covid-19, Anthony Fauci, po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen pasi dokumentet e sapo publikuara sugjeruan që agjencia e tij financoi kërkime ‘të rrezikshme’ lidhur me Institutin e Wuhan në Kinë, pavarësisht mohimeve të mëparshme.   Kërkesat për shkarkimin e këshilltarit shëndetësor vijnë pasi Intercept […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara